Albspirit

Media/News/Publishing

Qendra Wilson: Perëndimi të punojë për forcimin e sovranitetit të Kosovës

Uashington, 4 gusht 2021 – Qendra Wilson, me seli në Shtetet e Bashkuara, tha se forcimi i sovranitetit të Kosovës duhet të jetë në qendër të strategjisë amerikane dhe evropiane për integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Këto komente janë pjesë e raportit të kësaj qendre me temën “Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës: pse ka rëndësi dhe çfarë duhet bërë?”

Në raportin prej 18 faqesh theksohet se tani ekziston një mundësi unike për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës.

———————-

“Populli i Kosovës ka zgjedhur një qeveri me një shumicë të fortë parlamentare me një platformë antikorrupsion dhe progresive. Qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti kërkon mbështetje të fortë ndërkombëtare nga aleatët e Kosovës – veçanërisht Shtetet e Bashkuara dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, për të realizuar agjendën e saj të brendshme dhe për të konsoliduar sovranitetin e Kosovës”, thuhet në raport në të cilin janë hedhur edhe propozime mbi veprimet që duhet të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe NATO-ja si dhe vet Kosova dhe Serbia për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet të dyja vendeve.

“Mbështetja e ri-fuqizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, është e nevojshme për të realizuar qëllimin e statusit të pavarur, shumetnik dhe bashkëjetesës paqësore të shoqërive në Ballkanin Perëndimor. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ndaj këtyre parimeve; Serbia nuk është”, thuhet në raport në të cilin bëhet thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja “të përballen me qeverinë “gjithnjë e më autoritare të Serbisë dhe politikën e saj të jashtme destabilizuese”.

Raporti thekson se të shtyrë nga shqetësimet se Beogradi mund të binte nën ndikim më të madh nga Moska, vendet perëndimore janë orientuar t’i japin Serbisë një pozitë të privilegjuar midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Në vend të kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja duhet të këmbëngulin që Serbia të plotësojë të njëjtat standarde-për korrupsionin, kleptokracinë, demokratizimin, të drejtat e pakicave dhe bashkëjetesën rajonale, që u kërkohen të gjitha vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në raport, sipas të cilit, Serbia po lehtëson ndikimin në rritje të shteteve joliberale në Ballkanin Perëndimor. Rusia dhe Kina thuhet më tej, në veçanti po përdorin Serbinë si një mjet për të rritur fuqinë dhe ndikimin e tyre dhe për të dëmtuar arritjet perëndimore në rajon.

“Një angazhim i ripërtërirë për konsolidimin e sovranitetit të Kosovës është një mjet i qartë me të cilin partnerët e Kosovës mund të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj një partneri demokratik dhe një qëndrim parimor ndaj sjelljes joliberale dhe destabilizuese të Serbisë dhe kundërshtimin ndaj lidhjeve të saj ushtarake në rritje me Rusinë dhe Kinën”, thuhet mes tjerash në raportin e publikuar të mërkurën.

Në kuadër të propozimeve për hapat që duhet ndërmarrë nga perëndimi, thuhet mes tjerash se lehtësuesit e bisedimeve duhet të hedhin poshtë idetë për ndryshime kufijsh, të ripërtërihet përkushtimi ndaj një dialogu mes të barabartëve, të punohet për përfshirjen më të madhe të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe të hapet rruga për anëtarësimin e saj në NATO deri në vitin 2027.

Kosovës i kërkohet të sigurohet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv si dhe të punojë edhe për nxitjen e dialogut të brendshëm ndërmjet komuniteteve.

Raporti kërkon edhe vënien e drejtësisë dhe përballjen më të kaluarën të të dyja palëve, ndërsa i bën thirrje Bashkimit Evropian që t’i japë fund qasjes “neutrale ndaj statusit” të Kosovës.

“Nëse nuk merren masa domethënëse për të forcuar më tej sovranitetin e Kosovës dhe për të mbështetur shoqërinë e saj shumetnike dhe gjithëpërfshirëse, Kosova, në mënyrë paradoksale, do të simbolizojë dështimin e perëndimit”, përfundon raporti.

Please follow and like us: