Albspirit

Media/News/Publishing

Dritan Demiraj: A duhen pranuar apo jo shtetasit afganë në Shqipëri?

 

Meqënëse këto ditë në Shqipëri është hapur debati me temë: “A duhen pranuar apo jo shtetasit afganë në Shqipëri” gjykoj se është e domosdoshme të bëjmë një analizë rreth situatës në Afganistan e cila ka munguar në mediat e Shqipërisë.

Së pari, dëshiroj të theksoj se situata në Afganistan është e tmerrshme. Talebanët kanë marrë nën kontroll për tetë ditë 18 provinca nga 34 të tilla në të gjithë vendin, përfshirë këtu provincat më të mëdha Kandaharin, Heratin, Helmandin, Farah, Konduzin dhe Gaznin. Në rrethim tani gjendet vetëm qyteti i Mazar e-Sharif, Xhalalabadi dhe Kabuli.

Së dyti, talebanët e kanë origjinën e tyre nga fillimi i konfliktit në Afganistan gjatë pushtimit sovjetik 1979-1989. Ky pushtim bëri që Pakistani në bashkëpunim me SHBA-të dhe Arabinë Saudite të financonin një luftë me qëllim largimin e Sovjetikëve nga Afganistani. Për këtë qëllim u krijua Byroja Afgane tek ISI (Shërbimi Sekret i Pakistanit, i cili konsiderohet si një nga shërbimet më të forta në botë). Byroja afgane nën drejtimin e gjeneral Mohammad Yousaf organizuan, stërvitën dhe drejtuan në luftë rreth 55.000 muxhahedinë, kryesisht afganë dhe pakistanezë por edhe rreth 15.000 shteas nga vendet e Gjirit Persik, Algjeria, Libia, Turqia, Bosnja, Çeçenia, etj. Partitë kryesore afgane që morën pjesë përbëheshin nga 7 parti ekstremiste islamike dhe 4 parti të moderuara. Komandantët kryesorë ishin Gulbudin Hekmatyar, Mohammad Ismail Khan, Rabbani, Abdul Sayyaf, Ahmad Shah Masoud, Abdul Rashid Dostun, etj.

Së treti, pas përfundimit të luftës, Pakistani duke qenë se në vendin e tij kishte 3.5 milionë refugjatë afganë, filloi rekrutimin e të rinjve afganë nga medresetë e Pakistanit me qëllim që në të ardhmen të instalonte një qeveri afgane pro Pakistanit. Për këtë qëllim u krijua Lëvizja e Talebaneve (studentët). Pas përfundimit të luftës me Sovjetikët, drejtuesit e partive filluan një luftë civile me qëllim kontrollin e Afganistanit. Në vitin 1994, Lëvizja e Talebanëve nën drejtimin e Mullah Mohammad Omarit me mbështetjen e ISI-it, mori kontrollin e Kandaharit në vitin 1994, në vitet 1995-1996 edhe të provincave të tjera si Herati, Helmani, Farah, Nimruzi, etj. Në vitin 1997 morën nën kontroll dhe Kabulin duke deklaruar krijimin e Emirateve Islamike të Afganistanit. Në vitin 1996 me ftesë të Mullah Omarit në Afganistan erdhi Osama bin Ladeni me rreth 2000 muxhahedinë arabë, duke krijuar universitetin e xhihadizmit dhe terrorizmit nëpërmjet kampeve të stërvitjes së terrorit si: kampi “Khalden”, “Al-Farouq”, ” Tarnat”, “Derunta” etj në të cilat u stërvitën mbi 40.000 terroristë nga e gjithë bota, të cilët realizuan mbi 4530 sulme terroriste në SHBA, Europë, Afrikën Veriore dhe Lindore, në Saleh, Magreb, Somali, Algjeri, Arabine Saudite, Turqi, Jemen, Azinë Juglindore, Subcontinentin Indian dhe jo vetëm.

