Xhovalin Delia: MOTËR KOSOVË, NA FAL!
Miku i armikut tim është armiku im.
Nëse ky “mik” është vëllai im, armik nuk mund ta shpall, por as si vëlla nuk mund ta besoj.
Motra e vëllezër kosovarë: NA FALNI!
Ju kemi lënduar për një të kënduar, për pak aheng me ahengxhiun serb në Korçë.
Ndjesë! Nuk jemi tradhtarë, jemi thjeshtë sarahoshë të papërgjegjshëm, qejfli hajvanë.
Sarahoshët e Shqipërisë, që janë rritur duke masturbuar me këngët e Oliver Dragojeviç, zdravco çoliç, e me imazhin e Lepa Brena- s, është normale që në pleqëri të argëtohen me “kallashnikovin” e Goran gregoviç në Korçë, si qershiçka në dramën e zisë kosovare.
Na falni! Ne sarahoshët e Shqipërisë, nuk jemi në gjëndje të kuptojmë atë që Ju keni hequr prej serbëve, as çfarë provoni ju kur ne argëtohemi me ahengxhiun serb.
Empatia nuk rritet në Shqipëri. Harresa po. Jemi ne, po ata shqiptarë që nderuam një sulltan per së gjalli, i kënduam lavdi dhe e besuam si Zot. Kur vdiq e qamë me oiiii dhe po ne, e zhvarosëm si barbarë, e nga Zot, e shpallëm djall.
Jemi po ata të vetëdijshëm e të papërgjegjshëm shqiptarë që po na shalojnë e poshtërojnë prej 30 vjetësh, që u dogjëm e s’u poqëm veç krifemi e ndërrohemi si kurvat. Jemi po ata, që nuk e dimë çfarë jemi por të gjithë flamujt i kemi, veç kërrkushi nuk jemi.
Na falni. Nuk e kemi vetëm nga padia por edhe nga ligësia. Padia e ligësia janë binjake, si Shqipëria me Kosovën me dy flamuj të ndryshëm e me një ndryshim: dy të parat nuk ndahen e mbajnë gjallë njera-tjetrën përjetësisht, NE, të dytat, motrat shqiptare na kanë ndarë e nuk po dimë të bashkohemi, veç po largohemi…
“…ne ju duam shumë, ju nuk ju bie në mend fort per ne”, – më tha një mikja ime kosovare me lot në sy.
“…unë shkoj ma shpesh në Shqipëri se në Kosovë. E dua Shqipërinë, më merr malli, edhe për njerëzit, por ma shumë për atë vënd të bukur” – u rrëfye mikja ime Zoge patriote nga Prishtina.
” …unë kam motra, vllezër, miq e shokë në Shqipëri. I dua e më duan, por po mos të kujtohem unë, ata nuk kujtohen për mua. Jo se nuk më duan, por harrohen me njeri-tjertrin në vendin e tyre e nuk i bie në mend për mua. Ndaj nuk zemrohem me ta, përkundrazi, jam unë që kujtohem t’iu shkruaj e t’i dëgjoj. Jo se jam unë më i mirë apo më i dashur, por sepse mua më mungojnë, pasi jam ndarë prej tyre, jam në Dhe’ tjetër e rrethuar me të huaj, që edhe pse i dua dhe më duan, nuk bëhen kurrë motra e as vëllezër për mua, të paktën si ata të vërtetët prej gjaku që kam në Shqipëri”, – u perpoqa të arsyetoja unë, ashtu siç vërtetë e mendoj.
“…ti e kritikon shumë Shqipërinë e Edi Ramën, por mua më pëlqen shumë ai vend e ai burrë”, – më tha mikja ime Zoge e më tregoj fotot nga aeroporti i Kukësit deri tek Lungomare në Vlorë.
“…edhe unë i dua fort të dy, ndaj i kritikoj shumë”, – i thashë unë.
“…ju nuk e doni Edin sepse nuk e kuptoni. nuk e besoni sepse jeni rrit bashkë… nemo profeta in patria”, – e mbylli bisedën motra ime kosovare, Zoge me një thënie latine, me siguri mësuar në Firence, bash aty ku ka studiuar Albin Kurti.
Deri këtu ishin në “lojë” pasionet e sentimentet pozitive e negative të dy palëve, tani le të bëjmë një ndërrim, le të fusim në “fushë” ARSYEN: Ahengu serb në Korçë per ne shqiptarët nuk është mëkat, është thjeshtë aheng, paçka se ahengxhiu është armiku i vëllait tonë kosovar. Nga ana tjetër, motrat e vllaznit tanë kosovarë, akoma në zi e me plagë ende të hapura prej shkjaut, nuk e mendojnë si ne e me të drejtën e zotit e të robit ndjehen “të tradhëtuar”.
Pa hyrë në meritë të artit në përgjithësi e as të artistit serb në veçanti, çështja nuk është “KUSH por PSE”?
Mëkati nuk konsiston pse korçarët u argëtuan me ahengun serb, jo argëtimi me art është i bekuar kur është vërtet argëtim dhe ia vlen.
Çështja është vuajtja, dhimbja që ky argëtim, gëzim, shkakton tek motrat e vëllezërit tanë kosovarë. Empatia e munguar do të na ndihmonte të kuptonim më mirë indinjatën e motrës Kosovë e të gjykonim mendjelehtësinë e egoizmin tonë.
A ia vlen një aheng në shtëpinë tonë kur shkakton vuajtje në shtëpinë e motrës sonë Kosovë?
Nëse dobia në shtëpinë tonë është më e madhe se dëmi në shtëpinë e botës, hallall ahengut të Korçës. Në të kundërt, NDJESË me dorë në zëmër motrës Kosovë!
Dy fjalë pa e hequr dorën nga zemra motrave e vëllezërve kosovarë: E kuptoj indinjatën e zemërim tuaj dhe respektoj atë, por nuk e justifikoj dot. Pse?
Sepse një motër e mirë, e gjerë dhe e arsyeshme, në princip duhet të gëzohet me gëzimin e vëllait, edhe kur ai është sarahoshë budalla, por pa të keq e ligësi. Nuk ka rëndësi kush e çfarë e lumturon atë.
Edhe kur argëtohen nga e me armikun tonë? – pyet me të drejtë motra Kosovë e lënduar dhe “e tradhëtuar” nga vëllai.
Motër e dashur, bash kjo është nyja e problemit që ka ngjallur indinjatë e impenjim më shumë se zjarret që kanë vënë në rrezik ardhmërinë e ekosistemit në Shqipëri e jo vetëm.
Të dashur motra e vëllezër kosovarë, Serbi është vërtet armiku juaj por jo i joni. Pse? Sepse brezi jonë i Lepa Brenas nuk e ka provuar mbi kurriz atë që ju keni përjetuar e rrezikoni të provoni. Në mungesë të empatisë nuk jemi në gjëndje të kuptojmë vuajtjen tuaj.
Në princip njeriu bën atë që DO, por per fat o fatkeqësisht, per të mundësuar e lehtësuar BASHKËJETESËN jemi të shtrënguar të bëjmë edhe atë që DUHET edhe pse shpesh nuk na pëlqen.
Shqip: për hir e hatër të kosovarëve në zi e me plagë të hapura, korçarët qejfli, mund e duhet ta kishin evituar një aheng me ahengxhiun serb në Korçë, qoftë ai më i madhi ahengxhi o artist i botës. Më mirë një kovë ujë në zjarr se sa një pikë benzinë afër tij!
Edhe kësaj herë u dogjëm e s’u poqëm. Me gusht thonë ikën dhe vapa por askush s’e di ç’dimër vjen mbrapa?!
Buon ferragosto!
Please follow and like us: