Albspirit

Media/News/Publishing

Një pabesi diplomatike kundër Kosovës dhe disa profka infantilësh, që bëjnë sikur nuk e shohin traun e së kaluarës kriminale ku është ngurosur sot Beogradi

Shaban Murati

 

Histeria e re kundër Kosovës, që kanë shpërthyer pas pagëzimit të “mini Shengenit” serb me emrin e ri “Ballkan i hapur”, qeveritë pjesëmarrëse, pionierët e “vëllazërim-bashkimit” jugosllav, lobet serbe dhe kooperativistët në Tiranë dhe në Shkup, që janë bërë befas analistë të Ballkanit pa lexuar një libër për Ballkanin, e ka emrin pabesi. Është pabesi diplomatike, sepse po përqendrohet në denoncimin dhe në komprometimin e qendrimeve edhe pozitave të Kosovës në bisedimet e Brukselit me Serbinë për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis tyre. “Ballkani i hapur “ serb ka marrë rol dhe po angazhohet në një fushatë diplomatike kundër politikës dhe shtetit të Kosovës në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE në Bruksel. Thelbin e kësaj pabesie e sheh në parashtrimin zyrtar, që kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, bëri në një intervistë në datën 1 gusht me Agjencinë Shtetërore Serbe “Tanjug”, ku për herë të parë zbuloi se “Ballkani i hapur” serb do të angazhohet në një platformë dhe betejë diplomatike kundër Kosovës. “Marrëdhëniet miqësore midis Beogradit, Shkupit dhe Tiranës po forcohen gjithnjë e më tepër dhe kjo shton besimin se çështja e Kosovës do të zgjidhet”- shpalli kryeministri i Shkupit. Se çfarë lidhje dhe ndikimi mund të ketë miqësia e re serbo-shqiptaro-maqedonoveriore në dinamikën e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk shpjegohet, dhe është vështirë ta kuptosh, aq më tepër që Kosova me të drejtë ka refuzuar të marrë pjesë në këtë grupim serb, ku e lenë ke dera dhe nuk e njohin për shtet. E rëndësishme është të shihet pohimi i Zaevit se ky trekëndësh apo mikroaleancë Beograd-Shkup-Tiranë pritet të ndërhyjë në procesin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Tre janë pabesitë diplomatike, që shpreh kryeministri maqedonoverior lidhur me Kosovën, dhe të cilat duhen mbajtur mirë shënim nga gjithë shqiptarët në Ballkan. Pabesia e parë është që kryeministri i Maqedonisë së Veriut del zyrtarisht dhe për herë të parë duke mbajtur anën e Serbisë dhe të presidentit serb në bisedimet me Kosovën. ”Unë shoh dëshirën e sinqertë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të gjetur një zgjidhje”, tha Zaevi. “Dëshira e sinqertë” e Vuçiçit është që Kosova të jete krahinë  e Serbisë, siç e ka futur në Kushtetutën e Serbisë dhe siç e deklaron çdo ditë presidenti serb platformën e Beogradit për bisedimet me Kosovën. Me një fjalë edhe Shkupi bashkohet me qendrimin dhe me strategjinë e Serbisë dhe të presidentit serb për të zgjatur pafund bisedimet me Kosovën derisa Kosova të heqë dorë nga shteti i saj i pavarur dhe të pranojë statusin e ri të provincës serbe, të cilin presidenti serb e quan “kompromis”.

Pabesia e dytë diplomatike është që kryeministri maqedonoverior në një mënyrë të padenjë dhe të papranueshme për një kryetar qeverie, del dhe sulmon publikisht dhe zyrtarisht nëpërmjet Agjencisë Shtetërore serbe “Tanjug” pozitat dhe qendrimet diplomatike të Kosovës. Duke shkelur çdo normë dhe etikë të marrëdhënieve shtetërore diplomatike dhe rregullin ndërkombëtar që kryeministri i një shteti nuk mundet kurrë të sulmojë qeverinë e një shteti, me të cilin ka marrëdhënie diplomatike, për qendrimet dhe politikën e atij shteti në marrëdhëniet me një shtet të tretë. Zoran Zeav këputi frenat e gojës dhe deklaroi: “Unë kam marrë pjesë në shumë konferenca, ku kam parë se pala kosovare nuk ka as vullnet dhe as dëshirë për zgjidhje”.

Me këtë deklarim të ndërhyrjes flagrante në punët e brendshme të shtetit fqinj të Kosovës Shkupi kundërshton dhe atakon pozitën e Kosovës, e cila me të drejtë këmbëngul në njohjen reciproke midis dy shteteve në dialogun me Serbinë, këmbëngul në kërkesën që Serbia si shtet agresor duhet të kërkojë falje për krimet që ka kryer kundër popullit shqiptar të Kosovës, këmbëngul në mbrojtjen e sovranitetit shtetëror dhe të integritetit territorial të Kosovës si shtet i pavarur.

Pabesia e tretë diplomatike është propozimi i ri i habitshëm, që bën kryeministri maqedonoverior që Shkupi të bëhet mediator i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. “Maqedonia e Veriut është gati të ndërmarrë çdo nismë për zgjidhjen”,- deklaroi Zaev në 1 gusht. Së pari duhet thënë se është guxim i madh diplomatik që një mikroshtet si Maqedonia e Veriut të pretendojë të bëhet ndërmjetës i dialogut, i cili ka 10 vjet që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE. Mikroshteti maqedonoverior del dhe pretendon që të zëvendësojë BE dhe të bëhet ai promotor i zgjidhjes me ndërmjetësimin e tij çudibërës në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Është pak të quhet komike kjo ëndërr diplomatike e kryeministrit dhe e qeverisë maqedonoveriore. Së dyti, duhet theksuar se është vërtetë jashtë kufijve logjikë, diplomatikë dhe etikë që pretendenti për ndërmjetësim në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, kryeministri i Maqedonisë së Veriut shpall kandidaturën e ndërmjetësit në të njejtën kohë që sapo ka shpallur edhe anësinë e tij në favor të një pale, pra me Serbinë, dhe ka akuzuar e sulmuar palën tjetër, Kosovën për qendrimet në dialog. Kandidati i vogël maqedonoverior për ndërmjetësim, që ka veshur uniformën diplomatike serbe, po kërkon rolin e arbitrit ndërkombëtar në një ndeshje diplomatike për të cilën ai ka shpallur hapur se do t’ia japë ndeshjen Serbisë.

Natyrisht as mendja më e çoroditur nuk e çon nëpër mend se Shkupi mund të marrë ndonjë farë roli ndërmjetësi në dialogun Kosovë-Serbi. Por ajo që duhet të tërheqë vëmendjen është fakti dhe zhvillimi negativ se Maqedonia e Veriut dhe “Ballkani i hapur” serb janë lëshuar tani kundër Kosovës dhe qendrimeve të sajtë drejta në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Ky zhvillim negativ synon të plotësojë një nevojë diplomatike të Serbisë.

Maqedonia e Veriut dhe nisma serbe e “Ballkanit të hapur” janë angazhuar t’i vijnë në ndihmë Serbisë dhe presidentit serb Vuçiç. Janë dy momente kryesore ndërkombëtare, në të cilat Serbia dhe presidenti i saj e ndjejnë veten në pozitë të vështirë diplomatike dhe ndërkombëtare. Momenti i parë është dobësimi i pozitave të Serbisë në bisedimet me Kosovën pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021 të presidentit të ri amerikan Xho Bajden, i cili ka përcaktuar prerë vijën e përfundimit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës me njohjen reciproke midis tyre dhe për qendërzimin e dialogut Serbi-Kosovë pikërisht te kjo njohje reciproke. Serbia po e ndjen çdo ditë e më tepër presionin dhe lakun e faktorit perëndimor për mbylljen e konfliktit me Kosovën me njohjen e saj. Mbështetja fanatike, që Rusia po i jep Serbisë për agresivitet në rritje ndaj Kosovës dhe ndaj Perëndimit, më shumë e ka komprometuar Serbinë në arenën ndërkombëtare se sa e ka ndihmuar në planin  diplomatik. Serbia ka nevojë për alibira të reja për politikën e saj të bllokimit të bisedimeve me Kosovën dhe në këtë kuadër vë në lëvizje trekëndëshin e nismës së saj “Ballkan i hapur”. Në funksion të kësaj del kryeministri maqedonoverior dhe mbron publikisht Serbinë për dialogun dhe sulmon publikisht Kosovën. Lëvizja e Shkupit bëhet për t’i dhënë ndihmë diplomatike Serbisë që të ketë një argument të ri dhe t’i thotë SHBA dhe Perëndimit se “Ballkani i hapur” është me mua dhe jo me Kosovën.

Momenti i dytë ka të bëjë me Bosnje-Hercegovinën, ku kriza është acaruar ditët e fundit në shkallën më të lartë dhe ku Beogradi bashkë me ushtarin e saj të luftës “serpska republikën” po ndez zjarrin e një lufte të re ndëretnike. Është një vepër dhe vrap serb drejt luftës në Bosnjë, i nxitur edhe nga Rusia, ku agjencia ruse e lajmeve “Rosbalt” njoftonte në 29 korrik “ Ballkani në pragun e një lufte të re”. Dhe pikërisht në kohën kur Beogradi po vë bombat në Bosnje, kryeministri maqedonoverior Zaev deklaron në 1 gusht se me “Ballkanin e hapur” Ballkani nuk është më bombë me sahat, duke tentuar të fshehë politikën kriminale serbe në Bosnje. Maqedonia e Veriut dhe “Ballkani i hapur” serb përpiqen të largojnë vëmendjen e opinionit publik dhe diplomatik nga angazhimi direkt i Beogradit në destabilizimin e Bosnjes dhe ta paraqesin Serbinë si shtet i paqes në Ballkan.

Pabesia diplomatike e kryeministrit maqedonoverior ndaj Kosovës ushqehet nga dy burime. Burimi i parë është detyrimi i tij dhe i lobit serb në Shkup ndaj Serbisë. Mos harroni se Serbia e krijoi Maqedoninë si republikë në 1945, ndaj udhëheqja e Shkupit ndjehet e detyruar ndaj Beogradit. Ndaj dhe Zoran Zaevi në intervistën e tij me “Tanjugun” deklaroi se “ ne jemi popuj vëllezër”. Mos harroni se Maqedonia në planin ligjor dhe kushtetues ka piketuar një bashkim me Serbinë qysh në pyetjen e refendumit të saj për pavarësinë në 8 shtator 1991, kur i kërkonte popullit që të jepte miratim edhe për një bashkim në të ardhmen në një aleancë të shteteve jugosllave. Ndaj Shkupi e përqafoi menjëherë “mini Shengenin” si grupim i ri i udhëhequr nga Serbia. Siç analizonte në 31 korrik studjuesi rus i çeshtjeve ballkanike, Valeri Emeljanov, drejtor i Qendrës Ruse të Analitikës dhe Informacionit “Koha dhe bota”: “Aleanca “Ballkani i hapur” është për Serbinë rikthim i qartë te statusi i liderit rajonal, të cilin Serbia dhe serbët tradicionalisht e kanë patur në Ballkanin Perëndimor”.

Për fat të keq burimi i dyti i inkurajimit të pabesisë diplomatike të kryeministrit maqedonoverior është Shqipëria. Sepse Shqipëria është bërë pioniere fanatike e “vëllazërim-bashkimit jugosllav” dhe sulmon në mënyrën më absurde Kosovën se “qëndron te e kaluara dhe nuk sheh të ardhmen”, se duhet të bashkohet në aleancën e re me Serbinë, se “Kosova nuk merr shembull nga pajtimi franko-gjerman e të tjera profka hartimesh infantile. Shqipëria nuk e sheh traun e së kaluarës kriminale, ku është ngurosur presidenti serb Vuçiç, i cili nuk pranon as gjenocidin serb në Bosnje dhe as gjenocidin serb në Kosovë dhe nuk ka kërkuar falje. Pionierët qeveritarë të Tiranës, ngaqë nuk kanë pas kohë asnjëherë të lexojnë, nuk e dinë se përpara pajtimit të Francës me Gjermaninë me Traktatin e 1963, Gjermania i kishte kërkuar falje Francës për krimet e kryera gjatë pushtimit nazist. Gjermania i kishte paguar Francës reparacionet e luftës për vrasjet, shkatërrimet dhe dëmet e shkaktuara nga pushtimi nazist. Gjermania i ktheu Francës menjëherë që në vitin 1945 krahinën e Alzas-Lorenës, dhe vetëm pas këtyre hapave nisi pas afro 20 vitesh nga mbarimi i luftës pajtimi dhe bashkëpunimi i presidentit de Golme kancelarin Adenauer, i cili nuk kishte qenë ministër në qeverinë e Hitlerit, siç ka qenë Vuçiçi ministër në qeverinë fashiste të Millosheviçit.

Defacto Shqipëria, me pranimin e hyrjes në aleancën serbe të“mini Shengenit”, ka sanksionuar qendrimin serb të mosnjohjes së Kosovës si shtet i pavarur, sepse është pajtuar me pretendimin e Serbisë që Kosova të përfshihet me statusin e provincës serbe në këtë grupim dhe jo si shtet. Ministria e Jashtme  e Serbisë në deklaratën e dhënë për gazetën e njohur ruse “Izvestija” në 2 gusht thekson se “Ftesë për t’u përfshirë në“Ballkanin e hapur” i është drejtuar edhe përfaqësuesve të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse në Prishtinë”. Pra ky është statusi i provincës serbe, me të cilin Beogradi kërkon që Kosova të përfshihet në nismën serbe. Edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut, jo vetëm e dinë, por edhe e kanë pranuar këtë status poshtërues, dhe është fyerje kombëtare dhe mbarëshqiptare që Tirana dhe Shkupi i bëjnë presion Prishtinës që të hyjë si vasale serbe në “Ballkanin e hapur”. Dhe nuk ka faj Zoran Zaevi kur mbron vëllain Serbi, kur sheh që Tirana midis Serbisë dhe Kosovës zgjedh Serbinë.

Në këtë situatë bizantine të thikave diplomatike serbe kundër Kosovës me dorën e “Ballkanit të hapur” nuk mund të mos shtrosh pyetjen se çfarë qëndrimi ka dhe ku është faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut përballë kësaj pabesie diplomatike të kryeministrit maqedonoverior ndaj Kosovës. Faktori politik shqiptar ka gjithë atë pjesëmarrje në qeverinë e Zaevit, madje drejton formalisht edhe diplomacinë e Shkupit. Ka interes kombëtar të dihet nëse janë miratuar në qeveri në Shkup qëndrimet dhe pikëpamjet antikosovare të kryetarit të qeverisë. A nuk kërkon ky zhvillim negativ një distancim të qartë të faktorit politik shqiptar brenda dhe jashtë qeverisë nga kjo pabesi diplomatike e kryeministrit Zaev?

Çështja e pazgjidhur shqiptare në Ballkan, e cila ka aktualisht si përbërës të saj kryesor çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë, nuk shkon drejt zgjidhjes duke bërë lëshime e kompromise elektorale e pushtetore me faktorin politik maqedonas në dëm të çështjes kombëtare. Pabesia diplomatike e Zoran Zaevit ndaj Kosovës duhet konsideruar pabesi ndaj kombit shqiptar kudo që jeton ai, në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut./gazeta dita

Please follow and like us: