Albina Deda: Ne jemi truall Shenjtorësh!
Shenjtorja e madhe sot ka ditëlindjen.
111 vite më parë si një pishtar në errësirë u ndez në Shkupin shqiptar jeta e saj për t’u shndërruar në pjesë jete dhe lavdie për kombin tonë e shumë më gjerë.
Falë saj ne sot kemi famën e Atdheut të Shenjtores Terezë!
Falë saj ne njihemi dhe atje ku kurrë nuk pat fat të hyjë diplomacia.
Falë saj ne thirremi si komb me shpirtin e bamirësisë.
Kjo nuk është pak për një vend të vogël me histori të mbrapshtë pushtimesh, nëpërkëmbjesh dhe harrimesh.
Sot kemi krenari më tepër, rrugë më të lirë e shpirt më të dlirë nëse kujtohemi e meditojmë rreth nënës së madhe Tereza, Shenjtorja e trojeve tona që nuk ishte legjendë mistike religjioni, por një realitet.
E ky realitet flet e vepron çdo çast në të mirë të imazhit tonë kombëtar.
Ndaj është e pafalshme heshtja qeveritare në data të përmasave të tilla përkujtimesh.
Nënë Tereza nuk ka nevojë për lavdi nga asnjë individ apo qeveri, por duke nderuar Shenjtoren tonë ne nderohemi vetë dhe çlirohemi nga makthet që na shkaktojnë “demonët” që padrejtësisht kanë pushtuar e uzurpuar lirinë tonë.
Nëna Tëreze sot sheh nga qielli dhe bekon Atdheun e vet, por dhe apelon me urti e thjeshtësi për më shumë meditim e refleksion për të ardhmen tonë.
Homazh e nderim për Shenjtoren e madhe Terezë, krenarinë tonë dhe themelin e krenarisë për brezat tanë të ardhmërisë.