Edi Rama, afganët dhe hebrenjtë
Eden Babani, Bruksel
Këto ditë, në shtypin tonë po flitet ca si shumë për mikpritjen shqiptare, çka s’është e as e panjohur, as ndonjë befasi e rastit. Shkak, po bëhet lajmi se shteti shqiptar po pret disa dhjetëra, në mos qindra shtetas afganë, ish-bashkëpunëtorë të forcave amerikane gjatë luftës në Afganistan.
Nuk do të merrem as me vendimin e njëanshëm dhe pa pikë transparence të zotit Rama për të strehuar afganët në fjalë, as me hidh-e-pritet pa doganë të komentuesve në rrjetet sociale, as me rrugaçërinë e kryeqeveritarit tonë në faqen e vet të facebook-ut, për të justifikuar një lajm të agjencisë Reuters, e cila e zuri të papërgatitur e në befasi, – gafil, – si i thonë një fjale.
Shtoj se nuk kam ndërmend të vë metrin e të mat dashurinë e shqiptarëve për SHBA-të ose sa për qind prej nesh kanë qenë e janë pro a kundër tyre. Gjëra që dihen. Aq më tepër që sado të tendosem e të mundohem unë, gjithçka e ka thënë djaloshi gazetar Abilekaj qysh në titullin e shkrimit të vet te Syri.net: “Rama, ky rrugaç i rrjeteve sociale”.
Citoj: “…ai sillet si rrugaçi me i artikuluar i rrjeteve sociale. Shfryn dufin me ata që janë kundër, kapet pas parimeve që as i zbaton dhe as i respekton, rrëmben flamurin amerikan (të njëjtin që shtynte me përbuzje nga tryeza kur ishte kryetar bashkie) dhe mendon se ka të drejte ta përdore bishtin e flamurit si shkop për te rrahur kundërshtarët… Ka disa që ndihen të fyer nga mënyra se si Edi Rama, me mandatin e rrëmbyer apo të blerë, negocion arbitrarisht, duke injoruar gjithë faktorët dhe aktorët vendas”.
Më bukur, s’ka sesi thuhet.
* * *
Qëllimi i këtij shkrimi është të ndaj veçmas dy të pabashkueshme. E theksoj: kurrsesi të pashkueshme. Mbrojtjen e hebrenjve në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe mikpritjen e supozuar të afganëve.
Në rrjetin e vet social, Edi Rama është sforcuar tej mase të gjejë një pikë bashkuese mes dy rasteve. Në pamundësi, ka shfryrë dufin që e mundon ditë e natë ndaj opozitës, ndaj shtypit, ndaj gjithkujt që s’është i një mendjeje me të: “shqipot mendjefikur”, “mallkuesit pa din e pa iman” “llumi njerëzor me shqipe bazike dhe me 100 fjalë fjalor të shkruara për ibret”, “kafshim i helmatisur”, “të verbër”, “patriotizëm si të talebanëve” të “sakatuar e poshtëruar”.
Kur lexon këtë tekst makabër drithërohesh, shkruan me të drejtë Lapsi.al.
* * *
Mbrojtja e hebrenjve në vitet e Luftës nuk u bë as me nismën e shtetit, as me marrëveshje ndërqeveritare, as me shpenzime shtetërore, as me urdhër të ndokujt. Ata nuk u strehuan në konvikte shkollash a kampe të sajuar. Gjithçka ndoqi heshtazi linjën e kodit shqiptar të mikpritjes e të humanizmit. Heshtazi, por me efikasitet,teksa qeveria e ashtuquajtur kuslinge, bëri sikur s’pa e sikur nuk dëgjoi.
Për sa më sipër jam një ndër dëshmitarët e shumtë të asaj kohe.
Nuk di ç’ bënin asohere paraardhësit e Edi Ramës. Nuk di në kishin apo jo ndonjë kujtim me hebrenj të ndjerit prindërit e tij, Neta e Kristaqi, të cilët i kam pas njohur dhe kemi qenë barabitur thuajse në të njëjtin brez. Gjithsesi, s’ma do mendja të kenë strehuar ndonjë familje hebrenjsh. Përndryshe, i biri, sot Kryeministër, do ta kishte qëndisur me elokuencë ashtu siç di ai. Do të na e kishte kursyer gjithë atë duf e mllef që shfry me fjalor rrugaçësh mbi ne, fajtorët pa faj.
Atyre viteve, jeta më kishte hedhur në Kavajë, ku im atë ishte emëruar mjek, pas daljes nga kampi i Porto Romanos, i internuar si antifashist. Banonim në pallatin e Mihal Dovanës.
Në katin e dytë kishte dy goxha apartamente me nga 5-6 dhoma secili. Në njërin, ishte vendosur familja jonë e përbërë prej katër vetash: prindërit, unë, – fëmijë 7-8 vjeçar, – dhe vëllai më i vogël, Fredi. Herë pas here, na shtohej ndonjëri prej xhaxhallarëve që vinte nga Korça. Më shpesh, xha Nysreti. Helbete, dhoma plot, kushtet ekonomike, si ne…
Në apartamentin tjetër, – portat përballë, – jetonte një tregtar metrazhesh dhe rrobaqepës hebre me të shoqen dhe katër vajza. Nuk më kujtohet saktësisht mosha e vajzave, por, përjashto Luçien, – më të madhen, – me të tjerat ishim aty-aty në moshë.
Samuel, e thoshin. Sami e thërrisnin rëndom. E fliste shqipen, ndonëse ndonjëherë gabonte. Mbaj mend se, kur im atë donte t’i shpjegonte diçka që lidhej me përdorimin e ilaçeve, ai thoshte: “E kuptojsh, zoti doktor, e kuptojsh”, domethënë se e kuptonte.
Luçia, vajza e madhe, – njëzetvjeçare, bukuroshe si ajo, – vinte më shpesh te ne. Herë për të ndihmuar time ëmë, herë për të mësuar diç nga kuzhina shqiptare, herë thjesht për t’u shulluar në tarracën tonë. Vizitat i shpeshonte më tepër kur vinte nga Korça xha Nysreti, me të cilin i hahej muhabeti dhe flisnin njëri me tjetrin pësh-pësh-pësh frëngjisht ose italisht.
* * *
Një ditë prej ditësh, në qytet u dhanë gjermanët, teksa tërhiqeshin nga Fronti i Jugut drejt Veriut. Familja e xha Samit e braktisi apartamentin e vet, dhe u strehua e gjitha te ne. Gallatë e madhe.
Ne, të vegjlit, donim të luanim e të bërtisnim. Të mëdhenjtë mbyllnin dyer e dritare, teksa nuk na e kursenin as heqjen e veshit, as ndonjë shuplakë.
Të nesërmen, xha Sami me të shoqen u larguan nga Kavaja, të veshur si fshatarë. Ai me brekushe, me xhokë dhe me qeleshe. Ajo me ferexhe. Morën edhe tri vajzat e vogla. Te ne mbeti, vetëm Luçia.
Vonë kam mësuar se u strehuan në familjen e një çiraku të xha Samit, të cilin nuk e urdhëroi kush, përveç zakonit dhe ndërgjegjes së vet.
* * *
Vitet kaluan, erdhën kohë tjera. Lufta mbaroi, kurse xha Sami u shpërngul përkohësisht në një nga vendet e Europës Perëndimore, – ndoshta në Itali, ndoshta në Francë, – për t’u vendosur përfundimisht në Izrael.
Sa ishte gjallë, im atë mbajti letërkëmbim me Samuelin. Më pas, rasti e solli që të lidhesha unë me Luçien, përmes Moisi Levit, një izraelit që jetonte në Kavajë dhe që u martua me kolegen time arsimtare, Terezinën, një vajzë nga familja e madhe e Vrionasve.
S”do mend, nga një familje e përndjekur politike, Terezina i ndiqte edhe në Izrael shkrimet e mia, qoftë në gazetat Liria ose LiriaA, qoftë më pas, te gazeta 55. Ajo u bë sebep të lidheshim sërishmi me miqtë e dikurshëm.