Gjelok Marko: Elementi romantiko-erotik te “Ballkani i hapur”
Një i njohuri im serb na thotë vazhdimisht: Shumica u përqëndruan aq shumë te ana ekonomike e politike e “Ballkanit të hapur” saqë rastësisht ose qëllimisht e kapërcyen elementin romantiko- erotik të kësaj “marrëveshjeje gjigande”. Ky është një traktat që “do të shkatërrojë të gjitha mosmarrëveshjet e urrejtjen shekullore në Ballkan dhe do të na çojë në paqen e mirëkuptimin e përfundimtar”. Historia na tregon se shpesh, pas ngjarjeve spektakulare historike, qëndrojnë të fshehura edhe elemente romantiko-erotike, madje këto të fundit, elementet romantiko-errotikë në fakt janë motivi i vërtetë i këtyre ngjarjeve e traktateve, dhe jo idealet e larta politike apo patriotike që na propagandohen zyrtarisht. Fillimisht historia e letërsia antike ish më e sinqertë në përshkrimin e ngjarjeve. Homeri nuk na e fsheh faktin se shkaku i vërtetë i luftës së Trojës ish thjesht fakti se gruaja e Menelaut vendosi të largohej nga burri i saj dhe parapëlqeu Paridin në vëndin e tij. Kjo solli si pasojë jo vetëm vdekjen e mijëra vetave, por dhe shkatërrimin e plotë të një prej qyteteve e qytetërimeve më të lulëzuara të kohës.
A është “Ballkani i hapur” thjesht një marrëveshje politike e motivuar nga parimet e vjetra të “vllazërim-bashkimit” të ish-Jugosllavisë, apo ka edhe elemente romantiko-erotikë që kanë çuar në nënshkrimin e saj? Natyrisht ne nuk mund të presim nga Rama e Vuçiçi që të na përgjigjen e të na e thonë të vërtetën troç, si Homeri dikur. Deklarata të tilla nuk janë “korrekte politikisht” në kohën tonë, pavarësisht se as Edi Rama e as Vuçiçi nuk mund të na bindin se natyra njerëzore dhe motivet e vërteta që i motivojnë sot politikat e politikanët e sotëm kanë ndryshuar shumë që nga koha e Homerit. Prandaj për të zbuluar elementet errotiko- romantikë do të na duhet të analizojmë vetë faktet. Dhe fakt është që në takimin “thjesht politik” në Shkup, në takimin ku u nënëshkrua marrëveshja historike e “Ballkanit të hapur” sytë na panë dhe veshët na dëgjuan disa skena e forma shprehje që i përshtateshin më tepër Veronës e tragjedisë “Romeo e Xhuljeta” të Shekspirit se sa një takimi serioz, thjesht politik, ku merrnin pjesë personalitete që përfaqësojnë interesat e kombeve të tyre duke i qëndruar besnikë mandatit që zgjedhësit u kanë besuar.
A përfaqësonte denjësisht pozitën e presidentit të Sërbisë Vuçiçi kur doli para kamerave dhe me fytyrë të skuqur, me sytë ulur përdhe dhe me një zë femëror deklaronte publilisht:
“Unë jam gati të bëj gjithshka që më thotë Edi Rama! Le të thotë ai dhe unë do ta bëj”!
Ejani ta shohim edhe një herë së bashku këtë skenë si dhe skenat që pasuan dhe të shohim se kush po na flet: Një president që përfaqëson Sërbinë apo po na flet një vashë e re që ka vendosur ti japë fund virgjërisë sepse ka gjetur më në fund të dashurin e zemrës, bashkëshortin të cilit ajo ka vendosur ti bindet e nënështrohet pa kushte. Kur i shikonim këto skena të njohurit tim sërb i ndizet gjaku dhe të shoqëruar me sharje tradicional sërbe bërtet:
“Këtu nuk po na flet presidenti i Sërbisë Vuçiç, tani po na flet Aleksandra Vuçiç, apo më mirë të themi Aleksandra Vuçiç-Rama”!
Unë desha ti kundërvihem, po nuk munda, nuk gjeta dot argumentat e duhura se skenat filmike nuk më dhanë argumenta të kundërta.
Aq më tepër nuk munda ti kundërvihem as kur komentoi:
“Shikoni Ramën tuaj! Shikojeni se si po del si kavaljer në mbrojtje të Aleksandrës tonë. Pavarësisht se përfaqëson shtetin më të dobët, ka gojën më të madhe dhe po kërcënon gjithë Ballkanin, e madje Evropën! A nuk të kujton Don Kishotin e Mançes që për hir të të dashurisë së tij për Duqinenë e Tobozës ish i gatshëm të luftonte kundër kujdo që i dilte përpara: qofshin gjigandë apo mullinj ere”?!
Komentet e sharjet që pasuan nuk dua ti citoj në sërbisht apo ti komentoj në shqip. Sido që të jetë dhe unë vetë, si më i moderuari e skeptiku i takimit, nuk mund të mohonja se takimi i Shkupit dashur padashur, pati skena që të kujtonin “Romeon e Xhuljetën”. A mos vallë Edi Rama mendon vërtet se është një Romeo shqiptar që beson se me dashurinë e tij për Aleksandra Vuçiçin (siç e quan i njohuri im sërb) e Kapuletëve të Sërbisë do të zhdukë armiqësitë midis familjeve të Ballkanit?
Si shqiptar që jam më takonte të dal në mbrojtje të Edi Ramës. I thashë serbit:
“Në qoftë se është ashtu si thua ti, në qoftë se në “Ballkanin e hapur” na luhet vërtet tragjedia e “Romeos dhe Zhulietës” na duhet të themi, se për hir të së vërtetës, dashuria e Romeos tonë është më e sinqertë se dashuria e Zhuljetës tuaj! Shiko Rama ynë është gati të sakrifikojë gjithshka për Zuljetën tuaj, ju ve në dispozicion gjithshka pa doganë, porte detare e gjithshka, sjell Bregoviçin e injoron çdo protestë, dhe i sulet Albin Kurtit sa herë që do Vuçiçi juaj. Ku janë provat e dashurisë të Zhuljetës suaj? Vetëm disa naze para kamerave të takimit të Shkupit! Provë tjetër nuk ka”!
“Gabohesh, “më tha i njohuri im sërb, “zemra e Vuçiçit për shqiptarët është më gjërë se deti i Adriatikut portet e të cilëve po na dhuron Rama! Vuçiçi është gati të pranojë çdo shqiptar të bëhet qytetar i Sërbisë. Ai dëshiron që një ditë të gjithë shqiptarët të paisen me pashaporta sërbe. Kështu do të mund të udhëtoni pa viza në të gjithë territorin e Federatës Ruse, që nga Deti i Zi e deri në Kamçatka. Ju po jepni vetëm portin e Durrësit ne po ju japim gjithë territorin e perandorisë Sllave.E çështë Evropa? Çfarë do të mund tju ofrojë Brukseli? Por, po nuk deshët, po ju kundërvutë politikës larpamëse të Edi Ramës do ta marrim Ramën dhëndër brenda, do ta marrim kollovar në Sërbi. Do ta marrim kollovar me të gjithë miljonat që ka dhe do tju lemë ju të gjithëve me gisht në gojë!”
“Llafe kafeneje!” mund të thotë dikush. Po vërtet llafe kafeneje. Po historia na tregon se politika e Shqipërisë dhe të vërtetat për politikat e politikanët e saj është shprehur më saktë në “llafet e kafeneve” sesa në artikujt e gazetave zyrtare. Prandaj ka ardhur koha që gazetarët të jenë më aktivë dhe ta fitojnë besimin e popullit. Nuk është sekret që Edi Rama i jep vetvetes cilësi perandorake. Gazetarëve u thotë se ai është kreu dhe udhëheqësi dhe ata kanë vetëm si detyrë ta ndjekin. Kur i bëjnë pytje që nuk i interesojnë i tall, i ofendon dhe pastaj largohet nga intervista. Është detyrë jo vetëm e gazetarëve po e gjithë institucioneve dhe e gjithë popullit të Shqipërisë ti kujtojnë Edi Ramës se është Kryeministër e jo Perandor i Shqipërisë. E ardhmja e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar nuk duhet lënë në duart e një personi. Sistemi perandorik dështoi prandaj u zëvendësua me sistemin demokratik. Shqiptarët nuk duhet ta lejojnë ti rikthejnë në sistemin diktatorial perandorak, pavarësisht se sa të mëdha janë meritat e Edi Ramës, pavarësisht se sa të sinqerta janë ndjenjat e tija për Aleksandër Vuçiçin. Pas shumë debatesh në një pikë ishim dakort me të njohurin tim sërb:
Dashuria e Romeos me Zhulietën përfundoi në tragjedi. Të njëjtat rezultate do të na sjellin për të dyja kombet marrëveshjet e traktatet të miqësi-dashurisë Rama-Vuçiç!