Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani, In memoriam, At Pjetër Meshkalla (33)

“JU, KISHAT RRANONI, POR TOKA NUK LOT”!

Kjo thanje e At Meshkallës u ngulit në mendjen e çdo shqiptari që e ndigjoi kur ai, i tregoi “revolucionarëve” ateistë e antiatdhetarë se shka po bajnë kundër fesë. Fotot nalt të Kathedrales së Shkodrës së Rindertueme mbas 1991 flasin për shka paralajmoi At Meshkalla! Po në gjithë Shqipninë sa u rindërtuene? At Pjetër Meshkalla shkruen: “…Na jemi gurët (të mëdhej o të vegjël) të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shifen ma, por janë në themel të parë! Qé, ambicioni i themelit. M’u zhdukë e mos me u pa ma!..”. Gurët e atij themeli asht e vërtetë se komunistëve iu dukën të vegjël. Ata menduen se ata gurë me të vërtetë do të zhduken e nuk do të shiheshin ma në truell të  Gjergj Kastriotit. Ndoshta, mendohej se dallgët e atij “Revolucionit” do të rrafshonin bashkë me gurët “që kishin fillue me nxjerrë krye”, e pikërisht me ata gurë, që ishin vu mbi thëmelet e kulturës Europiane edhe Heronjtë, që kishin la me gjakun e tyne ata themele.

Pallati i Sportit Shkoder, ku u zhvillue Kongresi i 7 BGSH …1973, Shkoder, Foto në Qershor 1973.
Ja dhe masakra komuniste e “Revolucionit Kultural dhe Ideologjik 1967” në Kishen Kathedrale 100 e sa vjeçare të Shkodres e cila u kthye në “Pallat Sporti” deri në vitin 1991.

Por koha tregoi se Gurët e parë nuk kishin luejtë, nuk ishin thye, as nuk ishin ciflosë e plasë, nuk ishin shkatrrue dhe as rrokullisë, jo, kurrë! Ishin Aty! ATA GURË të vendosun në themel të tokës Shqiptare që në Shekullin e Parë të Epokës mbas Krishtit nga Shen’Pali, po, edhe sot Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha: “Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot! Ju, prishni  Kisha e Xhamija, por Ata do të ndërtohen prap një ditë!..”. Komunitetet Fetare Shqiptare duhet me i dokumentue këto ngjarje per njohjen nga Rinia Shqiptare, që ajo të shohin me sy kush ishte komunizmi bashkë me “ata” që, dhe sot vazhdojnë me kenë “heronjë” në Shqipni?..Ky pra ishte i Madhi At Pjeter Meshkalla!..

Please follow and like us: