Sadik Bejko: Lumi
Mbrëmjeve në trurin tim feksin…
as vetë s’e di çfarë, por ka diçka që feks.
Krah me rrugën rrjedh një lumë.
Kërruset mbi të e bje mahnitshëm nëpër reflekse një qytet
reflekse që e joshin,
sa nuk e verbojnë nëpër net.
Mbrëmje, gjysmërrësirë, eci unë
dhe lumi me drita mbi shpinë;
lumi duhet t’i dojë shumë këto drita,
ndërsa rrëshqet e ikën vjedhuraz nën to,
si prind që s’do t’i zemërohet fëmija.
Ato e përkëdhelin nëpër trup,
ato ia dinë dhe gurët e ftohtë të shtratit në fund.
Po atë s’e mban vendi, gurët,
as qyteti,
në imazhin e tij,
në mishin e tij,
në vrapimin e tij është deti.
Kur përpara i dalin fusha,
këput e u jep masa ujërash nga trupi i vet,
tej, mes të dy brigjeve brenda shtratit të tij rrëshqet.
Mua, kur pranë tij eci mbrëmjeve,
nëpër tru diçka më feks.
Ndoshta brenda meje derdhet ky lumë
me tërë dritat, gjerësinë dhe shqetësimin e vet;
në qetësinë a në gëzimin,
në lodhjen a në mërzinë time
dhe fare pa dashjen time
dritat e tij më feksin, më feksin,
ndërsa si ujërat shtratin,
hapat e mia rrugën ndjekin.
1970
Please follow and like us: