Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Jevgjitka Rita Ora!

Rita Ora ka thënë se është kosovare, me një fjalë shtetase e Kosovës. Dhe rrjeti është mbushur me fyerje. E quajnë deri jevgjite, fyçkë, trushplarë a laraskë. Madje kanë një inat galopant se, mirë vet thotë që jam kosovare dhe jo shqiptare, po përse ia këput kot kur shton se edhe Xhon Belushi është kosovar. Ky është nga Korça dhe nuk e luan topi. Në fakt ne jemi të vetmit për të sharë. Kjo ndodh si një balancim për atë urranë kataklizmike që kemi kur dikush pasi bëhet i famshëm, ne shqyhemi fytit duke thënë se është shqiptar. E përdorim me bindjen sikur ta kemi gradë shkencore faktin që përshembull Dua Lipa është shqiptare, ka gjak shqiptari etj., dhe kjo do na ndihmoj shumë në sfidat e jetës. Sikur edhe në kompani të vogla, të mesme, a Akademitë e botës të konkurojmë, për një vend pune, do e gjejmë një shteg ku të themi se përshembull Nënë Tereza është shqiptare. Jemi katërcipërisht të bindur se ky detaj do na ndihmoj të na pranojnë aty ku kërkojmë.
Pra për të bërë një lloj balancimi të këtij shfrenimi që e quajmë mburrje, kemi paralel një botë të brendshme plot me përbuzje, fyerje, pështyma që bota e quan bullizëm. Atë që një zë i urtë shqiptar e përmbledh thjesht, sot të bëjmë lapidar por nesër nuk e kemi fare për gjë të të tregojmë litarin. Tani përse Rita Ora e ka gabim kur thotë jam kosovare? Nuk hap dot një televizion shqiptar, gazetat e të tjera…, se kudo të çajnë ballin lajme si kosovarët, kosovarët etj. Para pak ditësh, një stacion televiziv si topchanel-i jepte me shifra se sa milione turistë të huaj kishin ardhur këtë verë në Shqipëri. Dhe i rendiste, në vend të parë kosovarët me afro njëmilion e gjysëm, rusët, polakët, madje edhe nga Lindja e Mesme dhe e largët. Kur e thotë topchaneli që njëmilion e gjysëm kosovarë erdhën në Shqipëri, ju as nuk bërtisni e as nuk fyeni njëri. Tani për Rita Ora e ka gabim të thotë që jam shtetase kosovare. Ku është problemi këtu. Eshtë fare e kollajshme, ju nuk keni hallin e saj, por tuajin. Rita ju zhvesh atë koracën e mburrjes që kaq me qejf e keni ta mbani hedhur. Ky problemi i dallimit mes shqiptarëve sa do vi e do zgjerohet edhe më. Arsyeja është e thjeshtë, lojrat naive me epitetet që i përkeqësojmë me dashje. Nëse nesër shpallet një shtet tjetër, ta zëmë i Myzeqesë, Ermal Meta ka të drejtë të thotë jam myzeqar. Kështu jemi të gjithë, myzeqarë, lebër, dardanë, e malësorë të Malsisë së Gjakovës, të Rrafshit të Dukagjinit, të Sharrit,
Çamërisë a Moresë. Dhe origjinën do themi. Kërkund në komunikimin ndërshqiptar, nuk thuhet Shqipëria e sipërme. Apo shteti i dytë i shqiptarëve. A Shqipëria numrë 2, që, edhe Rita Ora të thotë jam shqiptare. Kudo, madje me zell ne çirremi, kosovarët, kosovarët, erdhën, po ikin. Apo një familje e kosovare gjeti vdekjen pasi hëngri kërpulla etj. Janë lajme që i emeton shtypi jonë pa papushim. Mendja, a botëkuptimi janë ndjesi të brishta, vihen kollaj poshtë. Për më tepër që ne interpretojmë problemet e ditës me oreksin e njëshave të politikës. Në lojrat olimpike të Tokios, ato sivjetshme, nuk mbeti kush pa u mburrur me dy sportistet tona, ato që morën medalje ari në ngjyrën e flamurit të shtetit të Kosovës. U çorrën edhe për atleten tonë Luiza Gega që kaloi në garën finale. Por kur ajo zuri vendin e tretë nga fundi, sipas shprehisë lajm të shtypit shqiptar gjithmonë, u memecuam. Pse? Sepse o mburremi, o hiç. Tha Rita Ora që jam kosovare, nuk ka gënjyer. Janë rezultatet e asaj çfarë kemi mbjellur.
Please follow and like us: