Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova, strategji nacionale për drejtësi tranzicionale

U mbajt takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e Strategjisë nacionale për drejtësi tranzicionale/

-Kryeministri Kurti: Ne si Qeveri tashmë e kemi bërë të qartë fokusin tonë në ballafaqimin me të kaluarën/

-Ministrja Haxhiu shprehu përkushtimin e plotë për hartimin e një strategjie që është në përputhje me ligjin vendor dhe ndërkombëtar/

PRISHTINË, 18 Gusht 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës në një njoftim të dërguar bën të ditur se,  sot është mbajtur takimi i parë i grupit punues për hartimin e strategjisë nacionale për drejtësi tranzicionale. Pjesë e takimit të parë ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij hyrës ftoi anëtarët e grupit punues, që të bashkojnë të gjitha nismat të cilat i përkasin ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësisë tranzicionale. “Ne si Qeveri tashmë e kemi bërë të qartë fokusin tonë në ballafaqimin me të kaluarën. Për momentin ekzistojnë disa nisma që janë në proces e sipër, të gjitha të lidhura me krimet e kryera gjatë luftës. Përtej asaj që kjo strategji duhet të përfshijë të gjitha këto nisma, duhet që të ekzistojë edhe bashkëpunim i ngushtë e kuptimplotë në mes tyre”, u shpreh kryeministri Kurti. Më tej, u theksua qëllimi i përbashkët që ka të bëjë me krijimin e kujtesës kolektive, e cila do të shërbejë edhe për gjeneratat e ardhshme, brezave që vijnë pas nesh. “Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme. Por, mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur mend është, që paqja kërkon drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë që të dyja” u shpreh mes të tjerash Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e Strategjisë për drejtësi tranzicionale. Ndërsa krahas kryeministrit Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke theksuar më tej rëndësinë dhe seriozitetin që kërkon kjo strategji, kërkoi nga ky grup punues që hartimi i strategjisë për drejtësi tranzicionale të bëhet në konsultim të vazhdueshëm me qytetarët që janë prekur nga lufta në mënyrë që kjo strategji të pasqyrojë më së miri përvojat, nevojat dhe të drejtat e viktimave. “Një iniciativë e tillë ka qenë më se e nevojshme që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por që në mungesë të një marrëveshje paqeje, mjetet dhe mekanizmat që përbëjnë drejtësinë tranzicionale u ndërmorën ad-hoc, shpesh me mandate të mbivendosura dhe të përcjella nga mungesa e vullnetit politik për ta bërë ballafaqimin me të kaluarën prioritet në agjendën shtetërore”, potencoi ministrja Haxhiu. Ministrja shprehu përkushtimin e plotë për hartimin e një strategjie që është në përputhje me ligjin vendor dhe ndërkombëtar, nëpërmjet së cilës synohet të përmbushen të drejtat e viktimave jo vetëm si të drejta individuale por si të drejta kolektive të shoqërisë në tërësi.

Please follow and like us: