Kuvendi i Kosovës nuk miraton rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë. Për rezolutën e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërkaq 57 abstenuan. Ishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ata që abstenuan për miratimin e kësaj rezolute, ndërkaq në sallë ishin 83 deputetë. Rezoluta ftonte Qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Debati për këtë rezolutë ishte zhvilluar më 7 korrik. Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit. Përndryshe, rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik. Mosvotimi i rezolutës për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit nuk duhet të shihet si mosvlerësim i rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thotë për Radion Evropa e Lirë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje kundërshton nismën e ‘mini-Shengenit’ dhe ndarjen e resurseve me Serbinë për Liqenin e Ujmanit. “Janë dy parime përmbajtjesore. E para është që në asnjë mënyrë ose në asnjë formë mosmbështetja e kësaj rezolute sot nuk lidhet me mosvlerësimin e rolit të SHBA-së, e kundërta. Si Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeveria e Kosovës mbeten të përkushtuara në një partneritet strategjik, i cili është i veçantë për Kosovën dhe popullin e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne do të vazhdojmë me bashkëpunimin në të gjitha sferat në veçanti edhe në raport me procesin e dialogut. Parimi tjetër është që Kosova në dialogun nuk hyn si palë e cila duhet të konsiderojë se duhet të vazhdojë të bëjë kompromise të mëtutjeshme, por si dy shtete që do të diskutojnë për një të kaluar, ku Serbia ishte agresori dhe Kosova viktima”, thotë Kusari-Lila./rel