Albspirit

Media/News/Publishing

Dashnor Dervishi: Mbijetesa e hebrejve

Historia njerëzore njeh lulëzimin dhe asimilimin e kulturave dhe popujve të ndryshëm. Fqinjët e vjetër, egjiptianët, janë zhdukur, rivalët e vjetër grekë janë të vdekur dhe të varrosur. Nga antikiteti, këtyre dy kombeve moderne sot u ka mbetur vetëm emri; po ashtu, sundimtarët e vjetër romakë u zhdukën. Fenikasit dhe Edomitët nuk gjenden askund. Në të vërtetë, asnjë prej kulturave që populluan Lindjen e Afërt Biblike, atë djep problematik të civilizimit, besimit dhe fanatizmit, nuk mundi të mbijetonte gjatë dy mijëvjeçarëve të fundit.

Popujt që luajtën një rol të rëndësishëm në skenën e ngarkuar teologjikisht, në të cilën u luajt drama e madhe e Jezuit, të gjithë kanë ndryshuar. Ndërkohë, në vitin 2000 hebrenjtë festuan dymijëvjeçarin e ditëlindjes së djalit më të njohur në botën hebraike, në tokën ku lindi, u rrit dhe u varros. Jezui, çuditërisht hebre, i mbijetuar ndaj sprovave të përgjakshme të përzgjedhjes natyrore të historisë, vazhdon t’i shërbejë popullit të tij, duke e kthyer Izraelin në një vend pelegrinazhi nga e gjithë bota, të rrethuar nga kushërinjtë e tyre armiqësorë.

Ndërsa në shekullin e 21-të nuk ka asnjë vend ku flitet gjuha e Egjiptit antik ose e Greqisë së lashtë apo edhe latinishtja, në qendër të qytetit të Jerusalemit, vetëm një milje larg Golgotës (kodra ku u kryqëzua Jezui), të rinjtë flasin nëpër rrugët e qytetit me fjalë që do të ishin plotësisht të njohura për Pjetrin, Palin dhe Gjon Batistin.

Si është e mundur që, ndërsa perandoritë u shembën dhe kulturat e tyre avulluan në ajër, ky fis gjeti një mënyrë për të mbijetuar? Çfarë ndodhi me këta njerëz që prodhuan Jezuin, që i bëri ata kaq të guximshëm për të mbijetuar ndër epoka?

Profesori Israel Knohl i Universitetit Hebraik në Jerusalem shpjegon se një nga arsyet e mbijetesës së mrekullueshme të hebrenjve, është aftësia unike që ata fituan që në shekullin e 6 p.e.s., pasi u dëbuan nga atdheu i tyre për herë të parë.

Ishte gjatë periudhës së parë të mërgimit, kur pasardhësit e Judesë krijuan një kulturë kombëtare jo të varur nga Toka dhe Mbretëria, por nga një kujtim i një Toke dhe të etur për një Mbretëri të ardhshme. Ndërsa vajtonin buzë lumenjve të Babilonisë, hebrenjtë zbuluan se të kujtonin Zionin, mund të funksiononte më mirë për ta sesa të jetonin në Zion. Prandaj, duke formuar një kulturë të mbështetur në një kujtim të asaj që kishte humbur dhe një dëshirë për atë që mund të ishte një ditë, Judenjtë e mërguar, pa dashje u përgatitën për katastrofat e ardhshme historike. Kështu që, kur fatkeqësitë u ndodhën më vonë, herë pas here, hebrenjtë kishin krijuar një imunitet më të mirë brenda vetvetes sesa shumica e fqinjëve të tyre të fuqishëm.

Arsyeja tjetër e mbijetesës qëndron tek ideja e Zotit, i cili qysh në fillimet e para të ekzistencës së tyre kolektive, 2.000 vjet përpara lindjes që ndodhi në Betlehem, udhëhoqi hebrenjtë me idenë që ata kishin një marrëdhënie të veçantë, intime, me të Plotfuqishmin. Ata besojnë se vetë Zoti i ka zgjedhur ata dhe se duke qenë dëshmitarë të tij në këtë botë, ata jetojnë nën vulën ekskluzive hyjnore të kujdesjes së tij.

Ndoshta ka vërtet një Zot, që me të vërtetë tregon një interes personal për banorët e Izraelit; në këtë rast ky shpjegim mund të përfundojë me kaq. Por edhe nëse kjo ide për një çast ishte empirikisht e gabuar, edhe nëse Zoti monoteist miqësor hebre nuk ishte gjë tjetër veçse një pjesë e mirë e trillimeve hebraike, e gjitha kjo ka shërbyer si një trillim i dobishëm. E dimë shumë mirë, që nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa besimi në aftësinë personale, për t’u mbajtur në këmbë, kur ecja bëhet e vështirë. Dhe nëse duhet të kalohet nëpër atë që kanë kaluar hebrenjtë në shekujt e urrejtjes dhe përdhosjes, pa dyshim që kjo ka një avantazh të madh në ruajtjen e përshtypjes, se e gjithë kjo vuajtje nuk është e rastësishme, jo thjesht një fat i keq, por përkundrazi, është disi e lidhur me faktin e të “zgjedhurit”. Se është dhënë një mision, duke u përcaktuar për të qenë një komb nën Perëndinë.

Besimi fetar është një arsye tjetër që ndihmoi mbijetesën e hebrenjve. Megjithë goditjet e fuqishme që kanë marrë në shekuj dhe përpjekjet për t’i shfarosur, hebrenjtë jetuan në sajë të besimit të tyre fetar, ruajtjes së traditave dhe institucioneve të tyre autonome vetëqeverisëse dhe ligjeve të tyre të përmbledhura në librin e shenjtë të TORAH. Këto ligje ata i morën me vete kudo që shkuan dhe i aplikuan me fanatizëm në komunitetet e tyre, që nuk u përzjenë kurrë me popullatën e vendeve pritëse. E përbashkëta për këto komunitete të shpërndara në të gjithë botën, ishte ëndrra për t’u kthyer në tokën e të parëve, në atë krahinë, që në kohën e pushtimit romak u quajt Palestinë dhe ku vazhdonin të jetonin ende bashkëkombës të tyre.

Bibla, sipas disa studiuesve, ishte ajo që i bëri hebrenjtë shumë ndryshe nga të gjithë popujt e tjerë të lashtë të Mesdheut. Sepse hebrenjtë ishin të vetmit që kishin vendosur një tekst kanonik në thelbin e jetës së tyre shoqërore dhe publike. Ky tekst, Dhiata e Vjetër, nuk ishte vetëm një dokument i shenjtë letrar dhe nuk ishte vetëm një depozitë e miteve të lashta dhe kujtimeve të përbashkëta, por ishte gjithashtu një kushtetutë e përdorur çdo ditë për të vendosur çështjen e sjelljes së përbashkët dhe individuale.

Prandaj nuk është për t’u habitur që hebrenjtë arritën të jenë kombi i vetëm i antikitetit klasik, që kanë pasur një shkrim e këndim të vazhdueshëm. Veçanërisht pas shkatërrimit të Tempullit të Dytë, pas humbjes së sovranitetit të tyre (vetëm disa dekada pas vdekjes së Krishtit), hebrenjtë i kthyen shkrimet e tyre të shenjta, Biblën, Mishna dhe Talmud, në një zëvendësim të atdheut, në një faltore dhe në një strukturë të qëndrueshme politike.

“Judaizmi është bërë një kulturë e të mësuarit, që e shndërroi tekstin në një tempull lëvizës”, thotë profesori Moshe Halbertal i Institutit Shalom Hartman në Jerusalem. “Profeti, i cili varej nga historia dhe prifti që varej nga ritualet dhe tempulli, u zëvendësuan nga studiuesi shembullor, i cili mund ta gjente Zotin në çdo nuancë që zbulonte në tekstet e shenjta”.

Kështu që shkrimet e shenjta dhe të mësuarit, komentet dhe studimet, u bënë armët e fshehta të hebrenjve në luftën e tyre të vazhdueshme kundër asgjësimit kulturor. Në fakt, ata punuan më mirë se të gjithë legjionet e Romës dhe gjithë fuqia e Perandorisë. Mund të thuhet se hebrenjtë i mbajti gjallë përkushtimi ndaj tekstit. Por kjo do të ishte e pamjaftueshme, sepse historia e tyre nuk ka të bëjë vetëm me fjalë.

Dhe së fundmi, përndjekja dhe Holokausti si veprimi më i madh i persekutimit, përveçse zhduku “Çifutërinë evropiane”, në fund të shekullit të 20-të, i dha një shpjegim të rëndësishëm fenomenit dhe forcës krijuese të identitetin hebre.

Shumë prej hebrenjve të Amerikës mendojnë për Auschvitz më shpesh sesa mendojnë për Jerusalemin. Kampet e përqendrimeve konkurrojnë me sinagogat si faltore të formimit të identitetit. Për sa i përket furnizimit me pika domethënëse referimi për një ndjenjë të sotme të hebraizmit, Spielberg tejkaloi peshën e Maimonides.

Përndjekja shkaktoi mbijetesën. Profesor Israel Knohl shpjegon se, “ne qëndruam së bashku, duke u martuar dhe duke mbajtur komunitete elastike, sepse në emër të Krishtit, johebrenjtë vazhdimisht përpiqeshin të na vrisnin, plaçkitnin ose shndërronin në besim. Ne mbetëm etnikisht të dëlirë sepse u përndoqëm. Ne mbijetuam përkundër persekutorëve tanë dhe mbijetuam për t’i përndjekur përndjekësit tanë”.

Por a mjafton kjo, shtron ai pyetjen. A do të mbijetojnë hebrenjtë për të parë fundin e mijëvjeçarit të tretë me forcën e kombinuar të kujtesës, Zotit, Biblës dhe persekutimit? Sot, shumë gjëra kanë ndryshuar. Asnjë pjesë e kompletit unik të mbijetesës nuk është ajo e mëparshmja. Më pak se gjysma e hebrenjve do të rrëfenin sot për një besim të vërtetë në perëndinë e etërve të tyre. Përndjekja është në rënie. Dhe kujtesa e një vendi të largët nostalgjik është zëvendësuar nga Shteti i vërtetë i Izraelit, me pasojat që krijon një shtet. A do të ndjekin hebrenjtë, pasi janë bërë vetëm një komb tjetër historik, Fenikasit dhe Edomitët në harresë?

Mbase jo. Sepse, ashtu si vetë Krishti, ata janë të ndërthurur në histori. Ashtu si vetë Krishti, ata jo vetëm që kanë udhëtuar gjatë mijëvjeçarit, por edhe e kanë shkaktuar atë. Pra, për sa kohë që i numërojmë vitet ashtu si bëjmë, do të kujtojmë njeriun që u gabua si Mbret i Judejve. Dhe për sa kohë që ai do të kujtohet, hebrenjtë do të jenë aty për të dhënë versionin e tyre, i cili është shumë i ndryshëm nga ai, por megjithatë i lidhur shumë ngushtë me të. Ndoshta përjetësisht kështu.

Please follow and like us: