Albspirit

Media/News/Publishing

Shtohen presionet mbi Presidentin amerikan pas tërheqjes së trupave ushtarake nga Afganistani

Mbrëmjen e së martës Presidenti Joe Biden u kthye në Shtëpinë e Bardhë duke ndërprerë herët pushimet, ndërsa përballet me presion në rritje mbi tërheqjen kaotike të forcave amerikane në Afganistan dhe rënien e shpejtë të qeverisë në Kabul.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, përgatiti materialin me të rejat e fundit.

Skenat kaotike të afganëve të dëshpëruar që përpiqen të largohen nga vendi, theksuan atë që gjerësisht perceptohet si plani i dobët i Administratës Biden për tërheqje nga lufta më e gjatë e Amerikës.

“Pamjet e ditëve të fundit në aeroport ishin dëshpëruese, por Presidentit Biden iu desh të mendonte edhe për koston njerëzore të rrugës alternative të qëndrimit në një konflikt civil në Afganistan”, tha Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Pas rimarrjes së shpejtë të Afganistanit nga talebanët, ShBA po përpiqet të evakuojë mijëra amerikanë dhe aleatë afganë.

“Ne po u japim përparësi disa grupeve, si qytetarëve amerikanë, punonjësve të ambasadës dhe familjeve të tyre, personelit lokal, atyre me visa speciale imigruese dhe aplikuesve, afganëve që kualifikohen për programet e refugjatëve si përkthyes, që mund të kenë ndihmuar mediat dhe të tjerët”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Deri në mbrëmjen e së martës, zyrtarët thanë se ShBA evakuoi më shumë se 3,200 njerëz, përfshirë personlin e Ambasadës Amerikane, shtetas amerikanë, afganë dhe qytetarë nga vende të treta. Gjithashtu, ShBA transportoi rreth 2 mijë emigrantë specialë afganë në Shtetet e Bashkuara.

Administrata po negocion me talebanët për të vazhduar evakuimin, të paktën deri në fund të gushtit.

“Talebanët na informuan se janë të përgatitur për të siguruar kalimin e sigurt të civilëve në aeroport dhe ne synojmë t’i mbajmë në këtë zotim”, tha Jake Sullivan.

Të martën, talebanët patën konferencën e parë për shtyp, që nga marrja e kontrollit.

Në shfaqjen e parë publike, zëdhënësi Zabihullah Mujahid u zotua se Afganistani nuk do të bëhet strehë e terrorizmit dhe do të garantojë të drejtat e grave sipas Sheriatit.

Ai tha se talebanët do të amnistojnë ata që luftuan kundër tyre dhe se do të krijojnë një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Ne nuk duam luftë. Duam paqe në Afganistan, prandaj u zhvilluan bisedimet”, tha ai.

Duke ditur të kaluarën e dhunshme të talebanëve, shumë dyshojnë mbi këto zotime.

Bashkëpunimi i talebanëve për evakuimin e sigurt të qytetarëve amerikanë dhe aleatëve afganë do të jetë testi kyç për administratën Biden.

“Nëse shihet se do të ketë proceseve të përgjegjshme për këto dhe çështje tjera, si kërcënimet e mundshme terroriste në të ardhmen, ose përparimi i rajonit në një periudhë afatgjatë, që është edhe strategjia jonë, mendoj se mund të krijohet një imazh i besueshëm, brenda dhe jashtë vendit. Por do të duhet punë e madhe dhe rezultate konkrete”, thotë Earl Anthony Wayne nga Qendra Wilson.

Zoti Biden u largua herët nga vendpushimi presidencial Camp David për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë mbrëmjen e së martës.

Ai po përballet me kritika nga ligjvënësit republikanë dhe demokratë, të cilët janë zotuar të hetojnë mënyrën e tërheqjes nga Afganistani, që deri tani është kriza më e madhe e politikës së jashtme të Presidentit Biden./voa

Please follow and like us: