Fritz RADOVANI: DON MIKEL KOLIQI PER AT MESHKALLEN
KARDINAL MIKEL KOLIQI (1900 – 1997)
Kur u lirue nga burgu Don Mikel Koliqi, nuk ishte ende Kardinal. Shkova një ditë per me marrë disa shënime rreth biografisë së Tij. Don Mikeli ishte nder ma të njoftunit klerikë për shumë rrethana të jetes së tij të salvueme pa shkak nga komunizmi diktatorial dhe totalitar i Enver Hoxhës. Koha e gjatë e burgut e rreshtonte edhe Don Mikelin ndër figurat ma të nderueme të Klerit Katolik Shqiptar. Kishte pak ditë që ishte aprovue nga Presidenti i Republikës së Shqipnisë titulli i naltë per Klerikun At Pjeter Meshkalla S.J., me medaljën e artë “Pishtar i Demokracisë”. At Meshkalla ishte i pari Klerik Katolik që dekorohej me at titull në Shqipni.
Mbas At Meshkallës, mendova se duhet me i plotsue edhe dokumentat e Klerikut po aq të Nderuem Don Mikel Koliqi, që porsa ishte lirue mbas 38 vjetësh burg pa dijtë pse u burgos.
Kur i tregova qëllimin e shkuemjes i erdhi mirë dhe, mbasi i tregova se në ato ditë dekorohet edhe At Pjetër Meshkalla, më shtrëngoi dorën me kënaqësi të madhe. Don Mikeli ishte ndër firmëtarët e peticionit dhe kur pat nënshkrue me gzim të madh më pat thanë: “Pader Meshkalla e meriton, mbasi ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën, na të tjerët nuk e kemi ba”. (1992)
Ndoshta, kjo asht një thanje e veçantë per At Meshkallën, po duhet cilsue se po aq e panjoftun asht kenë edhe ndër vendet tjera ku diktatura komuniste ka zhdukë mija e mija njerzë.
E kjo vepër e ban edhe ma të veçantë heroizmin e tij.
Po ato ditë pra, plotsova edhe dokumentacionin e Klerikut të njohun prej popullit të Shkodrës, Don Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës për një kohë të gjatë para 1944 e deri në 1946, kur u pat arrestue përherë të parë nga sigurimi komunist.
Don Mikeli ka lanë gjurmë të pashlyeshme edhe në muzikën tonë atdhetare. Shumë vepra të Tijat u vunë ndër skena deri në vitin 1946. Po mbi të gjitha duhet kujtue dhe asht kenë i pranishëm kudo nder vuejtje qëndrimi i Don Mikel Koliqit, paharrueshëm nga bashkvuejtësit e Tij, nder hetuesi e kampet e interrnimit si dhe burgjet e panumrueshme që ka kalue…
Kur e pata pyet: A i kujton kampet e interrnimit dhe burgjet që ke provue, më asht përgjegj: “Nuk besoj se i ka të sakta edhe arkivi… Janë shumë”! Kujtonte me saktësi vetëm dishmitarët dashakëqij dhe shpifsa… Gjithmonë me kusht “harrese”…
Medalja e Don Mikel Koliqit ishte e dyta që i jepej një Kleriku Katolik Shqiptar.
Në vitin 1994 Papa Gjon Pali II e thirri Don Mikel Koliqin në Vatikan dhe me një ceremoni madhështore e emnoi Kardial. Don Mikeli ishte Kardinali i Parë Shqiptar…
Kardinali Koliqi i përket asaj epoke të pafund në rrugen e mundimeve… Një Kalvar i vertetë!
Melbourne, Gusht 2021.