Fadil Sahiti: “ANTIKOSOVARIZMI” DHE “PORDHAT” PATRIOTIKE KOSOVARE
Nga zhurma e krijuar për këngëtarin serb G. Bregoviç, dy gjëra bien më shumë në sy: një lloj “antikosovarizmi” që sikur ka tendencë etablimi në Shqipëri, si dhe një farsë e kosovarëve për patriotizëm. Do të përpiqem t’i shtjelloj të dyja.
1.
Herë i shpërfaqur e herë latent, duket se në Shqipëri ekziston një lloj “anti-kosovarizmi”. Duke u përpjekur të mbrojnë tezën pse këngëtari serb (ata thonë se ai ishte i famshëm në botë!) duhet të këndojë në Korcë, nuk lënë pothuajse gjë pa thënë kundër kosovarëve. Në një anë lëshojnë jargë për këngët dhe kulturën serbe (arrijnë deri aty sa lavdërojnë edhe parfumet që përdorin serbët), nga ana tjetër sulmojnë kosovarët për primitivizëm patriotik. Në ballë të kauzës Bregoviç janë gazetarë, artistë, madje edhe profesorë universiteti. Kështu, në një nga postimet e tij, një profesor universiteti, ndërsa glorifikonte artistin serb, akuzonte kosovarët për degradimin e kulturës dhe muzikës shqiptare, si dhe për primitivizëm patriotik. I quante të egër dhe të paemancipuar. Ai fliste me përbuzje për gjuhën shqipe të Kosovës, e quante përzierje mes gegnishtes dhe serbishtes, madje fliste me përqindje shkencore – 40% e gjuhës së Kosovës thoshte se është serbe. Sigurisht, nuk mendoj se qëndrime të tilla përbëjnë opinionin dominues për kosovarët, por prapëseprapë është një tregues i rrezikshëm.
2.
Në Kosovë, kosovarët, përfshirë gazetarë, artistë dhe profesorë universitetesh, po përdorin çështjen e Bregoviçit për të shitur pordhë patriotike. Nuk përtojnë t’u mbajnë ders të tjerëve mbi atdhedashurinë. Ndërkaq, përvoja na thotë se ne kosovarët nuk treguam patriotizëm dhe atdhedashuri as gjatë luftës, veçanërisht pas përfundimit të saj. Nuk kemi lënë gurë pa lëvizur për të zhvatur prona dhe para publike. Prandaj, patriotizmi i kosovarëve është një farsë, një pordhë e ftohtë.
Gjithmonë do të ketë animozitet dhe ndarje mes krahinave shqiptare, derisa të ketë shqiptarë në tokë. Kjo ndarje mund të zbutet vetëm duke u njohur më mirë me njëri -tjetrin, duke pranuar se kemi dallime. Përçarja dhe armiqësia mund të zbuten veçanërisht përmes një sistemi të përbashkët arsimor, të reformuar dhe të bazuar në kulturën e mirëfilltë kombëtare dhe evropiane.
3.
Së fundi, diçka për armiqësinë serbo-shqiptare, a duhet të marrë fund? Personalisht mendoj se sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë për të dy popujt dhe për të gjithë rajonin. Prosperiteti ynë shoqëror është peng i këtij pajtimi. Por një pajtim i vërtetë duhet të fillojë me një kërkim falje të sinqertë nga pala serbe.
Ndëkaq, Bregoviç duhet të këndojë në Korçë. Nuk mund ta ndaloni “artistin” të performojë. Unë do të sillesha si artdashësit në Poloni, ose në disa qytete të tjera në Kroaci ku ka performuar ky “artist”, për të cilin thonë se nuk i intereson politika!
Please follow and like us: