Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: A do të mësojmë nga historia?

Debatet publike të ditëve të fundit na kujtojnë historitë e hebrenjve, që pasi i shpëtuan Holokaustit, emigruan në SHBA. Siç ishte e natyrshme ata shkuan dhe kërkuan mbështetje te komuniteti hebre. Siç është e natyrshme ata kërkonin që, pas gjithë atyre vuajtjeve, të mund të të hapnin zemrën, të mund të gjenin mirëkuptimin e vëllezërve të tyre të gjakut. Po shpesh ndodhi e kundërta: sapo ata fillonin të tregonin për tmerret e torturave, vrasjeve, për dhomat e gazit menjëherë i ndërprisnin dhe ju thoshin: Tani mjaft me këto! Ajo është e kaluara, mbylleni atë kapitull! Kur të mbijetuarit e Holokaustit mundoshin t’u shpjegonin se vuajtjet e tyre kishin qenë jashtëzakonshme hebrenjtë e SHBA shpesh reagonin me fjalët: Kujtoni se edhe ne këtu nuk kemi vuajtur gjatë luftës? Edhe ne e kishim benzinën me racion, madje kishte raste që na duhej të rinim në radhë për orë të tëra për të blerë benzinë për makinat tona! Kemi ndenjur muaj të tërë pa pirë kafe, edhe frutat, në shumë raste, ishte shumë vështirë t’i gjeje!

Jo rallë në sallonet e në takimet publike midis hebrenjve të SHBA dëgjohej muzika e Richard Wagnerit. Kur të mbijetuarit e Holokaustit u thoshin se nën tingujt e kësaj muzike ishin çuar me miliona hebrenj në dhomat e gazit përgjigjia që ata zakonisht merrnin ishte: Kjo është thjesht muzikë, harrojeni të kaluarën. Mos jeni mëndjengushtë! Harrojeni të kaluarën dhe shijojeni bukurinë e kësaj muzike magjepse!

U deshën vite dhe një punë shumë intensive nga personalitete të shquara të komunitetit të hebrenjve në SHBA derisa u kapërcye keqkuptimi dhe komuniteti hebre i Amerikës i hapi zemrën dhe të fillonte të dëgjonte të mbijetuarit e Holokaustit për vuajtjet e tyre, u deshën vite para se muzika e Richard Wagnerit të hiqej përfundimisht nga sallonet e hebrenjve të kulturuar të SHBA.

Kur analistëve u bëhet pyetja se përse ndodhi një fenomen i tillë, përse ndodhi ky reagim i komunitetit hebre të SHBA? Shumë nga analistët bijn dakort se përveç mungesës së informacionit, ndofta arsyeja kryesore ish mëndjemadhësia e hebrenjve të Amerikës. Ata kujtonin se ishin më të aftë të gjykonin për atë që kish ndodhur në Europë gjatë Holokaustit, sesa ata hebrenj që e kishin përjetuar atë. Të njëjtin fenomen ne e vemë re edhe tani në Shqipëri. Shumë vetë mendojnë se janë më të aftë të gjykojnë nga Shqipëria, me aq informacion të cunguar që ata kanë, për atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë regjimit të Millosheviçit. Nuk janë të paktë ata shqiptarë në Shqipëri që mendojnë se janë më të aftë se shqiptarët e Kosovës, që përjetuan mizoritë, të gjykojnë për muzikën, për personin e Goran Bregoviçit dhe për rolin që ai dhe muzika e tij luajti në luftrat në ish-Jugosllavinë e veçanërisht në Kosovë. Edhe fakti që ky këngëtar nuk është lejuar të japë koncerte në Poloni e Ukrainë për arsyen se me muzikën e tij hyjnizon e frymëzon ata që masakrojnë dhe ofendon viktimat nuk i impresionon. Disa na thonë se Goran Bregoviçi na qënka boshnjak e kroat, të tjerë shkojnë dhe më tej, na thonë se Goran Bregoviçi na i qënka kundërvënë Millosheviçit vetë. Po të ishte kështu përse Goran Bregoviçi jeton në Beograd? Si është e mundur që një person i tillë kaq tolerant e me kaq dashuri për shqiptarët ndjehet i qetë e në shtëpinë e vet në Beograd? Si nuk e persekutojnë Goran Bregoviçin në Beograd? Si është e  mundur që në Beograd nuk ka protesta kundër ardhjes së tij në Korçë? Se çfarë atmosfere tolerance mbretëron në Beograd, e sa dashuri ka atje për shqiptarët dhe nga kjo listë nuk përjashtohen shqiptarët e Korçës, e pamë me sytë tona në ndeshjen e futbollit midis skuadrës kombëtare të Shqipërisë dhe Sërbisë.

Po përse gjithë kjo urrejtje midis shqiptarëve e serbëve. Për hir të së vërtetës na duhet të themi se arsyet për këtë janë kryesisht në palën serbe. Që në fillimet e tij shteti serb u krijua mbi bazën e një ideologjie nacionaliste e raciste, u krijua mbi bazën e asaj ideologjie e cila më vonë lindi Nazizmin. Ndërmjet të tjerave në Serbi shpallej zyrtarisht se shqiptarët (të gjithë shqiptarët, jo vetëm shqiptarët e Kosovës) ishin një racë e ulët, shumë afër majmunit, ata madje kishin edhe bisht. Kjo u mësohej fëmijëve në shkolla, kjo ide shpallej e pranohej nga kleriku e gjithë aparati i kishës Ortodokse Serbe dhe ishte futur në të gjitha qelizat e shoqërisë sërbe. Madje faktin se shqiptarët kishin bisht mundoheshin ta argumentonin “shkencërisht” edhe gjuhëtarët serbë në konferencat ndërkombëtare. Gyshi im Koço Semini, i cili studjoi gazetari në Itali në vitet 1930 dhe pasi mbaroi studimet punoi si gazetar atje për disa vjet, më tregonte se edhe gjatë kohës kur ai punonte si gazetar ishte ndeshur me debate e argumenta të tilla “shkencore” nga ana e gjuhëtarëve serbë. Ata deklaronin shprehimisht në studimet e tyre, madje shpallnin hapur në takimet ndërkombëtare të gjuhëtarve europianë:

“Që shqiptarët janë një racë e ulët, racë e një faze tranzitore, shumë më afër majmunit sesa njeriut modern, për këtë nuk ka dyshim. Kjo vërtetohet nga fakti që ata kanë bisht. Fakti që shqiptarët kanë bisht nuk ka dyshim. Këtë e dëshmon dhe vetë gjuha e tyre: Përshëmbull për të shprehur faktin se një femër e tyre nuk është e ndershme në gjuhën shqipe thuhet “ajo është bishtdredhur” ose “ajo e lot bishtin”, përveç kësaj kur duan të kërcënojnë dikë përoret shprehja “rri urtë se ta këputa bishtin”, etj….”. Këto debate “shkencore” vazhduan deri vonë, deri sa më në fund, si pasojë e kundërshtimeve të ashpra që hasën në takimet ndërkombëtare, gjuhëtarët serbë hoqën dorë nga përpjekjet e tyre për ta bindur botën e qytetëruar se shqiptarët kishin bisht. Gjithashtu, po në këtë kohë dëshmohej se kur shqiptarët vriteshin në kohën e mbretërisë jugosllave trajtoheshin si kafshë. Kishte dëshmi për raste kur pasi shqiptarët vriteshin, xhandarët serbë mirrnin gjakun e tyre dhe e përzienin me bukën që ju jepnin zagarëve të gjahut.

Në planin shtetëror vrasja e shqiptarëve konsiderohej detyrë patriotike. Mbretërit serbë u thoshin ushtarëve të tyre: “Sa më shumë shqiptarë të vrisni e të shpërngulni, aq më të mëdha janë meritat tuaja ndaj atdheut”.

Ideologjia e shtetit serb ishte: “Çdo territor ku jeton qoftë dhe një serb është Sërbi dhe ne duhet ta pushtojmë”. Bashkimi i të gjitha territoreve ku banojnë serbët në një shtet të vetëm ka qënë gjithmonë ideali i mbretërisë serbe. Ky ideal shpallej qartë edhe në ideologjinë dhe madje vazhdoi të shprehej edhe në emblemën e Republikës së Serbisë edhe në kohën e Jugosllavisë në kohën e Titos. Në këtë kohë kur ideologjia zyrtare e Republikës Federative të Jugosllavisë ishte vllazërim-bashkimi (bratstvo-jedinsto) në emblemën e Republikës së Serbisë gjenje katër germa SSSS  që qëndronin si inicale për fjalët Samo Savez Sërbima Spasava (vetëm bashkimi i sërbëve na shpëton). Ky ishte ideali i Millosheviçit që u mudua të bashkonte me luftë në një territor të vetëm pjesë të gjëra të Bosnjës, pjesë të territorrit të Kroacisë si dhe Kosovën, u mundua të bashkonte me Sërbinë çdo territor ku jetonte një minoritet serb. Shumica e popullatës që ishte boshnjake, shqiptare e kroate duhej shpërngulur ose masakruar, pasi këto territore duhet të pastroheshin etnikisht para se t’i bashkoheshin Sërbisë. Të njëjtin ideal si Millosheviçi ka sot edhe Aleksandër Vuçiç. Edhe ai lufton të bashkojë me Serbinë të gjitha territoret ku banojnë serbët, edhe ai sot vazhdon pastrimin etnik të Luginës së Preshevës me mjete administrative.

Gjithashtu Kisha Ortodokse e Serbisë gjithmonë ka qënë në shërbim të idesë të Serbisë së Madhe. Teologjia e saj nuk ka bazë biblike po u formua në mënyrë të tillë si e si ti shërbente sa më mirë idesë së ekspansionit. Për të analizuar sado pak rolin e Kishës Ortodokse Serbe do të na duhej një artikull i veçantë. Megjithatë nuk mund ta lemë pa përmendur pasi Kisha Ortodokse Sërbe ish një nga shtyllat kryesore, në mos më kryesorja, që frymëzoi dhe inspiroi dhunën e gjenocoidin serb. Nuk është e rastësishme që njësitet vrasëse, njësitet më të errëta paramilitare që kryenin krimet më makabre, si simbol të njësiteve të tyre, si nderim ushtarak për identifikimin e njësiteve dhe të luftës së tyre kriminale të pastrimit etnik, ngrinin 3 gishta, një simbol i huazuar nga feja ortodokse, po i transformuar e i bastarduar në mënyrën më makabre nga teologjia e Kishës Ortodokse Serbe. Teologjia e Kishës Ortodokse Sërbe nuk ka asgjë Biblike, përkundrazi. Kisha Serbe ka adoptuar teologji të huazuara nga koha më e errët e Inkuzicionit duke e shëndruar kështu  kishën Ortodokse  Serbe në një institucion i cili shpërdan ide që Bibla i quan ide të Antikrishtit; ide e ideale që janë shumë të ngjashme me idetë e ISIT dhe të Alkaidas.

Nuk është e rastësishme që kriminelët që kryenin masakrat në Bosnjë e në Kosovë e quanin vetene tyre si shenjtorë, nuk janë të rastësishme që disa nga ata deklaronin se pasi të mbaronin “msionin“ e tyre do të shkonin të bëheshin murgj…

Po eja, le ta kapërcejmë këtë të kaluar, le t’i heqim doganat, le të vllazërohemi!

Dakort, po si? Si do të bëhet konkretisht? Meqë jemi duke folur për kishën serbe; le të shohom se çfarë na thotë Bibla: Mateu 3:

  1. Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë…
  2. Dhe thoshte: ”Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër”!

5. Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai..

6. dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.

7. Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t’u pagëzuar tek ai, u tha atyre: ”Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen”?

8. Jepni pra fryte të denja të pendesës!

10. Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.

Bibla na thotë se pa pendesë të vërtetë, pa pendesë që nuk ka vetëm fjalë e retorikë, po edhe fryte konkrete që tregojnë se pendesa është reale; nuk mund të ketë vllazërim midis kombeve. Këtë na tregon edhe përvoja historike e politikës botërore. Shqiptarët e Serbët nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull, nuk mund të vendosin paqe të qëndrueshme midis tyre jashtë këtyre parimeve universale.

Paqja e vllazërimi në Ballkan nuk mund të bëhet për sa kohë që në Serbi vazhdon të jetë kryeministër neo-Millosheviçi, Vuçiç. Paqja e vllazërimi midis Shqiptarëve e Serbëve nuk mund të bëhet as nën tingujt e muzikës së Goran Bregoviçit ashtu si nuk do të kish qenë e mundur të kish ndodhur pajtimi midis Izraelit e Gjermanisë në qoftë se në pushtet në Gjermani do të vazhdonin të ishin ish-ministrat e Adolf Hirlerit. Paqja e pajtimi midis Izraelit e Germanisë kurrë nuk do të mund të bëhej nën tingujt e muzikës të kompozitorit Richart Wagner.

Please follow and like us: