Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: AnnaMaria nuk duhej të ikte kaq shpejt

Tregim

Nuk di si u gjenda në një dhomē, pas njëzet e tre vitesh me AnnaMarien, ndërkohë që qepallat më rëndonin dhe kisha dhimbje të forta koke. I vetmi kujtim, ndonëse krejt i trubullt, ishte aroma e lëkurës së saj. Drizërishtë e ëndrrës a fërgëllimë frike, nuk po kuptoja se ç’po ndodhte! As përqafime të ngrohta, as shkëmbime premtimesh dashurie, puthje në cep të gushës apo ndonjë shenjë tjetër që të mbetej në kujtesë e të zgjohej papritur atë natë. Vetëm flokët e saj gështenjë, të dendura dhe ajo qafë e hollë që ngjante se do këputej nga çasti në çast, më vinin prej larg si vegim i zhytur në mjegull. Gjithçka kishte ndodhur në heshtje. Ajo kishte hyrë tinës në dhomë, pa marrë as leje dhe as mirëkuptimin tim, pikërisht në çastin kur dhimbja e kokës ishte bërë torturuese dhe një tik, tik, tik, si çekic druri, po më godiste mbi zverk.

Ç’dreqin kêrkonte AnnaMaria në këtë hotel gati 3000 km larg vendlindjes së saj?

A mos e kam ftuar unë në festën e Hallouinit dhe paskam harruar?

Dëshiroja të ikte. Nëse nuk ikte, duhej ta dëboja. U ngrita dhe desha ta kap për krahu e ta nxjerr jashtë.

Prit – sikur foli zëmekur dhe shtrëngonte duart fort për të mos ia parë unë që ato po i dridheshin.

A nuk do të shpëtosh një shpirt? Ç’ishte ai vështrim aq i guximshëm përballë nënshtrimit? Ç’kushtojnë pesëdhjetë a njëqind fjalë për të shpëtuar një shpirt? – qortova befas veten. Ç’dija në të vërtetë unë për qiellin, ferrin e parajsën?

E ula në anë të krevatit, në krahun e majtë të nënkresës. Nuk desha t’ia lëndoja shpirtin e drobitur, kur më pyeti:

-Si më kujton ti?

E vështrova ngultas nën dritën e zbehtë të perdeve dhe i ktheva mbase përgjigjen më të pakuptimtë të njeriut: Kishe ritëm të mirë leximi, vetëm se gjithnjë fjalët e tua tringëllinin, si trokitjet e gishtave në kanën e ujit bosh!

Nuk ishte mënyra e duhur për të përshkruar një femër. Ndjeva pendesë për cinizmin. Ajo u tkurr. U ngrit dhe u mbështet në dritare. Qëndro aty sa të duash, – mendova hakërrimën e zemërimit, që nuk e lëshova. U mbulova si munda me batanije pasi ndjeja të ftohtë, në pritje që gjumi të vinte.

Ishte e kotë.

Gjumi më kishte braktisur.

Pasoi heshtje e thellë.

Thellësi e heshtjes që erdhi pas klithmave të dhembjeve që prisnin, por nuk shpërthyen, sikur ia zbrazën ajrin dhomës.

Gati u asfiksova. “A ishte ajo një xhinde a shtrigë dhe s’po e bëja dot zap? Kujtesa nuk po gjente dot asnjë fjalë për të spjeguar rrethanën, kuptimet, për të ndërtuar të paktën një histori tjetër, shemër, apo një etyd ku secili të bënte pjesën e vet. E gjitha ishte kaos. Pa sens, pa rend. Ikur prej boshtit të llogjikës. Nuk po kuptoja ende nëse takimi ynë ishte rastësi e kulluar apo bllokim i mendjes së një shkrimtari?

AnnaMaria, AnnaMaria, kompozita me dy emrat femërorë Anna dhe Maria, dikur më ishte dukur ekstravagancë. Medemek dy herë femër! Ndryshe nga të tjerat! Po tani?

AnnaMaria e përhumbjes ngjante me një armike që duhej dëbuar doemos nga dhoma. Në errësirë e ndjeva që dhe sytë e saj ishin të egërsuar. Ishin bërë sy pantere. Dukej se të dy po bëheshim gati të kërlesheshim në dyluftim. Ajo dhomë nuk na pranonte të dy. Nuk di ta shpjegoj. Befas, si të më kishte goditur e pëshkuar rrufeja mu atje në kthinën më të errët të trurit, u kujtova që AnnaMaria kishte dhjetë vjet që kishte vdekur. Lajmin atëherë e mësova nga mediat e rrjetet sociale. Për mua, ajo nuk vdiq tamam në çastin e duhur. Duhej të jetonte vite e vite më tepër, pasi kishte shumë gjëra gati për shpërthim. Vetëm pak ditë pas vdekjes, u tha se shpirti i saj nuk gjendej askund. Ishte arratisur. Kishte ikur në drejtim tjetër. Me karakterin që kishte, më besoni: A mund të rrinte shpirti i saj pa shtegëtuar aty ku dëshironte?

Shpirti i saj kishte entuziazmin e një pelegrini që shëtiste ku e çonin hapat e dëshirave të fshehta. Ulej stolit në park, pinte cigar, pikturonte, dëgjonte muzikë rrock, vraponte kodrave, strukej në kafenenë e qoshkut, lexonte deri në agim, dehej, bridhte rrugëve natën… Ku e çonin hapat e dëshirës.

U përlesha gjithë natën me AnnaMarien. U rrokulliëm kollotumba. Përplasu këtu, thyej tavolina, dhurata e abazhurë atje tej. Fotot u zhubrosën të gjitha. Ju e dini që në çdo dramë, pjesa e pasme sjell gjithnjë komedinë. Nuk e imagjinoni dot ç’festë u bë pas mbarimit të betejës, por vetëm se ajo fjalia e fundit e AnnaMarias, që ishte si thirrja e një të penduare, më trishtoi, përvëloi e dogji si masha e skuqur e zjarrit: “E pse duhet té rri me ju, kur s’më meritoni”!

I trembur e zura për krahësh dhe u përpoqa ta mbaj që të mos rivdiste.

Isha dorëzuar.

Nuk mund ta refuzoja më tej AnnaMarian.

U ngrita i tromaksur. Ai tik, tik, tiku i dhimbjes pas koke përfundimisht nuk po ndalej. Godiste me ritëm skandaloz. Vrasës. Ndjeva se e goditura vinte nga jashtë. Depërtonte në muret e dhomës. Hapa dritaren dhe ai tik, tik,tik sikur qe shndërruar në pikë, pikë, pik -un…  që na kishte tronditur thellë gjatë natës. E pikasa menjëherë që ishin ca pika të mëdha uji të cilat binin si çekiç nga kondicioneri i katit të tretë i hotelit pikë, pikë, pikë mbi mbulesën prej llamarine të garazheve.

Hëm, ja ç’na qenkish!

Ktheva kokën të merrja miratimin e AnnaMaries. Ajo se kishte duruar dot deri në fund mërzinë. Ia kishte mbathur. Jashtë dita po zbardhte, e plumbtë, e rëndë, gri.

Si fytyrë meiti.

Dëgjohej që përplasej era e ftohtë e vjeshtës dhe pikë, pikë, pikë…

Please follow and like us: