Ilir Levonja: Nuk fiken zjarret me fshesa oborri
Situata me zjarret është tashmë një makth i përvitshëm edhe për Shqipërinë. Ishim mësuar me Greqinë dhe Turqinë, por vitet e fundit zjarret janë kthyer në normalitet edhe në Shqipëri. Ndërsa Greqia dhe Turqia kanë një arsenal të tërë të ndihmës së shpejtë, duke përfshirë edhe nga qielli, në Shqipëri vazhdon avazi i fshesës melakuqe. Ky është një tregues i qartë nga ku duhet të kuptoni se a e kemi ndërtuar vërtet si duhet shtetin tonë ne shqiptarët? Po e them që në krye, se jo! Si mund të pranosh që ke shtet, kur shikon një skuadër të lodhur me uniforma të dhuruara o nga Amerika, o nga Turqia, ose nga ndonjë vend i komunitetit europian, Italia apo Gjermania. Këto janë vetëm zjarre, pra fatekeqësi natyrore, por që dëshmojnë fare qartë forcën e një shteti. Këtë e pamë edhe në tërmetin e dimrit të 2019-ës. Po e shohim edhe tani. Skudra të lodhura nga bloza që i bien flakëve me fshesa melakuqe. Ndërkohë tv shqiptare çahen duke dëshmuar se si kryeministri i tyre, një Çak Norris modern, zbarkon në aeroportin e Rinasit me disa shqiptarë nga kampet e Sirisë. Dhe shqiptarët janë në delir. Në një vend normal, qytetaria do kërkonte një zgjidhje tek pyetja, se çfarë duan shqiptarët në tokat e Sirisë? Nëse shkojnë për të mbrojtur besimin e tyre, a nuk mund ta bëjnë këtë nga shteti ku jetojnë? Por jemi tek zjarret që po përvëlojnë jugun. Tek skuadrat me fshesa melakuqe. Zjarrëfikëset nuk mund të shkojnë, për shkak të terrenit të thyer etj. Po qielli pse është i tillë, thuajse i pamundur për shqiptarët? E para përgjigje që të japin, është e zakonshmja, jemi të varfër, shtet i vogël etj. Megjithëse po të hedhësh sytë përreth, bazuar në sipërfaqe a metra katrorë, nuk është më e madhe Zvicra, Hollanda, Izraeli, Luksemburgu etj. Po ne mbetëm përjetësisht vasalë të donacioneve. Arkat e shtetit janë bosh. Nuk e kemi luksin të blejmë një apo dy helikopterë për emergjencat civile. A ka zgjidhje? Sigurisht që ka…, vetëm një palo reformë në drejtësi u bë dhe e vutë re se sa para sillen në tregun në shqiptar. Shkurt, vrisni informalitetin, pagat kutura si këshilltarë të iks apo ypsilon vipi etj. Bëni një veting të klanit politik dhe do shikoni se Eldorado nuk është në fushat e Teksasit të largët, por aty. Madje e bëni vetingun të përvitshëm, a justifikohet çfarë personi publik ka me të ardhurat mujore etj. Pa përmendur pastaj tenderimet etj., se do ta kuptoni shumë shpejtë, që edhe shqiptarët kanë mundësi të blejnë karabinatë e qiellit, jo vetëm grekët dhe turqit. Se ta këpusin shpirtin ato skuadra që duan të fikin zjarret me fshesa melakuqe. E fundit, se edhe zjarri luftë është, po lufta do plumba jo fshesa oborri.