Albspirit

Media/News/Publishing

Zef Preçi: Që lufta kundër korrupsionit të ketë sukses

Mas-media informoi se në fillim të kësaj jave, Kryeministri Rama mblodhi ministrat e kabinetit dhe prezantoi paketën e re të prokurimeve publike. Ai u’a bëri të qartë të pranishmëve dhe publikut që e ndoqi “live” se kush nuk zbaton rekomandimet për tenderat do të përfundojë në SPAK, madje dhe materialet do i dërgonte vetë Rama në Prokurori. Natyrisht që e gjitha është pjesë e komunikimit publik dhe nuk sjell ndonjë gjë të re.

Por ajo që meriton të analizohet është mesazhi i përcjellë nga një takim i këtij lloji në gjendjen e sotme të “luftës” kundër korrupsionit në vendin tonë.

Së pari, mosrespektimi i rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) nga institucionet shtetërore qendrore dhe vendore lidhet me mënyrën se si drejtuesit e këtyre institucioneve janë emëruar/zgjedhur.

“Pushtimi” i këtyre institucioneve nga militantë partiakë, nga rrjetet nepotike të elitës qeverisëse, nga mediokër të djeshëm dhe të sotëm apo shndërrimi i enteve rregullatore në “refiugum pecatorum” (strehë mëkatatesh) nuk mund të mos sillte një situatë, kur ato nuk luajnë dot rolin për të cilin janë mandatuar nga ligji.

Në një konktekst të përgjithshëm, themelore mbetet vendosja dhe ruajtja e ekuilibreve midis qeverisë, biznesit dhe konsumatorëve. Kjo sepse qeveria vepron kryesisht mbi bazën e interesit politik (ruajtjen e interesave elektorale, por edhe të bizneseve mbështetëse të saj), biznesi parimisht është i motivuar vetëm nga rritja e shpejtë dhe maksimizimi i fitimeve, ndërsa konsumatori mbrohet vetëm nëse qeveria vepron brenda ligjeve të shkruara dhe biznesi vepron në një mjedis konkurrues.

Mirëpo nëse analizohet përbërja e enteve dhe drejtimi i tyre, cilido mund të vëreje se gjatë dekadës së fundit në këto institucione janë caktuar partiakë të thekur, por në mjaft raste edhe përfaqësues të industrive përkatëse. Nuk është ky rasti për APP. Në vlerësimin tim, kjo agjenci ka profesionistë, por gjithsesi gojëkyçur përballë arbitraritetit të pushtetit, arbitraritet që ka sjellë situatën në të cilën ndodhet ekonomia e vendit: konkurrenca në tregje është dëmtuar rëndë dhe korrupsioni politik ka mbërritur në nivele kërcënuese.

Domethënë, nuk është faji i APP-së nëse institucionet qeveritare “i cojnë paratë atje ku duhet”, duke shkelur procedurat dhe duke u zhytur kështu thellë e më thellë në korrupsion.

Së dyti, APP nuk është institucioni i vetëm që edhe nëse ofron ndonjë rekomandim në zbatim të ligjit, ato injorohen dhe gjendja vazhdon “Selanik e tatëpjetë”…

Kështu është rasti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky institucion në mënyrë periodike, çdo vit ka raportuar jo vetëm madhësinë e dëmit që i vjen shtetit nga keqqeverisja, por edhe sektorët dhe veprimtaritë publike ku këto dëmtime, vjedhje apo abuzime ndodhin. KLSH ka ofruar edhe një listë të gjatë me emrat dhe mbiemrat e zyrtarëve të çdo niveli, shkelës të dyshuar të ligjit, si dhe ka propozuar ndaj tyre masa administrative dhe për një pjesë të tyre, kryesisht në nivele vendim-marrëse, ka bëre edhe denoncim penal në organin e akuzës, ashtu siç e kërkon ligji.

Por a keni dëgjuar deri më sot ndonjë thirrje të Kryeministrit Rama për institucionet e vartrësisë së qeverisë dhe vetë qeverinë që të zbatojnë rekomandimet e KLSH për përmirësimin e përformancës së institucioneve publike? A keni dëgjuar që të jetë ndërmarrë qoftë edhe një vendim i qeverisë së Z. Rama apo të jetë amenduar një ligj i vetëm mbi bazën e rekomandimeve të KLSH për përmirësimin e performancës dhe të efektivitetit të fondeve publike dhe  institucioneve shtetërore, shumica drejtpërdrejt në përbërje apo në vartësi të kësaj qeverie?

E pra, nëse cilido ju hedh një sy raportimeve vjetore të KLSH-së do të kuptojë se ku çalon mekanizmi ynë qeverisës, do të kuptojë se institucionet ligj-zbatuese kanë “lëndë të parë” të punojnë me vite të tëra për ndëshkimin e shkeljeve të ligjit dhe përmirësimin kështu të funksionimit të shtetit në tërësi.

Sepse historia e botës na ka mësuar se pa ndarje pushtetesh dhe pa fokusim të mirë-qeverjes, mund të bëjnë gjithçka tjetër veç shtet të së drejtës jo. Mendoj se Z. Rama duhet ta bëjë këtë thirrje, të paktën për të provuar formalisht se nuk është ai mbas çdo emërimi nepotik apo të personave më të shkuar të dyshimtë në pushtetin vendor, në Kuvend, apo nga komuniteti i biznesit, siç edhe perceptohet nga shumica e qytetarëve të vendit.

Së treti, në ndryshim nga vendet përreth, por edhe ato perëndimore, lufta kundër korrupsionit, përveçse Prokurorisë Speciale Anti-Korrupsion (SPAK), që është dukuri e dekadës së fundit dhe vetëm në disa vende, Kuvendi dhe Qeveria ngrenë nje agjenci të specializuar jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv, si në rastin e vendit tonë.

Kjo me qëllim që të rritet besueshmëria publike e një institucioni të tillë, por edhe që të ketë një distancë të aryeshme nga shkelësit e ligjit, abuzuesit me detyrën, etj. Rasti i vendit tonë mund të jetë një rast unik, kur një krah i qeverisë (Ministria e Drejtësisë) lufton korrupsionin që në thelb lidhet me vetë qeverinë; domethënë qeveria lufton …vetveten. Ndoshta kjo ishte arsyeja që në takimin e sipërcituar të Z. Rama, nuk pati asnjë fjalë për zbatimin e rekomandimeve të Kordinatorit Kombëtar të luftës kundër korrupsionit.

Së katërti, një ndër institucionet rregullatore, i krijuar me ligj të veçantë, është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI). Ky institucion lidhet drejtpërdrejt me konfliktin e interesave dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe ka qënë pikërisht një database e këtij institucioni që po përdoret gjerësisht në procesin e vetingut në drejtësi.

Është një mundësi e artë që elita politike e vendit tonë, në pushtet dhe në opozitë, ta shfrytëzonte këtë database shumëvjeçare (qysh nga 2003) për të ndëmarrë një veting edhe të vetë klasës politike. Në këtë këndvështrim, i ftoj publikisht z. Rama dhe z. Basha që në Kuvendin e ri mbas disa javësh, t’i hapin rrugën këtij procesi. Ndërkaq, për të rritur besueshmërinë publike të këtij institucioni rregullator, gjë që nuk mund të thuhet se ka qënë e tillë gjatë dy dekadave të jetës së vet, mendoj se ILDKPKI duhet të drejtohet nga opozita.

Së fundi, bashkë me ardhjen në pushtet të Z. Rama tetë vjet më parë, edhe shoqëria civile duket se e uli vigjilencën e saj dhe roli i këtij segmenti të rëndësishem edhe në demokracitë më të zhvilluara u zbeh shumë, duke u reduktuar në njëlloj avokatie të moderuar të qeverisë, pa folur për një numer individësh të kualifikuar dhe mendësi bashkohore që iu bashkëngjitën politikës. Nuk po flas për atë kategori individësh që janë shtojca të lobeve politike, që shfrytëzojnë përvojën e grumbulluar dhe rrjetet ku bëjnë pjesë thjesht për mirëqënien vetjake, duke mos thënë asgjë për interesin publik, për mirëqeverisjen, për korrupsionin që varfëron qytetarët dhe gërryen besimin publik ndaj institucioneve.

Natyrisht, “metamorfoza” e shoqërisë civile meriton një analizë të veçantë, por konkluzioni që më vjen në mend është se ata nuk arritën t’i jepnin fytyrën e vet politikës, madje shumë syresh nuk arritën as që të ruanin imazhin e vet personal prej profesionistësh të ndërtuar në vite.

Pas tetë vitesh, mbijetuesit prej tyre ishin dhe janë vetëm gojëkyçurit dhe votuesit luajalë ndaj Z. Rama.

Në lidhje me korrupsionin, një ndër ekipet me profesionale, më të besueshme dhe me ndikim në opinionin publik vendas mbetet Open Data Albania (ODA) si projekt i Institutit Shqiptar të Shkencës si dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN. Databaza e ODA dhe ekspertiza e ofruar nga BIRN në çështje të mprehta që lidhen me korrupsionin, sidomos të prokurimeve apo PPP-ve, duket se përbëjnë edhe një burim të rëndësishëm për t’u “orientuar” edhe vetë SPAK.

Por jo qeveria! Në takimin e sipërcituar, z. Rama nuk tha asnjë fjalë për këtë, të paktën t’i kishte falenderuar se çështjet e ngritura prej tyre vite më parë, po fillojnë të zënë vend në “headlines” që pasqyron punën e përditshme të SPAK.

Në botën moderne prej shekujsh, të paktën që prej Magna Carta (1215) e këtej, është hequr dorë nga “liderët e fortë që bëjnë edhe hënën edhe diellin, edhe shiun edhe borën”, por përherë e më shumë qytetarët besojnë tek institucionet.

Në ditët e sotme, këto të fundit burojnë nga vota dhe taksat, ky binom i pandarë për një shoqëri normale demokratike. Ndoshta këtu duhen kërkuar edhe shkaqet e prapambetjes sonë, por edhe rrugëdaljen nga rrethi vicioz i korrupsionit.

Kështu që e konsideroj të dalë mode dhe tërësisht të pavend kërcënimin verbal të z. Rama ndaj zyrtarëve më të lartë të tij për “dërgimin në SPAK” të atyre që nuk do të zbatonin udhëzimet e APP-së. Çdo institucion duhet të veprojë mbi bazën e ligjit dhe vetëm mbi bazën e ligjit.

Thirrja në këtë rast është: lërini insitucionet të përmbushin detyrat e veta dhe kështu vendi ynë do të bëhet gradualisht më i jetueshëm për të gjithë qytetarët e tij, dhe jo vetëm atdheu i atyre që të sotmen dhe të ardhmen e lidhin mbas një individi të pushtetshëm, qoftë ky edhe vetë Z. Rama.

Please follow and like us: