Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: PSE E MBAN ATË GRUA PËR DORE?

Tregim

Ecnin njëri pas tjetrit. Ai ia mbante dorën e vogël në pëllëmbën e tij të madhe.

Pse e mban atë grua për dore, mos është e verbër?

Oh, ajo shikon edhe atë damarin e hollë të ylbertë brenda shkëmbit atje matanë.

Po ndoshta ajo nuk dëgjon?

Dëgjon, dëgjon deri dhe të qeshurën e dallgës së lehtë se si thërmohet atje në breg.

Po përse duhet atëherë ta mbash përdore atë grua të thyer në moshë?

Kjo grua është dashuria ime por ka dhjetë vjet që nuk kujtohet për këtë gjë.

Po e di ajo që është e dashura jote?

E di unë. Ajo quhet Katerina Gunëbardha.

Ka humbur kujtesën?

Hëm, hëm, harron… harron… po unë nuk besoj se do harrojë përgjithmonë. Diçka mbetet atje, në atë mendjen e njeriut. Njësoj si koralet.

Epo, diçka duhet bërë doemos për të, tha kalimtarja.

Ka nisur që para gjashtëdhjetë vitesh. Qëndro pak me të këtu në breg dhe ta rrëfej historinë sapo të dal nga deti, iu lut plaku asaj gruas tjetër që e kundronte gjithë kërshëri.

E mira kalimtare nuk kundërshtoi. U ul me gruan që thirrej Katerina Gunëbardha në çadrën e ngritur buzë shkëmbit, shkëmb që rrihej papushim nga dallgët e detit, a thua se gabimet e tij i kishin zemëruar pafundësisht zotat. Burri, atë që të gjithë e thërresin Riku, Rik Koralia, shkoi ca më tutje, hoqi rrobat e trupit dhe u zhyt në ujë. Frederik Gjonmëma apo Rik Korali, ishte një tetëdhjetë e dy vjeçar trupgjatë, me krahë e duar të mëdha, gjithë lesh që e fshihnin si duhej moshën dhe mundimet e jetës. Duart me gishtrinj të gjatë, pikërisht ato janë shenja nëse je apo jo zotëri, mburrej ndonjëherë me miqtë e tij. Riku në rini kishte qënë mësues biologjie në shkollë të mesme, por më pas karriera ishte rrokullisur nëpër shkëmbinj e rrëpira të rrezikshme. Pasioni i tij i madh ishin zhytjet në thellësi të detit, sidomos poshtë disa shkëmbinjve nënujorë në kërkim të koraleve. Katerina Gunëbardha, Katina e koraleve, ishte nxënësja e tij. E merrte me vete në det. Ai zhytej, ajo e priste në breg. Katina gërshetgjatë, me balluket e verdha lëshuar mbi vetull, ishte si perëndi antike. T’i këpusje kokën. Ta rrëmbeje dhe të ikje. Le të plasnin pastaj luftërat midis perandorive. Kur e puthi për herë të parë, Katina ishte në vitin e tretë dhe Riku ende mësues, të dy kishin shkuar tepër larg, matanë, në gjirin e thellë të shkëmbinjve koralorë të Memorianës. Katina vizatonte në rërën e hollë si miell pulëbardhat dhe lejlekët që fluturonin përçiktas mbi valët e detit, ndërsa Riku qe zhytur në thellësi. Ca më vonë Riku doli me vështirësi në breg dhe në duar mbante gjithë kujdes e vëmendje dy copëza të vogla, as të ngurta dhe as pa formë, diçka midis gurit dhe bimës, pjella hyjnore, një jeshile e tjetra e kuqërremtë, si foshnjëza të vogla.

“I solla për ty, i pëshpëriti në vesh Katinës dhe ia puthi gushën me afsh të parrëfyer. – Kjo e kuqërremta është Riku dhe kjo e gjelbërta është Katina. Ti e di mirë, po aq mirë sa unë, që koralet janë kafshë të quajtura polipe, ndonëse duken si bimë. Polipet bashkohen me njëra-tjetrën dhe jetojnë si një organizëm i vetëm. Si unë dhe ti. Pas qindra vitesh dhe unë e ti do të jemi transformuar ja kështu, në shkëmbinj koralorë. Kështu të bashkuar do të jemi Katina ime, për qindra e qindra vite”.

Pas kësaj, Riku u zhyt përsëri në ujërat e thella dhe i vendosi përposh shkëmbit që e shënjoi si shkëmbi i Katinës, dy kafshëzat e vogla që ato të futeshin tek njëra-tjetra, të shumoheshin e të rriteshin. Për fat të keq, si ca ngjarje të pashmangshme, të pakthyeshme, të shkruara lart në qiell, dita e shënjimit të shkëmbit koralor me emrin Katina u bë dhe dita e fundit e lirisë së Rikut. E arrestuan dhe e dënuan. Përdhunim të miture, agjitacion e propagandë, nxirrje realiteti, parajsë për botën nënujore dhe ferr në sipërfaqen tokësore, etj, etj. Dashuria u këput në mes, por nuk humbi. Riku në burg, por Katina nuk njohu burrë tjetër. Njëzet e tre vjet në qeli, Riku në ëndrrën e çdo nate udhëtonte qindra kilometra e zhytej atje në atë botën magjike të nënujshme ku ishte liria, liria që nuk ia rrëmbente dot askush, ku koralet ishin kurora e bukur e udhëtimit. E dinte mirë që mysafiret e tij të ëndrrës, koralet, ishin shumë të ndjeshme, megjithë strukturën e tyre të thjeshtë gjenetike, ndaj kujdesej për to si për sytë e ballit dhe shpirtin. Ngjyrat që i jepnin ato ishin të jashtëzakonshme, ndërsa format ndryshonin çdo natë. Riku fliste me to. Ato i tregonin me saktësi, se kur ishte prill, kur ishte nëntor, kur kishte hënë të plotë, kur binte shi apo dëborë. Ato qeshnin bashkë me të në ëndërr dhe e ndalonin menjëherë të qeshurën kur hynte në qeli gardiani. Koralet i parashikonin Rikut kohën, ditën me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm dhe ai e dinte mirë se kur duhej të shkonte tek shkëmbi Katina. Kur doli prej burgut, nuk e gjeti menjëherë Katinën e tij. U deshën vite kërkimi. E kishin çuar tek dajot që jetonin në veri. Si për ta fshehur nga bota. Katina kishte punuar kooperativiste. E vetme. Si qyqe. Prindërit  ishin larguar të dëshpëruar prej kësaj bote.

Riku gati u çmend. Kur e gjeti, e mori Katinën në shtëpinë e tij. Në fytyrën e Katinës si perëndi antike, tani ishin shfaqur dy vija-damarë të trashë që përlesheshin keqas me njëra-tjetrën, mëkati i zemërimit dhe vyrtyti i durimit. Ca vite më vonë, humbi dhe kujtesën. Pak nga pak nuk njohu më askënd. Riku nuk e pranoi dot humbjen. Të fshehtat e natyrës mbeten gjithnjë mister për njeriun, ndaj në moshën tetëdhjetë e dy vjeçare deshi ta riprovojë sërish fatin. Një natë më parë hëna ishte zbrazur, shenjë e qartë kjo se peshqit do të dilnin ta prisnin e ta shoqëronin thellësisë përposh, në shenjën e Katinës, atje ku gjendeshin koralet, tek përroi i shkëmbinjve të Memorianës. Aty ku nisi dashuria e tij. U zhyt me fundo si në rininë e hershme dhe fryu mushkëritë gjer sa i plasën, për të zbritur thellë, tek shenja e bekuar e koralit Riku-Katina. E dinte që trumba të mëdha pulëbardhash e pelikanësh spërkatnin krahët me dallgët që rrokulliseshin e rrëzoheshn njëra pas tjetrës, ndërsa, sa më thellë që zbriste, kuptonte se ujërat merrnin ngjyrën e verdhë, të kuqe apo blu, sipas diellit. Kur përbri krahut i kaloi një peshk shpatë, tundi kokën e qeshi me mënyrën se si e tymoste, e thante atë peshk, duke i hapur sqepin. Zbriste i lumtur në ato thellësira të pamatshme, pa e ndjerë fare peshën e astmës në gjoks, kollën e tmerrshme dhuratë prej burgut, apo dhimbjen e reumatizmës nëpër kycet. Ishte i bindur se atje në thellësirë, në shenjën e tij do të gjente të shumuar koralen Riku-Katina.

“Ja përse e mbaj këtë grua përdore, – thirri në fund të detit dhe e qetësoi përjetësisht shpirtin e tij…”.

Please follow and like us: