Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Fidelma Donlon: Zërat e viktimave janë të domosdoshëm për drejtësinë

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë mandatin të gjykojnë krime të rënda, përfshirë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar siguron që zëri i viktimave të dëgjohet gjatë gjykimeve dhe ata të ushtrojnë të drejtat e tyre.

Personat që mund të demonstrojnë se kanë përjetuar dëmtime fizike, mendore ose materiale si rezultat i drejtpërdrejtë i një krimi të renditur në aktakuzën e konfirmuar nga DHSK-ja, mund të aplikojnë për të marrë pjesë në procedura. Viktimë mund të jetë edhe dikush që ka lidhje të ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që është vrarë ose dëmtuar.

Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave, e cila i informon dhe ndihmon personat që dëshirojnë të marrin pjesë në procedura si viktima, është pjesë e Zyrës Administrative. Ashtu si edhe Administratorja e Dhomave të Specializuara, edhe Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave më mbështet në përmbushjen e detyrës sime shumë të rëndësishme për caktimin e mbrojtësve të viktimave për përfaqësimin e viktimave para gjykatës.

Unë e kuptoj se vendimi për të kontribuar në përpjekjet për realizimin e drejtësisë është individual. Së bashku me Zyrën për Pjesëmarrjen e Viktimave, unë dëshiroj t’i siguroj të gjithë se çdo viktimë pjesëmarrëse do të mbështetet dhe këshillohet gjatë të gjithë procesit dhe se çdo shqetësim i tyre lidhur me sigurinë do të merret seriozisht.

Si mund të marrin pjesë viktimat në gjykime?

Si fillim, duhet të theksoj se një grup viktimash do të marrin pjesë përmes një avokati, të quajtur mbrojtësi i viktimave, i paguar nga gjykata, detyra e të cilit do të jetë të përfaqësojë interesat, të drejtat dhe pikëpamjet e tyre, si dhe t’i informojë vazhdimisht viktimat gjatë të gjitha fazave të procedurave.

Në maj të këtij viti, unë caktova mbrojtës të kualifikuar dhe me përvojë për të përfaqësuar viktimat e pranuara deri tani për të marrë pjesë në çështjet “Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës” dhe “Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve”. Në secilin rast, vendimin tim e kam bazuar në një proces të drejtë përzgjedhjeje, pas një thirrjeje të hapur për shprehjen e interesit për t’u bërë pjesë e listës së mbrojtësve dhe e ndihmuar nga një panel përzgjedhës, duke marrë parasysh rekomandimet e Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave dhe konsultimet me viktimat. Synimi im është të siguroj që viktimave pjesëmarrëse në procedura t’u vihen në dispozicion mbrojtësit me kualifikimet më të larta, duke marrë parasysh interesat e të gjithë anëtarëve të grupit të viktimave.

Përveç dijenisë se do të përfaqësohen dhe këshillohen nga mbrojtës të kualifikuar, viktimat pjesëmarrëse duhet të dinë gjithashtu se institucioni ynë është i angazhuar që të sigurojë realizimin e njëmendtë të drejtave të viktimave të parashikuara me ligj. Trupi gjykues në çështjen kundër Salih Mustafës ka nxjerrë kohët e fundit një vendim shumë të rëndësishëm lidhur me modalitetet e pjesëmarrjes së viktimave në gjykim, i cili thekson vlerën dhe legjitimitetin e procesit.

Ky vendim shpjegon se si do të zbatohen në këtë çështje të drejtat e viktimave për njoftim, pranim dhe zhdëmtim  sipas ligjit për DHSK-në, në mënyrë që viktimat të kontribuojnë në mënyrë të njëmendtë për realizimin e drejtësisë.

Për shembull, gjykatësit në çështjen kundër Mustafës kanë shpjeguar se njoftimi ka të bëjë me interesin personal të një viktime dhe me të drejtën për të marrë informacion rreth procedurave para DHSK-së. Pranimi duhet të kuptohet si interesi personal dhe e drejta e viktimave për t’u njohur dëmi që ata thonë se kanë pësuar dhe, në këtë mënyrë, me anë të pjesëmarrjes së tyre, të kontribuojnë në mënyrë të njëmendtë në njohjen e atij dëmi dhe të përgjegjësisë së personave që e kanë shkaktuar atë.

Mbrojtësi i viktimave ka të drejtë të shohë të gjithë dosjen e çështjes, të jetë i pranishëm në të gjitha seancat, të mbajë të informuar viktimat pjesëmarrëse gjatë të gjithë kohës. Ai mund të bëjë parashtrime gojarisht dhe me shkrim para gjykatës për çdo aspekt ligjor ose faktik, të marrë në pyetje dëshmitarë, të paraqesë prova materiale dhe të bëjë vërejtje lidhur me pranimin e provave sa herë që preken interesat e viktimave.

Mund të jetë gjithashtu me interes të dihet se mbrojtësi i viktimave mund t’u kërkojë gjykatësve që t’i lejojnë viktimat t’i drejtohen drejtpërdrejt gjykatës, jo si dëshmitarë, por për të shprehur pikëpamjet dhe shqetësimet e tyre “si një mënyrë që viktimat të kontribuojnë më tej në njohjen e dëmit që u është shkaktuar.”

Sigurisht, viktima mund t’i ushtrojë të drejtat e veta vetëm nëse mund ta bëjë në mënyrë të sigurt. Unë dua të siguroj çdo viktimë pjesëmarrëse se DHSK-ja e merr shumë seriozisht mirëqenien, dinjitetin dhe privatësinë e tyre në çdo hap të procesit. Kërkesat mbahen konfidenciale dhe u bëhen të ditura vetëm Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave dhe gjykatësve dhe, nëse viktimat kanë shqetësime për sigurinë, mund të kërkojnë që identiteti i tyre të mbahet konfidencial. Gjykatësit do të vendosin për këto kërkesa dhe mund të urdhërojnë masa mbrojtëse të mëtejshme.

Së fundi, është e rëndësishme të dihet se viktimat ende mund të marrin pjesë në procedura në tri nga çështjet gjyqësore para DHSK-së. Informacioni lidhur me këto çështje mund të gjendet në faqen tonë të internetit së bashku me informacionin se si mund të paraqitet kërkesë për të marrë pjesë në procedura si viktimë dhe të dhënat e kontaktit të Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave. Kjo zyrë është e gatshme të ndihmojë këdo që ka pyetje në lidhje me procesin e paraqitjes së kërkesës.

Pjesëmarrja e viktimave është e domosdoshme për realizimin e drejtësisë dhe Zyra Administrative do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta mbështetur këtë proces. Vendosja e kontaktit me viktimat për t’i informuar ato rreth mundësisë për të marrë pjesë në procedura dhe se si ta bëjnë këtë, ka qenë përparësi e gjykatës që prej themelimit të saj. Kjo është një ndër fushat kryesore ku përqendrohen veprimtaritë tona intensive informuese dhe ndërgjegjësuese që prej vitit 2018. Ashtu si edhe Administratorja, unë dëshiroj të theksoj përkushtimin tim për informimin e publikut mbi pjesëmarrjen e viktimave dhe mbështetjen e tyre për të paraqitur kërkesë, si dhe për të marrë pjesë në mënyrë të njëmendtë në procedura.

Autorja e këtij opinioni është Dr. Fidelma Donlon, Administratore e Dhomave tё Specializuara tё Kosovёs.

Please follow and like us: