TËRBIM NË LUMIN ZAMBEZI
TËRBIM NË LUMIN ZAMBEZI
– Tregim amerikan – M. Dyson
Përkthim nga Agim Xh. Dëshnica
– Mirëse erdhët në Zambez! – i përshëndeti Pol Templeri gjashtë turistët, që do të shoqëronte me kanoe e kajak nëpër lumin e madh afrikan. Teksa lundrat bënin përpara drejt Ujëvarës së zhurmshme Viktoria, grupi shpresonte të shihte nga afër elefantët, krokodilët dhe hipopotamët.Qe një ditë e bukur marsi me qiell të kaltër.Puhiza e freskët e erës frynte lehtë e lehtë.Në vozitje e sipër, drejtuesi 27 -vjeçar i lundrave Templer, i argëtonte udhëtarët me ndodhi gazmore, por edhe tronditëse nëpër lumenj, dhe më në fund shtonte këshilla e njoftime.
– Zambezin zakonisht e quajnë “Rrjedha mbretërore”. Puna jonë është të vozisim, kurse ju të rrini ndenjur e të pushoni rehat.
Ndërsa vendoste revolverin e fishekët në brez, ai u foli shkurt edhe për rreziqet e mundshme gjatë lundrimit:
– Lumi është plot me krokodilë, ndaj mos e zgjatni dorën në ujë! Krokodili ngjan si peshk, ose si lulja e kroksit, që janë dy nga ushqimet e tij më të kërkuara. Rreziku tjetër vjen nga hipopotami! Ai, kryesisht, jeton në brigjet e lumenjve, zona që ne i njohim mirë dhe mund t’i mënjanojmë, por nganjëherë atij i kërcet damari i lig, dhe papritur sulet dhe përplaset me lundrën.
Tek fliste, Templeri buzëqeshte me turistët, që dihasnin me dridhmë nga ato rrëfime të frikshme.
– Përplasja mund t’ju vërvisë drejt e në ujë! Dëgjoni ç’ju them? Nëse ndodh kështu, mos u rrëmbeni nga paniku dhe mos e humbni toruan nëpër valë! Hipopotamit mund t’i shmangesh më lehtë se kreokodilit!
Në ekuipazh, përveç tij, bënin pjesë MakNamara, 31 vjeç, që shoqëronte grupin në Kajak.Ben Sinbadi, 24 vjeç, vozitësi i kanoes së dytë dhe Evans Namasango, vozitës në kanoen e tretë, një tip gazmor, 22 – vjeçar, i cili pak kohë më parë kishte dhënë provimet për ndihmësudhërrëfyes. Templeri qysh në fillim ia çmoi vetitë e mira dhe punën, ndaj kujdesej për të, thuajse, çdo ditë.
Ai i ndau turistët dy nga dy. Në lundrën e vet mbajti Johem Shtahmanin me bashkëshorten Gundi nga rrethinat e Bremenit të Gjermanisë. Në kanoen e Sinbadit la Muriel Fisherin me të fejuarën, Pierre Langarde.Ndërsa Natali Grasota dhe Mark Skorupka, lundruan me Namasangon.Katër nga turistët ishin punonjës të kompanisë Air France.
* * *
Templerit i qeshën sytë, kur flotilja e vogël hyri në rrjedhën e shtruar të Zambezit.Ai qe rritur në savane e, sidomos, në bazat e largëta ushtarake.I ati kishte shërbyer me gradën e kapitenit në ishkoloninë Britanike në Rodezinë e jugut, e njohur tashmë me emrin Zimbabve.
Me ato shpatulla të fuqishme prej notari a mbrojtësi të regbisë, Templeri ishte i pajisur me dhuntitë e një atleti të shkathët. Në kohën kur punonte në Izrael, iu shkrep të kalonte me traktor përmes një fushe të minuar në Jordani, për të blerë birrë. Por, kjo shaka i kushtoi shtrenjtë, e dëbuan nga Izreli.
I kthyer në Zimbabve, tek pushonte me shokët e vet në breg të liqenit Kariba, atypari kaluan disa lundra ekspedite.“Kjo është udha, që duhet të ndjek!” – tha ai me vete.
Me vullnet e vendosmëri për tre muaj, kreu me sukses kursin njëvjeçar për drejtësi, qitje dhe histori natyre.Pas provimeve të vështira, mori dëshminë e udhërrëfyesit për në lumenj.
Mbi tetëmbëdhjetë muaj ai punoi si mbikqyrës në lundrimet e largëta me kanoe, duke udhëhequr turistët në afërsi të zonave me kafshë të egra.Ndërkohë, kujdesej edhe për jetën e tyre.Njëherë i ktheu mbrapsht disa vizitorë japonezë, që po shkonin si pa të keq drejt luanëve, duke shkrepur aparatet fotografikë. Në ato vise gjallon edhe hipopotami, një nga kafshët më të rrezikshme të Afrikës. Dy dhëmbët e poshtëm të hipopotamit mashkull, mbi njëzet centimetra të gjatë, shtrihen jashtë, si shufrat e pirunit të ngarkim-shkarkimit, ndërsa dy dhëmbët e qenit ulen nga lart – poshtë në nofull, përkundrejt dy të tjerëve, që çohen përpjetë si thikat e makinës grirëse të ushqimeve.
Shpesh herë hipopotami përplaset me kanoet dhe i hedh në lumë udhëtarët. Para dy vitesh nga kafshimi i tij një udhërrëfyes humbi njërën këmbë. Gjashtë muaj më parë nga përplasja në fundin e kanoes, Templeri dhe dy udhëtarët fluturuan në lumë. Po i njëjti hipopotam, iu qep lundrave të tjera e i goditi.
Nga lundërtarët, që vinin përkundrejt, merrte njoftime për zona të rrezikshme, të cilave duhej t’u rrinte larg.Ndërsa tani Templeri me flotiljen po kalonte përmes ishujve shkëmborë të një zone të re, të panjohur ndonjëherë. Në kohën, kur kanoeja e Templerit po rrëshqiste ngadalë në rrjedhën e lumit, në largësi nga bregu sa gjatësia e lopatës, tridhjetë metra më tej u duk kopeja e hipopotamëve. Mbi lëkurën e errët një lëng i kuqëremtë që i mbron nga rrezet e diellit, jep përshtypjen, sikur kafshëve u kullojnë shtatë palë djersë.
Me zë të ulët Templeri shpjegoi se hipopotami nga toka në shpatulla është mbi një metër e gjysmë i lartë, kurse nga noçka në bisht, mbi katër metër i gjatë. “Aq sa BMV-ja ime!”, – mendoi Shtahmani.
– Nisemi! – tha Templeri dhe voziti më tutje. Tek po kalonte një hipopotam femër, që prehej mbi ujë me dymbëdhjetë viça pas, dielli po varej pas majave të drurëve.
Templeri tha se pas dyzet minutash, tërë grupi, duhej të zbriste menjëherë në breg, prej nga turistët do të ktheheshin mbrapsht, me kamion për në hotele.
Fundi i kajakut të MakNamarës takoi buzën e shkëmbit, ku një prej rrjedhave të lumit derdhej te një pellg i gjerë afro gjashtëdhjetë metra.Sinbadi me Templerin vozisnin në rrjedhë tjetër, të ndjekur nga Namasango.Templeri u jepte zemër e i udhëzonte t’u shmangeshin hipopotamëve të fshehur nën ujë.Papritur, u dëgjua diçka e ngjashme me bubullimën. Bam! Një hipopotam mashkull u përplas me kanoen e Namasangos.Pupa e saj u ngrit në ajër, thuajse një metër lart, ndërsa drejtuesi u rrotullua e u flak jashtë.Templeri ktheu kokën dhe e pa pjesën e pasme të kanoes mbi shpatullat e hipopotamit të tërbuar, që hapi gojën e llahtarshme dhe u zhyt befas nën ujë. Teksa udhëtarët, Grasota e Skorupka, po bënin çmos të nivelonin kanoen, Namasango, duke gulçuar, mezi po mbushej me frymë.
Templeri voziti mbrapsht drejt tij.
– Prit! – bërtiti ai.
Të mbetur pa rema, Grasota e Skorupka, punonin çmendurisht, duke rrahur me duar ujin, për ta larguar kanoen nga zona e hipopotamit. Në atë kohë Sinbadi i dha kanoes drejt ujërave të cekta. Disa metra më tej, udhëtarët e tij, Fisher dhe Langarde, u hodhën mbi sipërfaqen e një toke shkëmbore.
Ndërkaq, Namasango u kap me duar në njërin krah te kanoeja e Templerit. Ky vuri re se ajo po anohej e mund të përmbysej.
– Shko prapa! – i tha dhe voziti dalëngadalë afër tij.
“Hipopotami nuk kthehet më këtu!”, – tha me vete. Shtahmani u përkul në krahun e djathtë, për të ruajtur ekuilibrin e kanoes, ndërsa Templeri në të majtë, i nderur jashtë, i zgjati dorën Namasangos për ta rrokur. Në çastin kur gishtat e tyre ishin fare afër, papritur hipopotami me gojën hapur, brofi mbi ujë ndërmjet tyre si kamionçinë me motor pa kapak. Stërkala uji dhe ulërima si krisma topi shpërthyen nga gryka e frikshme ngjyrë rozë e portokalli e bishës. Për një hop ajo ia përfshiu me gojë duart Templerit dhe e tërhoqi pas vetes. Me dhëmbët mizorë e kafshoi në sup, në bel e në shpinë, pastaj u zhduk sërish nën ujë.Aq shpejt ndodhi ajo përplasje e beftë, saqë kanoeja për disa çaste qëndroi drejt, para se të humbiste drejtpeshimin, të binte ngadalë, dhe Shtahmanin ta hidhte në lumë.
Hipopotami, duke e tërhequr Templerin me peshë nëntëdhjetë kile, tre pashë nën ujë, nisi të luante me të, si macja me miun. Me fytyrën përmbys në gojën e hipopotamit, ai s’po merrte vesh se në ç’vend ndodhej. “Ku jam këtu!?” – habitej Templeri. Pas pak, gjoksi i tij u çlirua nga shtrëngimi. Sapo hipopotami hapi nofullat, Templerit iu lirua njëri krah dhe lëvizi përqark. Duke i dhënë trupit mbrapsht, u përpoq të shkëputej dhe të mbahej diku. Zgjati gishtat dhe kapi bishtin e ashpër e të fortë të hipopotamit.U pushtua nga njëfarë shprese.Iu bë sikur po e shihte veten si në film. Kur iu lirua edhe krahu tjetër, iu shtuan shpresat për shpëtim. Hipopotami, që e kishte gërvishtur me dhëmbë në faqe dhe në zverk, papritur e lëshoi.Në çast Templeri u sul përpjetë dritës dhe doli në sipërfaqen e lumit.Të parën gjë që vuri re, ishte gjendja e Namasangos, i cili duke gulçuar, mbahej me vështirësi mbi ujë.
– Noto, Evans! – i thirri. – Hë, edhe pak, se ja, arritëm!
Por ai, me sa shihej, e kishte humbur gjykimin, ndaj Templeri e tërhoqi prej jake drejt bregut. Befas ndjeu të therura në këmbë nga një peshë e rëndë.“Mos u kthye hipopotami prapë?” – tha me vete në çast. Dhe ndjeu se ai kësaj here ishte tërbuar.E mbërtheu me dhëmbët e mprehtë nga poshtë. Templeri hoqi dorën nga jaka e Namasangos, me shpresë se ai do të dilte vetë në breg. Në ato çaste i ra ndër mend se hipopotamët mbajnë frymë nën ujë gjashtë minuta, kurse njeriu tre ose katër. Në kulmin e dëshpërimit, e grushtoi dhe ia tërhoqi bishtin. Këmbët iu liruan, por njëra dorë i ngeci në gojën e hipopotamit. Megjithatë, nuk u ndal.Mblodhi tërë fuqitë dhe e goditi me shqelma ku mundi, në kokë, në sy, nën bark e në vithe. Ndërkohë, shfrynte: “Hiqmu qafe, shtazë e mallkuar!” Befas iu shkëput, e kur MakNamara e pa mbi ujë, e ngau kajakun drejt tij.
– Noto në krahun tim! – i thirri.
Por hipopotami mbërriti i pari dhe u preu udhën.Me nofullat e llahtarshme e mbërtheu Templerin dhe e mbajti përgjysmë mbi ujë, kokën e shpatullat në një anë, këmbët në anën tjetër. Krahu i majtë i Templerit mori të çara si me gërshërë nga dy dhëmbët e mprehtë të hipopotamit, teksa dy të tjerët e shpuan në gjoks. Sakaq ndjeu dhimbje të forta në brinjë. Në furi e sipër bisha e vërviste sipër ujit sa andej – këtej. Herë e zhyste dhe herë e nxirrte jashtë. Templeri vërtitej djathtas e majtas, poshtë e lart. Me dorën e lirë u përpoq të kapte revolverin, por më kot! Ai i kishte humbur.S’merrte dot frymë.Mendja po i turbullohej.“Nuk mundem më!” – pëshpëriti si në jerm. Megjithatë, vazhdoi të luftonte, duke e grushtuar lëkurën e fortë të shtazës.
Befas hipopotami u dorëzua para atij njeriu të paepur.E shtyu nën ujë dhe u largua duke shfryrë.Templeri brofi lart për në kajakun e MakNamarës.
– Më nxirr këtej! – i foli me gjysmë zëri dhe u kap në litarin e kajakut.
Sapo hynë në ujërat e cekta, e para gjë që i shkoi ndër mend Templerit, ishte shpëtimi njerëzve.
– Duhet t’i nxjerrim të gjithë në breg! – tha me pak zë. – Ku është Evansi?
Fisheri dhe Langarderi e kishin parë në rrjedhën e poshtme të lumit, teksa lëvizi duart mbi kokë dhe pastaj u zhduk në thellësi.
Templerin e mposhtën dhimbjet.
– Ah, ç’e papritur e tmerrshme! S’gjej fjalë ta tregoj! – tha duke rënkuar dhe u kërrus mbi ujë.
MakNamara pa tmerrin nën veshjen e shqyer të Templerit. Krahu i djathtë i qe ndarë në dy pjesë. Nga gjoksi, shpina e pulpa e këmbës së majtë i rridhte gjak.Përmes një vrime i dukej cipa e mushkërive.
Çanta e ndihmës së shpejtë dhe radiomarrësja ishin zhdukur në lumë, kur kanoeja u përmbys pas mësymjes së hipopotamit.Pra, jeta e Templerit ishte në rrezik.MakNamara grisi menjëherë qesen e ushqimeve dhe sajoi disa rripa. Me to ia mbuloi vrimën në kraharor dhe ia lidhi plagët nga rridhte gjak. Në atë gjendje MakNamara dhe Sinbadi e mbartën me kajak. Për gjashtë minuta dolën në breg.Në qytezën më të afërt nuk gjetën asnjë kirurg. Së andejmi, me një furgon të ndihmës së shpejtë, brenda tri orësh, në mes të natës, mbërritën në Balauej. Kirurgu ortoped Bekitheba Nkabe, rreth të dyzetave, i njoftuar qysh më parë, priste në spital. Përveç mjekimeve në kokë, në gjoks e në shpinë, doktor Nkabe ia preu krahun e djathtë. Operacioni zgjati shtatë orë.
Pas dy ditë kërkimesh, trupin e Evans Namasangos e gjetën në fund të ujërave.
Deri më sot, në tërë lumin e madh Zambezi, askush s’është përballur me aq guxim e vendosmëri me hipopotamin e tërbuar, si Pol Templeri.Pas dorëheqjes nga puna e udhërrëfyesit, ai i la lundrat e lumenjtë dhe u kthye në Savane.Atje shërbeu në ekspeditat, që përshkonin Zimbaven, Namibinë e Bostvanën.
Sado që u përpoqën gjahtarët profesionistë ta bindnin administratën e Parkut kombëtar dhe të kafshëve të egra, që ta vrisnin hipopotamin e tërbuar, nuk ia arritën. Ai ndodhet ende atje, në lumë, dhe pret të tjera viktima!
Nga poezia klasike kineze
Li Bo
7 01-762
PI VETEM
Mes lulesh vendosa poçen,
Kur nata ish e qetë.
Dhe shtruar nisa të pi verë
Pa mik i mbetur shkretë.
Të pinim bashkë i thirra hënës,
Në orë të mirë përmbi dhe,
I çova fjalë hijes sime
E tok u bëmë tre.
A mundet të pijë hëna,
Pyes unë për një çast,
Dhe hija ime, që s’më ndahet
E shpesh më qepet pas?
Me hënën e hijen pa nguruar,
Në natën me qeti,
Gjersa të vijë sërish pranvera
Të pinim rashë në ujdi.
Ia mora këngës, pas avazit,
Lëkundej hënë e artë.
Kërcej, kërcen dhe hija ime
Pa zhurmë dhe e gjatë.
Gëzuam çakërqejf, të tre,
U dehëm për bukuri.
E pasi paq u pimë u ndamë
Gjithkush në fat të tij.
I mbetur vetëm prapë,
më duhet t’endem nëpër jetë.
Gjersa të shihemi ndër yje,
te Kashtë e Kumtrit vetë.
——————————
Du Fu
712- 770
ERA E VJESHTËS
Era e vjeshtës
Me furi fryn-fryn
.
Me prapësitë e veta
Ia nisi pa mëshirë
Iu sul kolibes sime,
Tri mbulesa me kallama,
I rrëmbeu në çati,
Dhe nga rëndesa
Dy i lëshoi matanë lumit
I përhapi shkurreve.
Disa fluturuan
Pellgjeve e gardheve.
Një tjetër,
E vërviti lart-lart.
Dhe çatiauhap e ra
Përqarkcopë e fije.
Çunat çamarrokë
Nga fshatrat fqinj
Gajasene tallen
Me mua plakun
E posi vjedhës,
Në mes të ditës
Kallamat, togje- togje
I tërhoqën zvarrë- zvarrë
I fshehën skutave
Diku në pyll.
Më së fundi, u mburrën
Se, ishin trima.
M’u tha gryka
M’u mpi gjuha.
Çamarrokëve,
S‘ iu bërtita më.
Tani me shkop
Të pleqërisë, çalë–çalë
I topitur në dritare
Ndalem prapë e rri
Era heshti
Në hapësirë mbi dhe
Retë e zeza sterrë,
U shfaqën befas lart.
E kupë e qiellit
U mbulua anembanë.
Por, në atë muzg
Nuk shihet më asgjë.
Nën jorgan, shtrihem
Në qetësi.
Veçse, mua plakun,
Nuk më ngroh aspak.
O bir! Në ëndërr, kruspull
Duke u rrotulluar,
E zhvata, sa gjatë e gjerë,
Shumë kohë më parë,
Ja, edhe shiu
Me zhaurimë ia nisi,
Ma lagu krejt
Shtratin tim.
Ujërat rrjedhin
Çurk në kthina,
Me rebesh shiu
Bie e nuk pushon.
Unë i gjori
I sëmurë,
I pangrënë
E pa gjumë,
Si mundem natën ta kaloj
Gjer nesër në mëngjes?
Oh! Sikur,
Të ndërtohej një shtëpi
Dhe nën çatinë e saj
Madhështore,
Të ishin plot
Një milion kthina
Për të varfërit
Nga fati i keq të fyer.
Një shtëpi e madhe
Të mos trembej
As nga era,
As nga shiu
E si mal i lartë
Të ish e fortë.
Ah! Sikur,
Të arrija atë ditë
Dhe të mundja
Ta shihja i lumuruar.
Atëherë le të shembej
Vatra ime nën oxhak.
Nga e ftohta le të ngrija
Veç të ndodhte vërtetë ashtu.