Albspirit

Media/News/Publishing

Nga SHBA punë vullnetare në Shqipëri, njihuni me 17-vjeçarin Klint Faber dhe pasionin e tij mbi programimin

Shoqëria shqiptare çdo ditë e më shumë po rrit shkallën e ndërgjegjes së saj. Më së shumti kjo vihet re tek brezi i ri i lindur në Shqipëri pas viteve ’90, kur vendi hodhi tej diktaturën komuniste dhe filloi rrugë e demokracisë.

E tillë është edhe historia e 17-vjeçarit Klint Faber, maturant në shkollën e mesme që mban emrin e poetit, eseistit dhe gazetarit të madh amerikan Walt Whitman, në Washington. Klinti ka arritur rezultatet maksimale në mësime. Ai gjithashtu merr pjesë në disa skuadra që përfaqësojnë shkollën si dhe në disa iniciative të punës vullnetare për komunitetin.

Pas një viti të gjatë izolimi total prej pandemisë si dhe me mbarimin e vitit shkollor, Klinti është kthyer në Shqipëri, por jo për pushime. Ai po ndan me komunitetin e të rinjve shqiptarë njohuritë që ka mbi programimin.

“Unë kisha shumë dëshirë e mezi po prisja që të vija në Shqipëri për të bërë diçka” thotë Klinti. Ai kërkoi disa mundësi se ku mund të angazhohej, por “Code for Albania” është porta që u hap për të.
Klinti ka një moto personale – do të bëhet ekspert në fushën e shkencave kompjuterike, por më parë do të jetë një njëri i mirë. Ai vjen nga një profil i shkollës që i përgatit nxënësit jo vetëm për anën akademike dhe ku orët e punë vullnetare janë pjesë e pandarë e programit mësimor.

Në Shtetet e Bashkuara Klinti ka marrë pjesë në një numër programesh që mbështesin komunitetin dhe nxisin punën vullnetare, por veçon prej tyre Ditën e Martin Luther King si e vetmja festë federale e caktuar si një ditë kombëtare e shërbimit ndaj komunitetit dhe punës vullnetare.

“Unë do sugjeroja që edhe Shqipëria në Ditën e një figure të madhe si shenjtorja Nënë Tereza, ta festojë duke e konsideruar atë si Dita Kombëtare e Shërbimit ndaj Komunitetit. “Të gjithë qytetarët veçanërisht të rinjtë, të inkurajojnë që të punojnë një ditë vullnetarisht për të përmirësuar komunitetin dhe lagjen ku secili nga ne jeton”, propozon Klint Faber djaloshi shqiptar që studion në Washington./RTSH

Please follow and like us: