Shqipëria dhe Kosova marrin lavde për pranimin e refugjatëve afganë
Zyrtarë dhe ish-zyrtarë amerikanë lavdëruan vendimin e kryeministrit Edi Rama dhe atë të Kosoovës për pranimin e një pjese të refugjatëve politikë afganë që pritet të vijnë pas rënies së qeverisë afgane të dielën. Në një akt jo të zakontë, udhëheqësit e opozitës politike e mbështetën vendimin.
Nga Gjergj Erebara, BIRN/Reporteri
Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright, e cila ishte në detyrë gjatë Luftës së Kosovës falënderoi Shqipërinë, Kosovën dhe Kanadanë për vendimet për pranimin e refugjatëve politikë afganë, të cilët pritet të largohen nga vendi për shkak të rrëzimit të qeverisë demokratike dhe rikthimit të regjimit të talebanëve në vend.
Albright iu bashkua senatorit Robert Menendez, një demokrat që drejton Komitetin e Politikës së Jashtme në Senatin Amerikan, i cili përdori fjalën shqiptare “Besa” për t’i dhënë substancë falënderimit.
“Ndërsa SHBA punon për të evakuuar ata që janë më shumë në rrezik nga Talebanët, i jam mirënjohëse Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat i ofruan strehë aleatëve afganë, veçanërisht grave dhe udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj dhe pres që të tjerët të ndjekin [këtë shembull],” deklaroi Allbright në Twitter.
“Unë e përshëndes vendimin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë strehë të sigurtë përkohësisht atyre që po largohen nga kasaphana e Talenanëve në Afganistan. Populli shqiptar po tregon edhe një herë se çfarë do të thotë fjala “Besë”, shkroi Menendez në Twitter.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim falënderoi Shqipërinë duke thënë: “BESA – atëherë kur ka më shumë rëndësi, populli shqiptar tregon gjithnjë nder, guxim dhe mirësi. Ne jemi krenarë që ju kemi miqtë dhe aleatët tanë.”
Të dielën në mëngjes, pas disa ditësh spekulimesh të nisura nga një raportim i Reuters, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi në Facebook se ka pranuar kërkesën amerikane për të strehuar “disa qindra” afganë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi pak më vonë se Kosova ka pranuar gjithashtu kërkesën e Presidentit Amerikan Joe Biden për të strehuar refugjatët.
“Ne e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh në arrati, të jesh i persekutuar dhe të jetosh nën sundimin e terrorit,” tha Osmani.
Jo të gjithë në Tiranë duket se janë të lumtur me vendimin dhe shumë shqiptarë kanë përdorur rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësitë për pranimin e refugjatëve. Por udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha deklaroi se e mbështet vendimin pasi sipas tij, anëtarësia e vendit në NATO vjen me “të drejta dhe detyrime”.
“Nga këto detyrime lindin përgjegjësitë për të qëndruar pranë partnerit tonë strategjik SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan,” deklaroi Basha.
Në Kosovë, ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, mbështeti gjithashtu idenë që Kosova të pranojë refugjatë afganë.
Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria merr përsipër çështje politikisht sensitive të kësaj natyre. Në vitin 2007, refugjatë ujgurë të cilët ishin arrestuar gabimisht në Afganistan nga amerikanët dhe ishin mbajtur për disa vite në Guantanamo, fituan lirinë dhe u pranuan të strehohen nga qeveria shqiptare pavarësisht protestave të Kinës. Në vitin 2013, Shqipëria pranoi disa mijëra anëtarë të një grupimi të njohur si Muhaxhirët e Popullit Iranian, [MEK] me kërkesë të Shteteve të Bashkuara ndërsa më 2016 disa mijëra anëtarë të tjerë të MEK erdhën në Shqipëri për të krijuar një seli të përhershme të organizatës, e cila është kundërshtare e regjimit të Iranit.
Qeveria Amerikane vendosi t’i japë fund luftës më të gjatë në historinë e vet duke u tërhequr nga Afganistani dhe duke ia lënë në dorë luftën kundër talebanëve qeverisë vendëse. Trupat amerikane nuk e kanë përfunduar ende tërheqjen e tyre të plotë por sakaq qeveria afgane është rrëzuar dhe vendi është në duart e talebanëve.