Albspirit

Media/News/Publishing

Ana Mehmetaj: Mbrëmë të kam parë në ëndërr, daja im!

U bënë 21 vjet që nuk jeton mes nesh sepse u vrave pabesisht thjesht dhe vetëm se ishe një veprimtar e luftëtar i LDK-së.

Ti nuk jeton fizikisht, po je i përhershëm në familjet tona, në dhjetra familje të tjera që patën fatin tënd, nuk u vranë nga dora e hasmit, por nga dorë shqiptari sepse i përkisnin një formacioni tjetër politik. Akoma më shumë familje ju nderojnë ju.

Shqiptarët e Kosovës patën përballë një shtet përbindësh që vrau, masakroi, përdhunoi, shpërnguli me mijëra vetë, por brenda këtij krimi të madh shtetëror serb, pati edhe krime të tjera, që asnjëherë nuk u zbuluan dhe asnjëherë nuk u vunë para drejtësisë.

Por krim krim është në çfarëdo rrethane të jetë kryer dhe kundër kujt është bërë. Ndaj unë s’do rresht asjëherë, daja im, që ekzekutuesit e tu të shkojnë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Vendi im, shteti më i ri i Europës ka shumë sfida përpara, por një sfidë më vete është edhe dënimi i krimeve të luftës dhe të pasluftës sepse kështu do të kemi një shoqëri më të mirë, më të drejtë, më njerëzore!

I paharruar kujtimi i dajës sim dhe i dhjetra të tjerëve të vrarë pabesisht!

 

 

Please follow and like us: