Ilir Levonja: Urrejtja ndërshqiptare e ditëve të sotme
Kurrë shqiptarët nuk kanë qënë kaq të përçarë, sa këto tridhjetë vite pluralizëm. Pakënaqësia është në temperaturën e vlimit, megjithatë protestat nuk janë të konsoliduara. Pakënaqësia është kthyer në zjarr, por kurrë nuk u shfaq një front i konsoliduar që të rrëzojë këtë qeveri, të nxjerrë një të ashtuquajtur teknike, që vendi të shkoj në tre palë zgjedhje normale, lokalet, presidenciale dhe të përgjithëshme. Kurrë nuk kanë qënë kaq të përçarë, për faktin se palët janë në një luftë frontale të hapur, ku të gjithë konsistojnë në kultin e individit dhe jo të demokracisë, Shqipërisë dhe klimës së afrimit me pjesën e epërme dhe natyrale të saj, Dardaninë, atë që fatkeqësisht i thërrasin Kosovo. Kurrë shqiptarët nuk e kanë urryer më shumë njëri-tjetrin se sa në këto tridhjetë vjetë demokraci, ku të ashtuqujturat pardesy të bardha, vazhdojnë ta dominojnë, duke hapur fronte thuajse të një lufte civile, aq sot kemi një Shqipëri sa otomane, sa e vitit 1913-të, sa filosllave, filo greke, filo italiane, me intriga ruso-staliniste, kineze, antiamerikane, e për rrjedhojë aspak shqiptare. Me që jemi te antiamerikanizmi…, nga pranvera e vitit 2018 kur administrata amerikane shpalli non grata peshqit e parë. Atë botë i forti Tom Doshi, antiamerikanët më të mëdhenj ishin ramistët. Pro amerikanë ishin ”djathtistët”. Madje pas shpalljes së dytë, atë të kryetarit të bashkisë së Durrësit, kryeministri i Shqipërisë, tha publikisht, nuk dua t’ia di për Amerikën, Gjushi është miku im. Tani që u shpall Sali Berisha, njësoj si Edi Rama sot fronti antiamerikan është i ”djathtistëve”. Vetëm ne nuk e mësuam se personaliteti lind prej gjestit individual. Sali Berisha bën mirë të sqaroj më parë shqiptarët se sa t’i fus ata në një antiamerikanizën enverian, me teoritë e Sorosit, ndarjes së Kosovës etj. Ai program i atëhershëm nuk ishte i kësaj qeverie, por i Donald Trampit. Të rrimë mënjanë e të flasim drejtë, kjo e majtë që qeveris sot, e çliroi Shqipërinë epërme apo Dardaninë, atë që ju e quani Kosovo. Kurrë nuk kemi parë një shoqëri gati të hajë shoqi-shoqin pikërisht sepse janë radhitur çmendurisht pas njëshave, a pardesyve të bardha, duke çnderuar po shoqi-shoqin, po me të njëjtat argumenta të cilat i kalojnë duarsh si armë të ftohta. Kurrë shqiptarët nuk kanë qënë kaq të fantaksuar pas njëshave, sa sot edhe pas tridhjetë vjetësh janë duke i dhjerë po shoqi-shoqit në kokë, janë duke u dhjerë edhe vetë, duke u rrënuar, madje duke ua ngrënë njëri-tjetrit. Kishin një diktator, tani kanë pesë a gjashtë. Shqiptarët shkapërdhehen me njëri-tjetrin, ata janë të gjithë fqinjë diku në një gji bregdeti, si ai i Lalzit. Madje pushojnë në ajër të kondicionuar, shqiptarët vet, nuk kanë as ventilatorë. Po dhe në pastë kush, nuk ka se ç’i duhet, mungojnë dritat. Pyetja është, a do dali sot një front i ri që të zbythi këta zhurmaxhinjtë e meritoshkërdhatokracisë, ku shqiptarët më parë se të mbrojnë njëshat, të duan veten, njëri-tjetrin, demokracinë etj.? Zor ta thuash, se po! Ke plot tetëmbëdhjetëvjeçar që shqyhen për mjekrrën e Ramës dhe pardesynë e Berishës, se sa për idetë e tyre bashkëkohore. Dështimin tonë e shikon thjeshtë, tek situata aktuale, zjarret. Jemi të gëzuar që po sjell Hollanda heliktoperë, vetë mbetëm tek fshesa e gjineshtrës. Shtypi i gjithë, jo rastësisht, si majtas dhe djathtas, merret me konferencën e Sali Berishës. Në fakt, borxhi publik ka kapur falimentimin kombëtar. Ku janë paratë? Shumë e thjeshtë, tek ata që në konferenca shtypi pështyjnë njëri-tjetrin, në mbrëmje janë fqinjë në Gjirin e Lalzit.