Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: HAJRIJE RONDO NË BRONX!

Delvinë, më 13 gusht 2021. Fotografia nga Vladimir Kodhelaj.
Kjo është Hajrie Rondo, vajza e Veizajve të Delvinës që deshi të bëhej aktore, u bë aktore, shkëlqeu si e tillë e mbeti, si e gjallë në bronx, nga duart e arta të skulptoririt sarandiot Kreshnik Xhiku, me nënë delvinjote edhe ai… Unë tani qëndroj me dhimbje të thellë, përpara bustit të saj, si një udhëtar i zakonshëm i artit. Befasohem që ajo nuk është më, po gjithsesi është po aty, e fiksuar në bronx, në memorjen tonë, në celuloid, ndër njëqindegjashtëdhjetë rolet e saj të paharruara. Si personazhe e role të gdhëndura në Altarin e Artit, si figura njerëzore të papërsëritshme…
Ajo u vendos këtu, përgjithmonë, në qytetin e vogël që e lindi, para Pallatit të Kulturës, nga e nisi jetën e vet të aktrimit, përmes një ceremonie të të thjeshtë e të madhërishme njëherësh, mbuluar nga çarçafi i bardhë, nga lulet, palmat e ca fëmijë që buzeqeshin ëngëllisht, në prani të artdashësve të Delvinës dh te pushtetarëve vendor që patën fisnikërinë ta shpallin vajzën e tyre si “QYTETARE NDERI”, në vitin 2008, që në gjallje të saj! Rastisi që ta mësoja këtë event kulturor, -inagurimin e një busti për ARTISTEN E MADHE,-nga vet Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Z. Ardian Gurma, tek i cili vajta për ta falenderuar për ndihmesën që na dha, për ta zhvilluar në Bistricë promovimin e dy librave të mia, atje ku e dëshironte ish nxënësi im Karafil Shena, ku me siguri do të qe edhe Hajria, studentja ime e mrekullueshme, edhe AJO, ashtu sikundër na vinte kurdoherë në promovimet e serisë së antoologjisë letrare të BREGUT: “Shtigjet e Vëndlindjes”, në Lukovë e në Himarë. Dhe më ngjante e pabesueshme që nuk do ta kemi më atje, duke e dëgjuar zërin e saj të ngrohtë, me aksentin jugor, të folurën e saj energjike e të vrullshme… Sa e sa vajza, gra e nëna, realizoi ajo në skenë e në ekran, që janë me plot jetë, po edhe karaktere të mirfillta. Hajrie Rondo ishte njera nga ato personalitete të artit, që solli aq natyrshëm kaq shumë figura artistike e të vërteta, që pëlqeheshin, figura vajzash e grashë, me botë të brendshme, ekspresive, që të “çkulnin nga vëndi”!… Ti ikje nga salla e teatrit dhe ajo e kinemasë, dhe merrje me vete imazhin e figurës së saj, të mbetej në shpirt humori, po edhe tragjizmi, kur e donte puna…
Sa të vështirë e patëm ne, në nje Juri Teatri, në Festivalin Ballkanik të Vlorës, kur ajo u përball në skenë me Margarita Xhepën dhe ne, me në krye Artistin e Popullit Birçe Hasko, nuk dinim se kujt do t’ia jepnim çmimin e parë: Margaritës apo Hajries!? Se ato ishin, thuajse të barabarta, për nga forca e interpretimit, po edhe nga paraqitja e madhështisë së figurës së gruas shqiptar, në çaste tragjizmi, si një sugjestion e vlerë universale. Dhe e ndamë çmimin përgjysmë, të barabartë si vlerë arti e hak pune krijimtarie, të papërsëritshme, -gje që Diva Shqiptare Margaritë do ta miratonte me kënaqësinë më të madhe e fisnike, njerëzore… Në mosha krejt të ndryshme , po në përvojën e artit e të talentit, njëlloj të barabarta!…
Unë tani, e shohe me vëmëndje këtë Hahjrie në bronx, të skulptorit Kreshnik Xhiku dhe vë re, vajzën e roleve të para te saj, freskinë e emocioneve femërore, si një drithmë e ëmbël që shpërndahet si rezatim hyjnor, me po atë flladitje jugore të erërave, po edhe me lirizmin e një poezie, që buron nga krejt fizionomia e figurës. Busti duket sikur kërkon të flas përsëri e përsëri do të flasë. E mua do të më kujtohej ajo që tha në Himare, herën e fundit se, e paskesha ndihmuar vajzën e Veizajve, që në pragun e jetës, kur dokumentat e saj diku kishin ngecur “sirtareve” e “lufta e saj”, tok me dëshpërimin e këmbënguljen, do të vazhdonin gjer në zgjidhjen e tyre, sa të hynte në atë shkollë që i “digjte shpirtin” dhe e ndoqi , gjersa ariti ato vlera që “zienin” brënda personalitetit artistik të saj! E AJO do të na i kujtonte, kur ne e kishim haruar këtë, bashkë me kohën që e tejkalua për njerëzit dhe për artin e saj të shenjtëruar… m… Dhe do të kemi tani, në galerinë e saj të krijimit ato figura artistike mbresëlënëse, që përfshijnë të gjitha gjinitë a artit skenik, po edhe të të gjitha moshave njerëzore, që nga Tana çamaroke dhe e papërsëritshme e Çajupit e gjer tek gruaja dinjitoze e skulpturore e rilindasit të shquar të dijes, Petro Nini Luarasit!
Dhe busti prej bronxi i Hajrie Rondo Veizaj do të vazhdoj t’u flas delvinjotëve e udhëtarëve të artit, si puna ime, me po atë modesti e dashuri që AJO kishte.
Please follow and like us: