Albspirit

Media/News/Publishing

Ferit Fixha: “Kalorës me unaza” i Çelik Petritit, roman që lexohet me një frymë

 

 

Sapo më ra në dorë libri më i ri, romani “Kalorës me unaza” (triptik) i Çelik Petritit (shkrimtar, studiues e kritik letrar) nisa ta lexoj me ëndje, përkushtim e vëmendje. Këtë ma nxiti edhe më tepër thënia e vetë autorit në përcjelljen e tij për lexuesin:“Shtytur prej një lënde jetësore tejet të bollshme të përjetuar për mëse gjysmë shekulli në vendin më të izoluar të Lindjes, pasojë e klikës ndoshta më puritaniste që shpërfaqi në Evropën Lindore Periudha Komuniste, të cilin nobelisti ruso – hebre Josif Brodski ironikisht e quan “Epoka e ndritur”, guxoj dhe i paraqes lexuesit këtë prozë satirike (më saktë do të përcaktohej “antiroman tragjikomik”)…

Ndokujt edhe mund t’i shkojë mendja se është rendur pas pasazheve surealiste dhe prototipeve groteske. Porse surealist e grotesk ishte vetë ai realitet të cilin, si gjithë brezi i vet, e ka përjetuar autori i këtij libri”. Shtytur nga “porosia” e vetë autorit “Lexuesit do t’i sygjeroja që, nëse do të kishte mirësinë ta niste leximin e këtij libri, do të kishte më tepër se mirësi, nëse do ta flakte atë sapo ta ndjente se nuk i pëlqen më”, unë, jo vetëm nuk mund ta flakja këtë libër, por nuk mund ta hiqja nga dora, pasi leximi i tij më mbushte me emocione të veçanta, më jepte një informacion të bollshëm jetik, tepër real e interesant; më përcillte mesazhe të shumta dhe më zhyste në meditime për çka kisha përjetuar edhe vetë. Gjatë leximit po më ndodhte si me librat sivëllezër të këtij romani “Don Kishoti i Mançës” i Servantesit, “Ushtari i mirë Shvejk” i Hashekut, apo edhe “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” i Agollit.

U rikthehesha shpesh pasazheve të librit dhe vazhdoja edhe më me ëndje leximin e mëtejshëm.

Faqe pas faqeje të këtij libri të veçantë përjetohet realiteti i para Nëntëdhjetës, realitet i ngritur në art dhe i shpërfaqur, jo me lëvdata e hosanara, por me vërtetësi e humor, që nga ironia dashamirëse deri në sarkazmën therëse. Kalohet në skaner një gamë e gjerë e dukurive jetike të asaj kohe të pakohë ku përveç anës emotive ndjehet thirrja për të mos harruar, për të shpresuar e luftuar për një të ardhme tjetër: më të bukur, të natyrshme, më dinjitoze, më njerëzore.

Pamjet e jetës së përditshme të asaj kohe autori i ka kthyer në realitet artistik, duke pasur parasysh që Arti kërkon shpirt, kërkon substancë.

Në roman shpërfaqen me vërtetësi e me nivel artistik pamjet, peizazhet, mjediset, imazhet, ngjarjet dhe personazhet e shumtë.

Megjithëse në roman ka një galeri të gjerë personazhesh, ata vijnë me veçoritë e veta dalluese, të portretizuar e të tipizuar. Ata janë kompleksë, por lexuesi mund t’i grupojë lehtas sipas karakterit e sjelljeve  të tyre në kontkstin e ngjarjeve në roman: në personazhe negativë si Qepo, Thanasi, Fikja, Qenhami, Shaqiri, Vaiti, Isafi, Kaleshi, etj; sikurse edhe në personazhe pozitive si bashkëshortja e Çiço Çaprazit, Natalia, Zheni, Nimeti, Pandeli, Agroni, Aleksi, Arturi, Taku, Mikeli e ndonjë tjetër.

Personazhi kryesor Çiço Çaprazi (ndoshta vetë autori) është portretizuar me një origjinalitet të rrallë e të besueshëm. Ai është krenar deri në kryeneçësi, i drejtë deri në sakrificë, i ndershëm deri në cak. Unë, nga këndshikimi i lexuesit, do të shprehesha për të nëpërmjet një thënieje të dikujt që më ka mbetur në kujtesë: “Mirësia rri tek ai si kalorësi mbi kalin e vet”.

Çiço është i zoti, i drejtë, i komunikueshëm, bamirës ndaj hallexhinjve; atij i hanë duart për punë, ka veprimtari plot tharm e origjinalitet; ka krijimtari me vlerë dhe punë të spikatur studimore. Ai i përballon sfidat; s’u ikën përdredhas debateve; u çjerr maskat kundërshtarëve të vet shpirtligj, servilë dhe hileqarë. Por rrjedhojat, pasojat e hallet për të janë të shumta dhe ai, edhe pse nuk thyhet, vuan shpirtërisht nga padrejtësitë. Shpërthen edhe sharje përballas, me fjalë vulgare, për të demaskuar kundërshtarin. Çiço, falë edhe temperamentit të vet sanguin, është i papërmbajtshëm, antikonformist. Ai, siç thotë populli, “i ka shanët pa kapak”.

Falë mjeshtërisë së vet, autori i vesh personazhet edhe me disa “imtësira” të tyre: instikte, shtirje, huqe e vese.

Kështu ai shpërfaq kruarjen e shëmtuar të Qenhamit, që gjithnjë fut dorën te organi i vet gjenital nëpërmjet xhepit të shpuar të pantallonave, shpërfaq sjelljet mburravece pompoze të Kiut, shpërfaq buzëqeshjen e shtirur e cinike të Fikes, sjelljet shtazarake të Shaqirit e Vahitit, ngërdheshjet dashakeqe e mafioze të fytyrës së murrëtyer të shefit të vet, etj. Këto i bëjnë më të dallueshëm e më të veçantë vetë personazhet.

Gjatë leximit të romanit ndonjë shprehje në gojën e personazheve, lexuesit mund t’i duket e pavend, ose “vulgare”;  ndonjë veprim mund t’i duket i paarsyeshëm e “vandal”, por nuk është thjesht kështu. Ato janë, jo vetëm realitet, por edhe elemente të domosdoshme, komplementarë; mish e gjak i subjektit të këtij romani të bukur satirik. Janë si ato penelatat e holla të piktorit, që i japin dritë e origjinalitet kompozimit të tij.

Tiranë, 10 gusht 2021.

Please follow and like us: