Albspirit

Media/News/Publishing

55 vite pa intelektualin Tajar Zavalani

Le të kujtojmë intelektualin eruditit të përmasave europiane, me një biografi të pasur prej shkrimtari, gazetari, përkthyesi, historiani e politikani, njeriu që investoi një jetë të tërë në BBC, Tajar Zavalani (15 gusht 1903 – 19 gusht 1966) me një artikull, që ndonëse është shkruar në vitin 1933 është ende aktual…

 

Tajar ZAVALANI: Gruaja moderne

 

Me qenë se “Sonata e Kreutzer-it” i dha një farë aktualiteti çështjes së gruas, sot në këto shtylla do të merremi me një libër që flet mi gruan moderne, gruan e re.

Thamë se Tolstoi kish të drejtë në esencë kur analizonte krizën e marrëdhënieve seksuale. Këtë krizë ay e shihte në prishjen e traditave mi shenjtërinë e martesës, mi besnikërinë e të martuarve kundrejt njëri tjetrit. Pas Tolstoit arësyeja e vërtetë e kësaj krize vjen nga që burrat e shikojnë gruan vetëm si një mjet dëfrimi, martohen ashtu sikur blejnë një plaçkë dhe nuk çajnë kokën të hyjnë në shpirtin e gruas që të kënaqin nevojat e saj spirituale.

Kështu që burrin e gruan i lith vetëm dashuria e senseve, nevoja fiziologjike kurse në shpirt, në ndjenjat, në mendimet ata mbeten të huaj njëri për tjetrin. Edhe si zgjidhje të krizës seksuale Tolstoi propononte një utopi reakcionare, e cila është mohimi i jetës dhe i çdo përparimi.

Rryma historike me fuqinë e saj të papërkulshme shkoi përpara pa marrë parasysh theoritë e fillozofëve ëndëronjës. Se zhvillimi i shoqërisë njerëzore nuk është bërë, të pakën gjer më sot, pas planeve të paramenduar të utopistëve që ndërtojnë sisteme pa dalë nga shtëpia.

Kriza seksuale u shvillua, u thellua, u ashpërua, arriu kulmin, sidomos nga lufta e këtej. Me gjithë këtë format e vjetra nuk u çduknë: njerëzia vazhdojnë të martohen, të rrojnë pa lidhje morale, t’i vënë brirë njëri-tjetrit, të farmakosen, të vriten. Asnjë theori, asnjë thirrje, asnjë sistem i moralistëve të skandalizuar nuk qe në gjendje të ndalojë këtë rrymë të fuqishme të evolucionit social. Mirëpo: nga e keqia del e mira. Fjala e thellë e urtësisë popullore gjeti këtu një vërtetim të shkëlqyer. Kriza vetë krijoi tipin e ri të gruas. Atë që se bënë dot fillozofët me sistemet e tyre e bënë fuqitë e verbëra të jetës. E shtypur nga nevoja ekonomike gruaja la vatrën e familjes dhe dolli të kërkojë punë për të rojtur; u përpoq ballë për ballë me realitetin ku mbretëron principi i “struggle for life”, domethënë i konkurencës së pamëshirëshme, i luftës së të gjithëve kundër të gjithëve. Përpara gruas u çelën dyert e shkollave, e universiteteve, e magazinave, e zyrave, e spitaleve, e laboratorëve etj. Kështu që sot numri i stenografistëve, daktilografeve, kasiereve, modistave, doktoreshave, avukateshave, me një fjalë i grave që punojnë, nuk bëhet hesap. Gjer die ishim mësuar të shihnim në këto detyra ca plaka të fishkura, të krusura me syzat mbi hundë, me leshra të bardha e me shkop në dorë. Sot shohim vajza të këndëshme, gra në lulen e moshës, të bukura, të qeshura, plot jetë e gjallëri.

E dobët, pa pështetje, naive, e mitur, sentimentale, plot iluzione e paragjykime, gruaja në fillim u shtyp nga kontakti i parë me realitetin e ashpër. Shumë prej tyre nuk qenë të zonjat t’i bëjnë ballë situatës së re dhe u mundnë – prandaj rëketë me lot, tragjeditë shpirtërore, vetëvrasjet nuk kanë hesap. Por, dal nga dalë eksperienca u shtua, gratë që kaluan me sukses këtë provë të zjarrit u treguan rrugën të tjerave. Kështu u krijua tipi i ri i gruas moderne, i gruas beqare, i thotë Z-a Kollontai. Edhe gjëja më interesante në librin e saj është studimi paralel në mes të gruas së gjeritanishme, gruas së vjetër, dhe gruas së re, gruas që punon.

Gruaja e vjetër, domethënë gruaja e edukuar pas sistemit të vjetër, është skllave e ndjenjave të saj. Kurse gruaja e re, e cila është shtrënguar të punojë për të rrojtur, duhet t’i dominojnë ndjenjat, të stërvitë vullnetin e saj që t’u bëjë ballë me sukses vështirsive të panumërta të jetës. Puna nuk pyet në je i brengosur, në e ke zemrën të thyer, po lyp që të jesh në krye të detyrës në orën e caktuar. Prandaj gruaja që punon duhet t’i fshehë ndjenjat, vuajtjet e saj morale prapa një muri gjakftohtësie dhe t’i jepet me tërë fuqinë punës që bën.

Gruaja e vjetër ish e mësuar të çfaqej gjithmonë e bindur, e përulur përpara burrit, zotit fuqiplotë; të fshihte ndjenjat, mendimet, me një fjalë shpirtin e saj, dhe të bëhej si një hije e burrit. Gruaja e re duke mësuar, duke punuar, duke u përpjekur ball për ballë me jetën, u bë një personalitet, filloi të ketë një pikëpamjen të sajën mi këto çështje. Prandaj gruaja moderne kërkon që burri të mos buzëqeshë me ironi kur ajo çfaq një mendim, po të përpiqet t’a kuptojë, të mundohet t’a bindë me argumenta të logjikëshme dhe të respektojë mendimet e saj.

Gruaja e vjetër nuk dinte t’a çmonte indipendecën personale. edhe s’kish se ç’t’a bënte këtë independencë kurse po të mos kish përkrahjen e burrit nuk ish e zonja t’i bënte ballë jetës asnjë ditë. Gruaja e re duke filluar të rrojë me punën e saj, duke u bërë materialisht independence nga burri, nisi të çmojë edhe independencën morale.

Për gruan e vjetër tërë kuptimi i jetës përmblidhet në ndjenjat e dashurisë, kaqë sa po të kish zemrën e zbrazët tërë jeta i dukej e zbrazët. Burri i dashur ishte gjithçka për të; ajo nuk ish e kënaqur kur burri nuk merrej tërë kohën me të. Kurse duke marrë një pjesë aktive në jetën sociale, duke u bërë një vitull e dobishme në maqinën e jetës ekonomike gruaja zgjeroi horizontin e saj. Për gruan e re dashuria nuk është më tërë kuptimi, tërë përmbajtja e jetës. Kjo nuk do me thënë se ajo nuk është e zonja të dojë. Përkundrazi duke mësuar, duke punuar, duke vuajtur, duke zgjeruar horizontin, gruaja e re pasuron natyrën e saj dhe dashuria e saj bëhet më e hollë, më e komplikuar, më e thellë. Vetëm në periudhat kur nuk është e rrëmbyer nga vala e pasionit, gruaja moderne ka me se të merret dhe nuk vuan nga zbrazësia e jetës.

Këto janë me pak fjalë karakteristikat më kryesore që e çquajnë gruan moderne nga e vjetra. Tani, na pëlqen neve a s’na pëlqen ky tip i ri i gruas, ajo është tjetër punë. Ne këtu duam të kuptojmë atë që është, të kuptojmë gruan e shekullit të XX.

Sot për sot gruaja moderne është në pakicë, edhe shumica e burrave nuk janë pajtuar me këtë realitet, domethënë nuk e shikojnë këtë tip gruaje si një gjë normale. Prandaj kriza seksuale vazhdon në një kaos të plotë. Se fundi i fundit ajo është lidhur me krizën e madhe ekonomike dhe morale që po kalon njerëzia, dhe njëra nuk mund të zgjidhet pa tjetrën. Sido qoftë zgjidhja do të vijë duke shkuar përpara e jo duke u kthyer prapa.

Botuar në 1933.

Please follow and like us: