Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: 48 ORË ME “KRUSHQIT NGA VLORA”

15 vite më parë, do të ndodhesha në Suharekë të Kosovës, në një juri festivali teatror me të ndjerin Adriatik Kallulli dhe me kolegun e mikun tjetër Josif Papagjoni. Dhe, na kishte sjellur në një gjendje gazi të pazakontë komedia greke “Krushqit nga Tirana”, të autorëve Mihalis Repas dhe Papathanasiu, që artistët e teatrit të Vlorës “Petro Marko”, në regjinë e Jorgaq Tushes e kishin adoptuar me titullin “Krushqit nga Vlora” e do të “rrëmbenin” aty edhe flamurin e këtij festivali. E, s’ka pak ditë qe unë do të ndodhesha përsëri në rrethana të përafërta, jo në Kosovë, po brenda në Vlore, i ftuar nga “Krushqit (real) nga Vlora”, në një kremtim kortezie të gjyshit të nuses së djalit tim, tashmë në Gjermani, Aleksandrit, me rastin e 40 ditëshit të largimit nga jeta të gjyshit Vangjel Piperi. Kështuqë, më duhej të veja në rrethinat e Vlorës nëpër “vapën afrikane” të fillim gushtit, përmes tymit të zjarreve të Karaburunit që kërcënonin edhe llogorain, tek kaloja “bumin turistik” të bregut Orikum -Vlorë,-megjithatë- e të zbrisja nga një korierë e tejpopulluar tek “Sheshi i Flamurit” , me një bazament të shkallmuar! Kryeministri ynë i nderuar,- më thanë se kishte shfaqur, së fundi edhe një ide, për rikonstruksionin e këtij sheshi historik, kur kishte “mbirë” (?) aty, edhe një pallat i stërmadh!
Një kafe në verandën e hotel “Alpinit” që e kishte ndërtuar e bija e mikut tim, shoferit të makinerive të rënda, shkrimtarit për fëmijë Ferhat Çakëri, do më sillte në vete, si mua ashtu edhe “Arëzën” time që e kisha me vete, bashkë me dy krushqit që më pritën, me të cilët më kishte “lidhur” im bir. Ai ishte dashuruar e martuar, me vajzën më të bukur të ktyre anëve, Joanën, nga fiset e nomadëve të fundit që kishin populluar Armenin, Selenicën, Mekatin e Dytë, Llakatundin e më përtej akoma. Mirëpo krushqit e mi,- vlonjat tashmë edhe ata-, sa kishin mbritur nga Gjermania , ku edhe jetonin e punonin e kishin ardhur, po për kortezinë, në të dyzetat e Vangjell Piperit, të sapo larguar nga bota! E gjithë puna, merrte rëndesë të madhe, sepse, i ndjeri, ishte i ati i vjerës tonë te dashur e fort të nderuar nga Mekati i Dytë, Klarida Piperi. I shoqi, vjerri i tim biri, nga Armeni, ishte një nga ata vllehë të zotë, që ndryshonte kryekëput me personazhet e mikut tim , shkrimtarit Thanas Medi, përsa i takon qytetërimit, evokuar në vetëdijen e tij, për një jetë perndimore të shkëlqyer,-gjë që do e rrëfente më së miri edhe shtëpia e tij në Armen, ndërtuar afro një shekull më përpara,krejt ndryshe nga ngrehinat e kasollet e dikurshme të Vllehëve , që e mbanin katandinë e tyre në samar të mushkave dhe si jorgan kishin vetëm qiellin…Ai ishte , si ta themi më mirë: një “Kockë e Fortë”, dhe mbiemri i kishte mbetur Kotcka!
Krushku Virion Kotcka, pra, na pa të lodhur e të mjeruar nga rruga e, meqënse procesioni i trishtuar bëhej të nesërmen e asaj dite, na fton të hypim në makinën e tij “4X4”, me të cilën kishte udhëtuar që nga veriu i Gjermanisë, në kufi me Hollandën, për të ngrën nje drekë në Zvërnec!. Do t’i bindeshim “Krushkut nga Vlora” se s’bën e do të kisha përsëri rastin të rikujtoja një piknik që pata bërë me dy nga miqt e mi , para 50 vitesh, me aktorin Albert Verria, shokun e bankës në Shkollën e Lartë të Aktorëve, si edhe me gazetarin Irfan Bregu,-ndjesë paçin që të dy,- ne atë “kupolë pylli” mbi manastirin e famshëm të Shën Mërisë. Një erë e çmëndur që po frynte, nga ana e Karaburunit , si për të na i prishur gjëndjen shpirtërore, qetsinë e oreksin, bashkë me vështrimin e trishtuar nga ana e detit që shkumote, me erën dhe tymin e dëndur të zjarreve që po i aviteshin parkut magjepsës së Llogorasë, nuk na lejonte të uleshim asgjëkundi restauranteve të atyre anëve, po veç brënda tyre, ku edhe aty qe e vështirë të gjëje një tryezë të lirë, nga porositë e shumta të turistëve të jashtëm e të brëndshëm….Na duhej që të ktheheshim mbrapsh, të paktën me një soditje nga ura me drasa e manastirit të Zvërnecits rrëzë atij gjelbërimi të dëndur të ishullit mahnitës , ndërkohë që krushku Kotcka, më fliste i trishtuar , se si në kohën e diktaturës , e kishin kthyer vëndin e shenjtë në pulari!
Ditën e përsiatjes fetare, në të dyzetat e ikjes nga jeta të Vangjel Piperit , në verandën e shtëpisë së tij në fshatin Mekati i Dytë, u mblodhën burrat veç e gratë brënda. Po zakonet njerëzore janë të njëjta: përmënden një e ngë një bëmat e të ndjerit dhe më pastaj shpalosen edhe hallet që u “kanë zënë këmbët”, ashtu si janë ato, palë- palë. U tha se i ndjeri qe “fort i ndershem “, aq sa e kishin zgjedhur edhe gjykatës popullor dhe mbahej mend si “i paanshëm”, sidomos kur i duhej të gjykonte,- në një rast të veçantë,- edhe të atin!”Si e ke emrin, shoku?”,- i kishte thënë të atit, kur ai duhej të përgjigjej para trupit gjykues…I ati kishte shtangur, po pastaj e kishte kuptuar se i biri qe i rreptë e nuk të falte ndër gabime e faje, parimor e konseguent…E kështu do të ishte i ndjeri, edhe si financier në administratën e djeshme..Ata flisnin dhe i hidhnin sytë edhe nga kopshti i shtëpisë , që i kishte mbetur,-megjithatë,- të ndjerit, ujdisur me merak, që nga lulet e gjer tek pemët e shumllojshme dhe hardhitë e mbjella, me varjetete të ndryshme….Më pastaj , krushqit e mi do e “krrenin llafin”, tek dhimbja e tyre më e madhe: tek rrugët për ibret. Banorët e Mekatit të Dytë, e kishin vën re se askush nuk e “çante kokën” të shtronte rrugën e tyre, me atë mendim të mbrapsht, se “vllehët janë, të pa ngulur në një vënd, herë këtu e herë atje, me mushkat e tyre, që sot ngritën ca “binara” në Meketin “e Parë e të Dytin” e nesër do ngrëjnë “të Tretin”, pra, qe “mëkat i madh” tu bëje këtyre “endacakëve” edhe rrugë gjer në Vlorë!?”. Mirëpo, ç’farë ndodhi? Të gjithë vllehët u bënë në një mëndje dhe, banorët e dyqind shtëpive të Mekatit të Dytë, dolën në një grevë që zgjati plot një muaj, përjashta, në diell e në shi, i madhë e i vogël, gjersa errdhën nga “Qendra” dhe e shtruan rrugën e fshatit të tyre… Ish Kryeplaku Mihal Ordolli thoshte se “Kjo rrugë qe kthyer në “mjerim” për banoret” e ja tek u bë, pas protestave tona. Dhe mua mu kujtua këngetarja çapkëne nga Llakatundi, Aurela Gaçe, e cila, kur i dorëzoi Bashkia e Vlorës, çertifikatën “Personaliteti i Vitit” në sallën e Teatrit “Petro Marko”,- doli në skenë dhe i tha Kryetarit të Bashkisë që rinte në llozhë se , nuk kishte si t’ia shpinte gjyshes së saj, gjeri në Llakatund këtë “Çertiikatë”, që të gëzonte, edhe ajo,-kur ajo e banorët e LLakatundit, mezi venin e vinin nga Vlora, tërë jetën e tyre, me ato rrugë “të maallkuara” e gropa gropa. Kështu “qau” këngëtarja e njohur, e vlerësuar si “personalitet” në qytetin e saj, gjersa u bë rruga nga Vlora deri në Llakatundin e saj. Po krushkut Myqerem Memushaj, 17 vjet mësues në ato anë, po edhe bletëritës, -nuk “ia kishin vërshëllyer aspak, kur thoshte nëpër mbledhje se “është pardoksale që të ekzistonte akoma, ajo copë rrugë e tmerrshme, me gropa shumë, që nga Selenica e gjer ne Peshkëpi, e berë “copë-copë”, nga makinat e tonazhit të madh, që transportonin serën e Minierës se Selenicës, për të shtruar rrugët e botës”! Dhe Krushku im i parë, Kotcka,i ati i nuses se djalit tim,- më thote se “kështu ka qënur , kjo “hata e madhe” që kur ishte djal i ri dhe vinte të takonte të dashurën e tij, në Makatin e dytë,gjersa e mori nuse në Armen, duke e “prerë udhën e perëndisë” nëpër deltën e Lumit të Shushicës, që në verë thahej i tëri e në dimër përmbyste tokat e tyre, gjeri në themelet e shtëpive, kur lumi bënte hatanë, sidomos kur bashkohej me Vjosën pak më tej…
Natyrishte,-thonin ata,- që ajo autostrada që po bëhej e mire dhe e bukur, Lumit te Vlorës, për të dalur në det, Bregut të Poshtëm, nga ana e Kurvelesht , qe një “ogur i mire” edhe për këta banorë vllehësh,-nomadësh të fundit-që ishin shtrirë, me bina e katandi, në Selenicë, Armen, Llakatund, Lubonjë, Mekati i Parë dhe i Dytë, Peshishtë, Pestrovë, Bunavi etj, të cilët bënë banesa edhe buzë Shushicës e Vjosës, kudo ku gjenin një copë tokë, pa e menduar gjate se do të vinte një ditë e do i grryent lumi edhe tokat e mbjella, me grurë e me misër! Dhe janë po këta njerëz nomadë që kanë vuajtur e vuajne akoma edhe për rrugët ndërlidhëse, fshat me fshat e fshat-qytet e që, jo pak herë,- janë harruar nga pushteti vendor e nga shteti i tyre!. Dhe që trishtohen kur u ikin njerzit e tyre si dikur, jo më me mushka e me samarë ngarkuar, po me këmbë, makina e avione, pa shumë gëzime, ndaj edhe shtegëtojnë, mërgojnë nëpër botë, për ta bërë jetën ca më të mirë e më të lehtë, si njerëz të lirë që janë. Krushku im nga Armeni Virion Kotcka, ndodhet tani në veri të Gjermanisë , në kufi me Hollandën. Krushka, bashkëshortia e tij Klarida, e bija e Vangjel Piperit nga Mekati i i Dytë, ku edhe erdhëm sot për ngushëllim,e ka shtëpinë,-sikunder tham, në qendër të Mekatit të Dytë. Përball shtëpisë, tek sheshi, e kishte dyqanin e së ëmës, e shoqia e vet Alma Gerveni që banon sot në Varkiza të Greqisë dhe ka hapur një dyqan të vogël, buzë rruge, në Koropi të Athinës, atje ku banoj dhe vete edhe unë, për ta pirë kafen çdo mëngjes…
Se janë të hapura tani edhe “udhët qiellore”… Veç, nuk kemi më, vetëm komedi, si tek “Krushqit nga Tirana!” e ata “nga Vlora”, po edhe libra e romane të ndryshme për vllehët, për krushqit tanë shumë të respektuar e të dashur, drama e tragjedira, tashme pa mushka, nëpër UDHËT E BOTËS që janë të pafundme …..
Shkruar në Armen të Vlorës e në Piqeras të Himarës, në javën e parë të gushtit 2021.
Please follow and like us: