Frank Shkreli: Dita Europiane e kujtimit të viktimave të komunizmit dhe nazizmit — 23 Gusht, 2021
Çdo vit 23 Gushti shënon Ditën Evropiane të Kujtimit të Viktimave të stalinizmit, komunizmit dhe nazizmit. Anë e mbanë Evropës, 23 gushti kujtohet si një ditë simbolike kundër totalitarizmit, ekstremizmit, mos tolerancës dhe shtypjeve – një ditë ndërkombëtare e përcaktuar si e tillë nga Parlamenti Evropian, më 2008/2009, me qëllim që në këtë ditë të kujtohen viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, “me dinjitet dhe pa dallime”, ndaj të gjithëve.
Siç dihet, kjo datë është zgjedhur për arsye historike, pasi përkon me datën e nënshkrimit të Paktit të mos-agresionit – të quajtur Molotov-Ribbentrop, të vitit 1939 – midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste — marrëveshje kjo e cila përmbante edhe një protokoll për ndarjen, në sfera influence midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë, të disa vendeve evropiane:Rumanisë, Polonisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Finlandës. Ky traktat famëkeq midis dy ideologjive — asaj komuniste dhe asaj naziste të shekullit të kaluar — është cilësuar nga ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek si “bashkëpunimi midis dy formave më të këqija të totalitarizmit, që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit.”
Dita Evropiane për Kujtimin e Viktimave të stalinizmit dhe nazizmit, e njohur gjithashtu në disa vende edhe si “Dita e Shiritit të zi”, (Ditë Zije) shënohet nga të gjitha entet e Bashkimit Evropian anë e mbanë Evropës, përfshirë vendet ish-komuniste, me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës, të pakën deri tani. Këtë ditë e nderojnë dhe e kujtojnë edhe disa vende që nuk kanë përjetuar as komunizmin, as nazizmin, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja. Më 21 maj të 2014-s, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar rezolutën në mbështetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste me qëllim, “Për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtëzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke i ndarë ata nga bota demokratike me një perde të hekurt dhe me Murin e Berlinit”, theksohej në atë kohë, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit. Vitet e fundit, është bërë zakon që në këtë ditë, përveç enteve politike të Bashkimit Evropian, Shtëpia e Bardhë, pa marrë parasyshë se kush është president, të lëshojë gjithashtu një deklaratë të veçantë në kujtim të Ditës Ndërkombëtare kushtuar viktimave të komunizmit dhe nazizmit.
Në vigjiljen e ditës ndërkombëtare të kujtesës së viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare, me 23 Gusht, 2021, Zëvendës Kryetarja për Vlerat dhe Transparencën, Vera Jourava dhe Komisioneri për Drejtësi Didier Reynders të Komisionit Evropian, lëshuan kët deklaratë, në kujtesë të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, duke kujtuar se, “Më shumë se 80- vjetë më parë, me 23 Gusht, 1939 është nënshkruar Pakti Molotov-Ribbentrop midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, pak para se të shpërthente Lufta e dytë Botërore. Për shuma veta, kjo ditë famëkeqe shënoi fillimin e një cikli pushtimesh e dhune”, thuhet në deklaratën e dy udhëheqësve të lartë evropianë, ndërsa thekësojnë në emër të institucioneve evropiane se, “Në këtë ditë ne kujtojmë me respekt të gjithë ata që kanë renë viktima te regjimeve totalitare në Evropë si dhe të gjithë ata që luftuan kundër atyre regjimeve. Ne kujtojmë vuajtjet e të gjitha viktimave të këtyre regjimeve dhe familjeve të tyre, ndërsa në të njëjtën kohë, jemi të vetdijshëm për pasojat e përhershme të përvojave të tmerrshme që këto regjime totalitare kanë lënë në brezat e evropianëve që pasuan,” këto regjime.
Me kët rast, në deklaratën evropiane, bëhet thirrje që “Të gjithë të punojmë se bashku, ashtuqë që e kaluara të na bejë të gjithëve më të fortë për një të ardhme të përbashkët — dhe jo përçarse.”
Deklarata e evropiane me rastin e “Ditës Evropiane në kujtesë të viktimave të komunizmit dhe nazizmit”, porosit se, “Liria nga totalitarizmi dhe autoritarizmi nuk mund të nënvlerësohet. Liria është diçka që duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë çdo ditë. Liria është thelbi i zemrës së idealit evropian. Së bashku me zbatimin e ligjit dhe demokracinë, kjo liri është thelbi i Traktave Evropiane që të gjithë ne kemi nënshkruar. Është e domosdoshme që ne të vazhdojmë të jemi të bashkuar rreth këtyre vlerave të përbashkëta evropiane”, përfundon deklarata e Kryetares së Komisionit Evropian për Vlerat dhe Transparencën, Vera Jourava dhe Komisionerit për Drejtësi, Didier Reynders.
Siç theksohet edhe në deklaratën e këtij viti të (BE)me rastin e Ditës së Kujtesës së viktimave të komunizmit dhe nazizmit, shënimi i Ditës së Kujtesës në Evropë ka për qëllim që, brez pas brezi, të ruhet kujtimi i miliona viktimave të komunizmit dhe nazizmit, si rrjedhim i deportimeve në masë, vrasjeve dhe zhdukjeve pa shenjë, viktimave të kampeve të punës dhe kampeve përqendrimit të këtyre regjimeve – ndërkohë që të njëjtën ditë të promovohen gjithashtu edhe vlerat demokratike, në shërbim të paqës dhe stabilitetit në kontinentin evropiannë terësi por edhe në vendet individuale të kontinentit të vjetër.
Fatkeqësisht, Shqipëria dhe Kosova deri tani — zyrtarisht — siç duket nuk e kanë gjetur ende vullnetin politik, forcën morale as dinjitetin kombëtar e njerëzor për tu bërë pjesë e Evropës në këtë ditë dhe data të tjera të kujtimit të viktimave të komunizmit – për të treguar dinjitetin dhe respektin ndaj viktimave të totalitarizmit në përgjithësi e atyre të komunizmit në veçanti, megjithëse politikanët e të gjitha ngjyrave dhe të partive kryesore politike shqiptare të këtyre 30-viteve post-komunizëm – bërtasin me të madhe, në përpjekje për të na bindur se ata i ndajnë vlerat e tyre me botën perëndimore. Fatkeqsisht, duket se Shqiptarët, zyrtarisht, në këtë ditë, nuk duan të jenë pjesë e Evropës – pasi deri më sot kanë treguar se nuk kanë asgjë të bëjnë me pjesën tjetër të Evropës sa i përket kujtimit të viltimave të komunizmit, as me një Evropë e cila çdo vit, me 23 gusht kujton dhe nderon viktimat e komunizmit dhe të nazizmit, të gjallë e të vdekur, ata burra dhe ato gra të guximshme shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët me qëndrimet e tyre kundër diktaturës komuniste sllavo-aziatike anë e mbanë trojeve shqiptare mbrojtën vlerat e përbashkëta të njerëzimit, në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit të tyre njerëzor dhe kombëtar.
Komunizmi dhe nazizmi kishin një kauzë të përbashkët krimesh kundër njerëzimit, duke ushtruar gjatë ekzistencës sëtyre një terror të pa parë në historinë e njerëzimit. Prandaj objektivi përfundimtar pan-evropian për shënimin e kësaj dite të Kujtesës një herë në vit, është që këto krime të mos qiten kurrë në harresë, me qëllim që të mos përsëriten më në historinë e njerëzimit. Në deklaratën e Parlamentit Evropian të miratuar në shtator të vitit 2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, thuhet se, “në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit.”
Mungesa gjatë viteve e kujtimit zyrtar të Ditës Evropiane të kujtesës së viktimave të totalitarizmit, sidomos, nga Tirana zyrtare, tregon edhe njëherë se politika shqiptare, fatkeqësisht, madje pas 30 vjetë “post-komunizëm”, refuzon të shkëputet krejtësisht nga e kaluara e saj totalitare-komuniste. Përkundrazi, me paturpësinë më të madhe, në kundërshtim me të gjitha vlerat shqiptare dhe evropiane, klasa politkme zyrtare shqiptare përpiqet, me fjalë dhe me vepra, të ruaj e të mbrojë atë trashëgimi të hidhur dhe histori totalitarizmi kriminal për qëllime të veta të ngushta politike dhe ekonomike, në kurriz të një populli shumë të vuajtur, brezi i sotëm i të cilit vazhdon të vuaj gjithnjë pasojat e atij regjimi krimnal. Fati i keq për shqiptarët është se duket se kjo klasë politike, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit – me fjalë dhe me veprat e saj — nuk është përcaktuar ende se cilën rrugë do të ndjekë në të ardhmen: Rrugën e vlerave dhe të drejtave bazë universale të njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore, apo rrugën e një regjimi autoritar, të përcaktuar gjysmë shekulli më parë nga një ish-diktator dhe regjimit të tij, pasojat e rënda të të cilit shihen ende anë e mbanë vendit edhe sot 30 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit.
Në këtë ditë të Kujtesës së Viktimave të totalitarizmit, një pyetje për Tiranën zyrtare dhe për mbarë klasën aktuale politike shqiptare, në përgjithësi, anë e mbanë trojeve shqiptare — ashtu siç theksohet edhe në deklaratën evropiane me këtë rast: A jeni të vetdijshëm për pasojat e përvojave të tmershme që kanë pësuar e pësojnë ende, jo vetëm viktimat shqiptare dhe familjet e tyre nga ish-regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, por edhe brezi i tanishëm dhe brezat e ardhshëm të shqiptarëve. Dhe çfarë po bëni ju, që duke filluar nga sot, sipas frymës së kësaj deklarate evropiane të 23 Gushtit, 2021, “të punoni së bashku, ashtuqë e kaluara të na bëjë të gjithëve më të fortë për një të ardhme të përbashkët dhe jo përçarse”!?