Albspirit

Media/News/Publishing

Kurti: “Ballkani i Hapur”, tendencë e Vuçiqit për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë e Kinës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se iniciativa e mini-Schengenit që të enjten mori emër të ri duke u quajtur “Ballkani i Hapur” është tendencë e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë dhe Kinës, raporton Gazeta Express.

Pasi u pyet nga gazetarët për takimin e liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë të enjten në Shkup, Kurti shtroi pyetjen se për çka do të jetë i hapur Ballkani. Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kreu i Ekzekutivit tha se përderisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, duket tendenca e tij që Ballkani të jetë i hapur për fuqitë nga Lindja, sidomos për Federatën Ruse, por edhe për Kinën, si dhe “i hapur për autokraci, oligarkë e kriminelë lufte, në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Këto komente Kurti i bëri pas vizitës në ekspozitën e librave të vjetër dhe shtypit të kohës gjatë demonstratave të vitit ’81, në veçanti atyre që i referohen figurës së Ukshin Hotit, Kurti, mori pjesë në bashkëbisedimin me poetin e mirënjohur Xhevdet Bajraj në Teatrin Kombëtar, me ç’rast edhe u promovuan librat e tij: “Ca kokrra rrushi nga Rahoveci”, “Kur qajnë hardhitë”, “Me zemër në qese najloni” dhe “Vrasja e Mushkonjës”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë të enjten në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që u mbajt në Shkup se nuk e kupton se pse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk i janë bashkuar atij, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në iniciativën e bashkëpunimit ekonomik rajonal, të njohur deri edhe si “mini-Schengen”.

Por Rama tha se e di se për çfarë arsye nuk po merr pjesë Kosova në iniciativën që tani ka ndryshuar emër.

“E di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe ta bëjnë maksimumin për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre dhe për të gjithë së bashku”, ka thënë Rama.

Ai u shpreh se e shkuara duhet të lihet pas dhe se ajo nuk duhet ta determinojë të ardhmen.

Për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të mos iu bashkuar kësaj nisme, atë ditë foli indirekt edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se disa mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme.

“Gjithmonë do të kemi oponentë ndaj kësaj iniciative. Gjithmonë do të ketë dikush që do të kërkojë për teori konspiracioni, që nuk mendojnë për ekonominë, të cilën nuk mendojnë në afat të gjatë dhe ata të cilët mendojnë vetëm për zgjedhjet e afërta që vijnë”, ka thënë Vuçiq.

Para tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaef e ftoi Kurtin dhe liderët tjerë të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Nisma është e hapur për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, andaj i ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë që të bashkohen për shkak të popujve tanë. Ne të gjithë jemi Ballkan Perëndimor dhe evropian. Ta krijojmë një vizion për zhvillim real për të përfituar të gjithë qytetarët tanë”, është shprehur Zaev.

Kryeministri i Kosovës kishte deklaruar vitin e kaluar se “mini-Schengeni” mund të jetë vizioni i Serbisë për një Jugosllavi të re.

“Më duhet të jem i sinqertë se mini-Schengeni ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Mini-Schengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit”, shprehej Kurti.

Por Kosova ishte zotuar në marrëveshjen e Washingtonit për t’iu bashkuar iniciativës së “mini-Schengenit”, por Kurti që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në të njëjtën linjë.

Në Samitin e fundit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kurti madje deklaroi se “mini-Schengeni” nuk ekziston më.

“Nuk ka më mini-Schengen, ka treg të përbashkët rajonal dhe këtë e ka marrë Procesi i Berlinit, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut”, ishte shprehur Kurti./express

Please follow and like us: