Iran: Fillon Gjyqi në Stokholm ndaj Hamid Noury për Masakrën e 1988
Të martën në kryeqytetin suedez Stokholm nisi gjyqi për Hamid Noury, një nga ekzekutuesit e masakrës së 1988-ës ndaj të burgosurve politikë.
Njëkohësisht me fillimin e këtij procesi gjyqësor, qindra mbështetës të lëvizjes kryesore opozitare, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), protestuan jashtë Gjykatës së Distriktit të Stokholmit.
Masakra e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë
Në korrik 1988, Lideri Suprem i atëhershëm i regjimit iranian, Ruhollah Khomeini, nxori një dekret ku deklarohej se të gjithë të burgosurit politikë që i qëndrojnë besnikë lëvizjes opozitare iraniane, Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), duhet të ekzekutohen. Fakte dhe detaje të mëtejshme kanë vërtetuar se regjimi e kishte planifikuar këtë masakër shumë kohë përpara se ajo të ndodhte.
Iran: Një Fetva që ua Mori Jetën 30,000 të Burgosurve Politikë në Masakrën e 1988-ës
Sipas fetvas së Khomeini-t, u formuan ‘Komisione të Vdekjes‘ në Teheran, si dhe anë e mbanë Iranit. Të burgosurit silleshin përpara Komisionit (me tre-katër anëtarë), dhe fati i tyre vendosej brenda pak minutash. Të burgosurit politikë që refuzonin t’i braktisnin idetë e tyre ekzekutoheshin.
Brenda pak muajsh, të paktën 30,000 të burgosur politikë u masakruan, 90 përqind e të cilëve ishin pjesëtarë të MEK. Viktimat, shumë prej të cilave i kishin bërë disa vite burg dhe e kishin mbaruar madje dënimin por nuk ishin liruar, varroseshin në varre masive të fshehta.
Pothuajse të gjithë liderët dhe zyrtarët e lartë të regjimit iranian kanë qenë të përfshirë në këtë masakër. Që atëherë, ata kanë gëzuar një pandëshkueshmëri totale.
Masakra e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë në Iran- Komisionet e Vdekjes-5 gusht 2021
Kush është Hamid Noury?
Hamid Noury (i njohur gjithashtu si Hamid Abbasi) ishte një nga ithtarët e regjimit i përfshirë në masakër si asistent i Zëvendës Prokurorit në burgun Gohardasht të Karaj (në perëndim të Teheranit). Ai ka qenë ekzekutuesi i një numri të madh të burgosurish. Disa vjet më parë, Rezistenca Iraniane e identifikoi atë si një nga autorët e masakrës së 1988-ës.
Përpara kësaj, ai ka qenë anëtar i Gardës Revolucionare (IRGC) dhe për shumë vite ka marrë në pyetje e torturuar të burgosurit në burgun famëkeq Evin në Teheran. Në 1988-ën, Noury u transferua në burgun Gohardasht të qytetit Karaj, në perëndim të Teheranit, ku luajti një rol aktiv në masakrën ndaj të burgosurve politikë, sipas dekretit të liderit të atëhershëm suprem Rouhollah Khomeini.
Noury kishte veçanërisht për detyrë t’i drejtonte të burgosurit tek “Komisioni i Vdekjes” dhe që atje, drejt vendit të ekzekutimit në burg. Ai i ka ekzekutuar personalisht disa të burgosur. Shumë dëshmi nga të mbijetuarit e masakrës konfirmojnë se ai u thoshte mbështetësve të PMOI-së se të gjithë ata që vazhdonin ta mbështesin PMOI-në do të ekzekutoheshin. Për t’i thyer moralisht të burgosurit, ai nganjëherë shpërndante ëmbëlsira pas ekzekutimit të një grupi të burgosurish.
Arrestimi i Hamid Noury në Suedi
Në nëntor 2019, pas vizitës së tij në Suedi, ai u arrestua nga autoritetet suedeze. Pas 21 muajsh hetime, u ngritën akuzat kundër tij më 27 korrik 2021. Procesi gjyqësor ndaj tij është planifikuar të nisë më 10 gusht.
Gjatë hetimeve, anëtarët dhe mbështetësit e MEK, që kanë qenë dëshmitarë të krimeve të kryera nga Noury, kanë dhënë dëshmitë e tyre përpara autoriteteve suedeze duke ofruar prova e dokumente të shumta. Pjesa më e madhe e palës paditëse të përbërë nga 35 persona në çështjen e Noury janë anëtarë e mbështetës të MEK. Shumë prej tyre kanë qenë dëshmitarë të pranisë së Noury në korridorin e vdekjes të burgut Gohardasht, ku të burgosurit viheshin në radhë për t’u çuar në sallën e ekzekutimit.
Aktakuza
Prokurorët në Gjykatën e Distriktit të Stokholmit kanë paraqitur një aktakuzë kundër Hamid Noury më 27 korrik 2021. Hetimi është mbikëqyrur që në fillim nga Prokurorja e Lartë Publike, Kristina Lindhoff Carleson. Aktakuza i referohet fetvas (urdhrit fetar) të lëshuar nga lideri suprem i atëhershëm i regjimit, Ruhollah Khomeini, që deklaronte se “të gjithë të burgosurit në burgjet iraniane të cilët ishin pjesë apo simpatizantë të Muxhahedinëve dhe që mbeteshin besnikë ndaj ideve të tyre, duhej të ekzekutoheshin.
Pak kohë pas kësaj filluan ekzekutimet masive të mbështetësve/simpatizantëve të Muxhahedinëve që mbaheshin në burgjet iraniane.”
Sipas aktakuzës, “Nga 30 korriku 1988 deri më 16 gusht 1988, Hamid Noury, si asistent prokuror apo me ndonjë rol tjetër të ngjashëm, në bashkëpunim me autorë të tjerë të krimit në burgun Gohardasht në Karaj, Iran, ka ekzekutuar një numër të madh të burgosurish që ishin anëtarë apo simpatizantë të muxhahedinëve.
Aktakuza dhe dosja e çështjes përmbajnë tekste të intervistave dhe dokumente që dhjetëra anëtarë e simpatizantë të MEK kanë paraqitur si dëshmitarë apo paditës në intervistat me Prokurorinë. Intervistat me 16 anëtarë të MEK në Ashraf 3 të Shqipërisë janë kryer përmes video-konferencave, ndërsa intervista të tjera janë kryer ose personalisht në Suedi, ose në vende të tjera përmes video-konferencave. Këta individë janë të mbijetuar të kësaj masakre, të cilët kanë qenë dëshmitarë të krimeve të kryera nga Hamid Noury në korridorin e vdekjes të burgut Gohardasht gjatë masakrës së 1988-ës, ose janë familjarë të të ekzekutuarve.
Thirrje për Hetim Ndërkombëtar
Raisi, Kasapi i Masakrës së 1988-ës në Iran
Më 3 shtator 2020, shtatë Raportues Specialë të Kombeve të Bashkuara u shkruan autoriteteve iraniane një letër ku thuhej se ekzekutimet jashtë-gjyqësore dhe zhdukjet me forcë të 1988-ës ndaj mijëra të burgosurve politikë “mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit.” Në letër shtohet se, nëse regjimi “vazhdon të mos pranojë t’i zbatojë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë masa për t’i hetuar këto çështje, përfshirë me anë të nisjes së një hetimi ndërkombëtar.” Sekretari i Përgjithshëm i
Amnesty International tha në një deklaratë më 19 qershor 2021: “Fakti që Ebrahim Raisi është ngritur në postin e presidentit në vend që të hetohet për krime kundër njerëzimit është një kujtesë e errët se pandëshkueshmëria ka pushtet absolut në Iran.
Javaid Rehman, Raportuesi Special i OKB mbi situatën e të drejtave njerëzore në Republikën Islamike të Iranit, tha më 29 qershor 2021, se gjatë viteve zyra e tij ka mbledhur dëshmi dhe prova për ekzekutimet e urdhëruara nga shteti ndaj mijëra të burgosurve politikë në 1988-ën. Ai tha se zyra e tij është e gatshme t’i ndajë ato nëse Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB apo ndonjë organ tjetër do të fillojë një hetim të paanshëm, duke shtuar: “Është shumë e rëndësishme tani që Z. Raisi është president, që të fillojmë të hetojmë se çfarë ka ndodhur në 1988-ën dhe cili ka qenë roli i individëve.”
Në maj 2021, një grup prej mbi 150 personash të përfshirë në fushata për të drejtat njerëzore, duke përfshirë ish-zyrtarë të lartë të OKB, laureatë të çmimit Nobel, dhe ish-kryetarë shtetesh e qeverish, bënë thirrje për një hetim ndërkombëtar mbi vrasjet e 1988-ës.