Së katërti, struktura e komandim- kontrollit të Talebanëve është si vijon:

Emiri i përgjithshëm është Mawlawi Hibatullah Akhunzada. Ai drejton Shuran kryesore e cila përbëhet nga tre Shura të tjera.

  1. Shura e Quetas, e cila drejtohet nga djali i Mullah Mohammad Omarit, Mohammad Yaqoobi.
  2. Shura e Peshawarit, e cila drejtohet nga djali i Xhalaluddin Haqqanit, Sirajudin Haqqani.
  3. Shura e Miran Shah e cila drejtohet nga Mahdi Arsolani.

Së pesti, ofensiva e tanishme në Afganistan ka të bëjë me mbështetjen direkte të Pakistanit nëpërmjet ISI-it me armatime, pajisje logjistike, mbështetje ajrore, inteligjencë, trupat speciale SSG dhe me rrjetet e shumta që kanë në zonat e banuara nga Pashtu-të.

Së gjashti, në përbërje të Talebanëve gjenden 85.000 trupa të cilat bashkëpunojnë me rreth 15.000 terroristë të tjerë si: Al-Qaeda në Afganistan, Al-Qaeda në Pakistan, Rrjeti Haqqani, Talebanët e Pakistanit Tehriki Pakistan (TTP), Talebanët Taxhikë, Talebanët Waziri, grupet e financuara nga Pakistani të cilat kanë ardhur nga Jammu dhe Kashmiri: Jaysh e-Mohammad, Lashkar e-Taiba (LeT), Lashkar e-Islam (LeI), Lashkar e-Jhangvi (LeJ), Lashkar e-Omar, Lëvizja Islamike e Uzbekistanit (IMU), ETIM e ujgurëve, etj luftëtarët e të cilëve janë prezentë në Afganistan, duke shfaqur rrezik të madh se në të ardhmen mund të krijojnë përsëri kampet e stëvitjes së terrorizmit. Në rast se do t’i shtojmë këtyre xhihadistëve edhe numrin e ushtarëve dhe oficerëve të policisë afgane të cilët po i bashkohen radhëve të Talebanëve (dezertorët), atëhere ka mundësi që brenda muajit gusht numri i tyre të shkojë në mbi 50.000 të tjerë. Kjo padyshim që do të ndryshojë balancën e fuqise luftarake në numër në favor të Talebanëve. Aktualisht ushtria afgane ka (kishte pasi po dezertojnë shumë ushtarë çdo ditë) 180.000 ushtarë, ndërsa policia kombëtare afgane 130.000 efektivë.

Së shtati, vlen të theksohet arsyeja se përse strategjia e luftës së Talebanëve është kaq e suksesshme. Kjo për shkak se drejtohet nga të gjitha strukturat e inteligjencës ushtarake të Pakistanit (ISI) dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, të cilat ndodhen në Rawalpindi. Strategjia e ndjekur nga Talebanët quhet “Strategjia Anakonda” e cila nënkupton fillimisht:

  1. Marrjen e kontrollit të pikave kufitare në të gjithë Afganistanin. Deri tani janë marrë nën kontroll nga Talebanët gjithë pikat kufitare me Iranin, Turkmenistanin, Uzbekistanin dhe Taxhikistanin. Kanë ngelur disa pika kufitare me Pakistanin, të cilat gjykoj se do të merrem lehtësisht në ditët e ardhshme.
  2. Marrja e kontrollit të qendrave dhe provincave kryesore. Kanë ngelur pa u pushtuar vetëm tre qendra kryesore: Mazar e-Sharif, Xhalalabadi dhe Kabuli.
  3. Marrja nën kontroll e autostradës nr-1, nr-4 dhe nr-5. Edhe ky objektiv është realizuar pothuajse plotësisht. Ka ngelur vetëm rruga e unazës kryesore nga Ghazni në Kabul.
  4. Marrja nën kontoll e aeroporteve kryesore. Jane marrë shumica e tyre dhe ka ngelur vetëm aeroporti ndërkombëtar i Kabulit dhe Baza ajrore e Bagramit.
  5. Izolimi i plotë i Kabulit, rrethimi i tij dhe vazhdimi i sulmit deri në dorëzimin e kryeqytetit në dorë të Talebanëve, të cilët menjëherë do të deklarojnë krijimin e Emirateve Islamike të Afganistanit.
  6. Kapja, arrestimi dhe dënimi i presidentit Ashraf Ghani. (Drejtuesi i negociatave të Talebanëve në Doha, kërkesë të parë ka largimin dhe dorëheqjen e presidentit Ghani).
  7. Marrjen nën kontroll e televizioneve, mediave dhe radiove me qëllim përhapjen e propagandës së tyre, uljen e moralit të agjensive të sigurisë dhe diskretimimin e qeverisë afgane si të paaftë për të drejtuar, e korruptuar dhe properëndimore.

Së teti, me qëllim realizimin e kësaj strategjie, Talebanët kanë përdorur gjerësisht taktikat e luftës asimetrike si sulmet kamikaze me makina bombë, sulmet me kamikazë me breza vrasës, vrasjen e drejtuesve kryesorë të ushtrisë, policisë, pilotët afganë, drejtuesit e rrjeteve të inteligjencës, investitorët e huaj sidomos indianë dhe perëndimorë, vrasjen e femrave të cilat kanë rëndësi në shoqërinë afgane, pedagogët, shkollarët dhe politikanët.

Së nënti, kostoja e angazhimit 20-vjeçar amerikan në Afganistan ka qenë deri tani 2.27 trillion dollarë. Nga këto 933 bilionë dollarë ose 43 % e shumës së përgjithshme janë harxhuar për operacionet kundër terrorizmit në Afganistan dhe Pakistan, 443 bilionë kanë qenë fonde shtesë për shkak të angazhimit të gjatë, 296 bilionë dollarë kanë shkuar për përkujdesjen e veteranëve të Afganistanit, 59 bilionë kanë shkuar për angazhimin e DASh-it në Afganistan. Në shtesë të këtyre shifrave janë vrarë 2442 ushtarë amerikanë, 3936 kontraktorë amerikanë, 1144 trupa të NATO-s, 70.000 trupa afgane të sigurisë, 10.000 trupa të Pakistanit, 255.000 qytetarë afganë dhe pakistanezë, 141 gazetarë, 556 punonjës të OKB-së.

Pikërisht këto përpjekje, angazhime dhe humbje kolosale njerëzore, financiare, diplomatike dhe ekonomike në gjykimin tim nuk e justifikojnë largimin e menjëhershëm, të paplanifikuar të trupave luftarake nga Afganistani. Ky vakum, do të plotësohet shumë shpejt nga terroristët Talebanë dhe grupet e tjera terroriste që aktualisht ndodhen bashkë me talebanët, të cilët shumë shpejt do të marrin drejtimin e vendit në Afganistan.

Popullsia afgane do të përballet me mbylljen e shkollave, kthimin e zbatimit të ligjeve të Sheriatit (variantit ekstrem Taleban), femrat nuk do të kenë mundësi të shkojnë në shkollë, duhet të jenë të shoqëruara në rrugë me bashkëshortët, vendi do të përballet me pasoja të tmerrshme sociale si pasojë e dhunës që po detyron banorët të largohen në drejtim të vendeve fqinje, përsëri do të kthehen kampet e terrorit dhe kur vendet perëndimore të sulmohen përsëri çdo gjë do të duhet të fillojë nga fillimi.

Duket se nga largimi i Amerikanëve, me shpejtësi po përfiton Pakistani duke larguar të gjitha investimet dhe influencën e Indisë nga vendi, Irani pasi gjithmonë e ka kundërshtuar marëveshjen bilaterale ushtarake dhe prezencën e bazave ushtarake amerikane në afërsi të kufijve të tij, Kina për shkak të interesave për të shfrytëzuar pasuritë minerale të shumta të Afganistanit, larguar influencën e Indisë, siguruar rrugët e saj të transportit tokësor strategjik (belt road initiative) nëpëmjet Afganistanit në Iran, Turqi dhe në Europë dhe si përfundim Rusia e cila në fshehtësi ka financuar Talebanët për t’u hakmarrë ndaj mbështetjes Amerikane të Muxhahedinëve gjatë viteve 1979-1989.

Si përfundim, për t’i dhënë përgjigje opinionit publik në lidhje me pranimin e përkthyesve afganë. Ata kanë kanë qenë pjesë shumë e rëndësishme e misioneve tona. Pa mbështetjen e tyre do të ishte e pamundur realizimi me sukses i misioneve tona. Puna e tyre konsistonte jo vetëm në përkthimin e takimeve me liderit e Shuras të fshatrave që takonim 2-3 herë në javë, por edhe në grumbullimin e inteligjencës kur kalonim netët pas misioneve në stacionet e policisë dhe shkëmbenim me orë biseda me përfaqësuesit e policisë dhe ushtrisë kombëtare afgane.

Nëpërmjet bisedave, pyetjeve dhe projekteve të ndryshme në terren, drejtuesit e misioneve merrnin një pjesë të infornacioneve të cilat më pas analizoheshin dhe bëheshin pjesë integrale e procesit të planizimit para daljes në detyrë. Pëkthyesit ishin njëkohësisht edhe këshilltarët më të mirë tanë. Ata na tregonin se çfarë duhet të përmirësonim në rast se dikush bënte ndonjë gabim që binte në kundërshtim me zakonet dhe trafitat Pashtunwahli. (Pasi në Provincën e Kandaharit banojnë në shumicë pashtunët).

Përveç kësaj, përkthyesit në shumë raste kanë marrë edhe armët dhe kanë luftuar në krahun tonë, duke treguar jo vetëm besnikëri, por edhe trimëri. Në shumë raste informacionet që përkthyesit jepnin tek kontigjentet kishin të bënin me natyrën e rreziqeve dhe kërcënimeve direkte për jetën e efektivave në mision si psh: vendet ku ishin vendosur minat, planet e grupeve terroriste si Talebanët, Al-Qaeda në Afganistan ose Rrjeti Haqqani në raport me kohën dhe vendin e sulmit kundër patrullave tona, vendet ku mund të sulmonin trupat tona me makina bombë (S-VBIED) ose me kamikazë (S-HBIED), shtëpitë ku prodhohen mjetet e sulmit me mina surprizë (IED), kush jepte informacion tek Talebanët nga pjesëtarët e qeverisë ose të policisë tek Talebanët, kush merrej me tregtinë e drogës, kush bashkëpunonte me spiunët e ISI-it Pakistanez (të cilat janë themeluesit, mbështetësit dhe strategët e kësaj fushate të sukseshme sulmi këto dy muajt e fundit) etj.

Në këtë këndvështrim gjykoj se ata duhen mbështetur, pasi në momentet që flasim guvernatorët e qeverisë, ministrat e sigurisë, drejtuesit e lartë të ushtrisë, policisë, pilotët e ushtrisë afgane dhe përkthyesit të cilët kanë punuar me pjesëtarët e trupave të NATO-s janë objektivat kryesore të Talebanëve. Në këtë linjë janë edhe SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Gjermania, etj të cilat kanë marrë shumë afganë deri tani. Në gjykimin tim edhe Shqipëria duhet t’i marrë, t’i strehojë dhe konform të gjitha rregullave të vetingut (megjithëse e ka të pamundur ta bëjë vetë) do të duhet t’i strehojë. Ata kanë qenë një ndihmë e madhe për ne dhe aleatët dhe kjo është gjëja më minimale që ne kemi detyrimin ta bëjmë. Së pari për të treguar se edhe ne jemi mirënjohës për ndihmën që ata i kanë dhënë kontigjenteve perëndimore, por nga ana tjetër edhe për të plotësuar detyrimet ndaj aleancës së NATO-s.

Please follow and like us: