Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Rekuiem

Në radhë të parë dua t’u them e të siguroj familjarët e të zhdukurve, kërkesa e të cilëve u injorua nga Bashkia e Korçës sipas urdhërit të Edi Ramës; se populli shqiptar dhe çdo njeri kudo në botë, pavarësisht nga raca apo kombësia, çdo njeri që ka ende diçka njerëzore, nuk mund ta injorojë thirrjen tuaj. Fatkeqësisht Edi Rama, drejtuesit e Bashkisë së Korçës dhe elita oligarkike shqiptare na dhanë edhe një herë një provë bindëse se cilët janë në të vërtetë. Zoti që ka krijuar qiellin e tokën, Zoti që do drejtësinë dhe urren padrejtësinë, Zoti që do të shpërblejë përjetësisht të drejtin për drejtësinë e tij, Zoti që do të dënojë përjetësisht të poshtrin për poshtërsinë e tij, Ai u dhëntë këtyre pushtetarëve atë që meritojnë, Ai i vendostë ata aty ku e kanë vendin në të vërtetë! Dikush hodhi gaz lotsjellës në koncertin e Goran Bregoviçit. Deri tani nuk dimë me saktësi nëse ish dikush që në këtë formë desh të shpehte protestë kundër mbajtjes së koncertit apo ish vetë Edi Rama e klani i tij që na fabrikuan një icident për qëllimet e tyre. Shpresojmë të dalë e vërteta.
Në qoftë se gazi lotsjellës u hodh nga dikush, që me zemër të ndershme desh të merrte anën e viktimave, do të na duhet t’i themi në mënyrën më të vendosur, brenda caqeve të mirësjelljes, se ky ish gabimi dhe dëmi më i madh kundër kauzës që ai ka dashur të mbrojë. Drejtësia nuk mund të vendoset duke kryer akte të padrejta. Një fjalë e urtë thotë: Kush kontrollon zemërimin e tij, vlen më tepër se një luftëtar i fortë dhe në ditën e betejës ai që kontollon zemërimin e tij, vlen më tepër se sa ai që mposht një qytet. Thuhet gjithashtu se: në do të luftosh gjarprin, goditi kokën e jo bishtin. Gazi lotsjellës, i hedhur në koncertin e Goran Bregoviçit në Korçë, gjarprit nuk i preku as kokën dhe as bishtin, përkundrazi i forcoi kokën dhe i zgjati bishtin. Gazi lotsjellës u solli më shumë dhimbje fëmijëve të pafajshëm e familjarëve e personave të paanshëm. Me siguri, të paktën shumica e atyre personave që u prekën nga gazi lotsjellës, po të kish shkuar dikush e t’u shpjegonte si duhet protestën e viktimave, do të kishin marrë anën e duhur. Kauza e viktimave nuk mund të mbrohet duke goditur viktimat! Përse çuditemi ne me faktin se në një vend, ku për kaq vjet sundojnë mashtrimi e mashtruesit, të mund të ketë paqartësi rreth Goran Bregoviçit? A nuk është fakt se prej vitesh Shqipërinë e sundojnë në kastë politikanësh, e pas tyre një kastë oligarkike, aq e pamorashme që nuk e kanë për turp të thyejnë çdo normë, të keqpërdorin çdo ideal: njerëzor apo hyjnor qoftë, vetëm që të mund të vjedhin e të mbajnë pushtetin? Pse çuditemi ne se në këto kushte të mund të bëhet e mundur që të gjenden njerëz që të kërcejnë e brohorasin Goran Bregoviçin? Ata që janë në gjendje të prishin Teatrin Kombëtar, ata që tallen e ju japin paga fyese aktorëve e personave më të nderuar të kulturës, kur nga ana tjetër pa turp, bëjnë haptas festa e orgji ekstravagante ku vlera monetare e gjerdhanëve dhe e orave që mbajnë është më e lartë se çështë gjithë pasuria e familjeve të personaliteteve të kulturës e artit të kombit, më tepër se sa ka mundur të trashëgojë e fitojë një mjek apo inxhinier që ka punuar gjithë jetën e tij me ndershmëri. Ata janë fajtorët e vërtetë! Në doni të luftoni, luftoni gjarprin dhe jo ata që janë bërë viktimë e mashtrimeve të tij!
Për ata që shkojnë dhe e quajnë gjë të zakonshme, madje të mirë të shkojnë e të argëtohen në koncerte të tilla si ai i Goran Bregoviçit, do të citonja Predikuesi 11:

9-“Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinisë sate; ndiq edhe rrugët e zemrës sate dhe pamjen e syve të tu, por dije që për të gjitha këto gjëra Perëndia do të të thërrasë në gjyq.

Eksodi 22:

22-Nuk do të mundosh asnjë grua të ve, as asnjë jetim.

23-Në rast se i mundon ata në një farë mënyre dhe ata bërtasin në drejtimin tim, unë do ta dëgjoj pa tjetër britmën e tyre;

24-Do të zemërohem dhe do t’ju vras me shpatë; gratë tuaja do të mbeten të veja dhe bijtë tuaj jetimë.

Mund të citonja edhe vargje të tjerë, vargje që flasin për ata që injorojnë britmën e gjakut të pafajshëm, po nuk dua ti citoj sepse lutem e kërkoj faljen e atyre që veprojnë pa patur synime të këqia. Një gjë është e sigurt: Në këtë botë ka bekime, po ka edhe mallkime. Kur dikush futet në territorin e mallkimit mallkimi e ndjek dhe nuk i ndahet, brez pas brezi. Kush injoron zërin e të mjerit, kush injoron thirrjen e viktimave dhe kërcen dhe bashkohet  me gjakatarët nuk kryen një veprim neutral. Nën tingujt e këngëve të Goran Bregoviçit është derdhur gjak i pafajshëm. Nën tingujt e po atyre këngëve që u kënduan në Korçë, çetnikën sërbë dunuan e vranë në Kosovë, dhunuan e vranë vëllezërit tanë të gjakut. Bashkë me tingujt e atyre këngëve me të cilat t’i brohorite e kërceve, janë bashkuar, jo shumë kohë më parë, britmat e fundit e viktimave të pafajshme që jepnin frymën e fundit, janë bashkuar mallkimet e nënave që shikonin bijtë tu maskrohen e vajzat tu dhunohen para syve të tyre. Po kështu ai Goran Bregoviçi, “ i pafajshëm” i përdorte këto këngë, pak vite më parë si instrument për të ndalur sulmet e NATO dhe me paratë e nxjerra nga koncertet ku këndonte, po ato këngë me të cilat u argëtove ti dje, me paratë e koncerteve financonte njësitet vrasëse në Kosovë. Si mendon, koncerti i djeshëm të ka futur ty në territorin e bekimit apo të mallkimit?
Diktatorët e të poshtrit i njohin ligjet e mallkimit, ata janë të mallkuar e bij të mallkimit. Për këtë mjafton të lexosh për jetën e personave si Adolf Hitleri, etj. Po ata dinë edhe si të manovrojnë me mallkimet. Një nga metodat që ata përdorin është të tërheqin në territorin e mallkimit, që në fakt u takon atyre,sa më shumë të tjerë; po të jetë e mundur të gjithë popullin që ata sundojnë. Po arritën të tërheqin gjithë popullin që ata sundojnë në territorin e mallkimit, e mallkimit që në fakt u takon vetëm atyre, atëhere gjithë populli bëhet i mallkuar dhe sundimi i tyre është forcuar. Një popull i mallkuar nuk e ka të lehtë të çlirohet nga një diktator i mallkuar, përkundrazi gjithë populli shkon në shkatërrimin e mallkimit që në fakt i takonte vetëm diktatorit dhe familjes së tij. Ky fenomen ndodhi historikisht në kohën kur Gjermania ra nën diktaturën e Adolf Hitlerit. Adolf Hitleri mundi që të bindte shumicën e popullit gjerman të brohoriste për kriminelët e krimet e Hitlerit dhe si pasojë askush nuk mundi ta vriste Hitlerin. Më tepër se dyzet atentate dështuan dhe gjithë kombi gjerman që u mashtrua dhe brohoriste për krimet e Hitlerit, u bë pjestar në mallkimin hitlerjan dhe vuajti të plotë ndëshkimin. E njëjta gjë ndodhi dhe me Shqipërinë e shqiptarët në kohën e Enver Hoxhës. Fillimisht ai e detyroi popullin e Tiranës të gjunjëzohej para statujës së Stalinit në ditën e vdekjes së diktatortit gjakatar. Pastaj pasuan veprime të ngjashme, disa prej tyre disi naive e të pafajshme në dukje, por i tërhoqën të gjithë shqiptarët në territorin e mallkimit. Si rrjedhojë pasojat e mallkimit nuk i vuajti Enver Hoxha e familja e tij, po i vuajti dhe po i vuan ende deri sot i gjithë populli shqiptar. Le të mësojmë nga historia dhe të mos e lejojmë që Edi Rama dhe oligarkia e korruptuar që qëndron pas tij të na futë në të njëjtën rrugë. Lutja ime është që gjithë mallkimi,mallkimi i nënave që shikonin bijtë tu masakrohen e bijat tu dhunohen para syve e gjithshka tjetër që bënë çetnikët nën tingujt e muzikës të Goran Beregoviçit të bjerë mbi kokat e Edi Ramës e familjes së tij dhe mbi kokat e atyre oligarkëve që qëndrojë prapa tij. Kurse për ata që shkuan në koncertin në Korçë, ata që brohoritën e kërcyen nga padija Zoti le ti fale se nuk dinin se çfarë bënin. Kështu u lut Jezu Krishti në kryq për ata që e kryqëzonin: Luka 23:

33-Dhe kur arritën në vendin që quhet ”Kafka”, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.

34-Dhe Jezusi tha: ”O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”.

Pikërisht kjo është dhe lutja ime për të gjithë ata që veprojnë nga padija.

Kurse për tradhëtarin Judë Iskariotin, për atë që për hir të lakmisë për para ish i gatshëm të vidhte, të tradhëtonte e të vriste nuk pati mëshirë po mbeti në fuqi ajo që ish shkruar në psalmin 109:

6-Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.

7-Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.

8-Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.

9-Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.

10-U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.

11-Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.

12-Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.

13-U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.

14-U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.

15-U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.

16-Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t’u shkaktonte vdekjen.

17-Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.

18-Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;

19-Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.

Lutja ime është: Ardhtë mëshira e Zotit për ata që veprojnë nga padija, dhe ardhtë gjykimi e ndëshkimi i plotë i Zotit për tradhëtarët, për ata që me ndërgjegjje të plotë planifikojnë të keqen ardhtë i plotë ndëshkimi i Zotit, sipas fjalës së Tij. Në emrin e Jezu Krishtit të Vërtetë, Amin!

 

Please follow and like us: