Dritan Demiraj: Kapacitetet ushtarake të talebanëve
Fatkeqësisht tërheqja e shpejtë dhe dorëzimi i të gjithë zinxhirit komandues të ushtrisë dhe policisë kombëtare afgane mundësoi që Talebanët afganë të kenë në duar disa dhjetra bilionë dollarë armatime të dhuruara për 19 vite nga administrata amerikane dhe aleatët e saj.
Pjesë e kësaj asistence ushtarake përfshin mijëra mjete Toyota, Ford, mjete të blinduara HUMVEES, MAX PRO MRAP, mbi 120 dronë survejimi ku përfshihen dronet ScanEagle dhe avionët e zbulimit PC-12, rreth 211 mjete ajrore, 166 nga të cilat kanë qënë operacionale në muajin gusht 2021.
Këtu mund të përmendim avionët e sulmit amerikan/brazilian Embraer A-29 dhe Cessna AC-208, shumë helikopterë amerikanë UH-69 Black Hawk, UH-60 A, UH-1H, MD-530 F dhe avionët e transportit amerikane C-130H, C-208BB dhe Boing 727 etj të dislokuara në bazat ajrore Bagram, Mazar-e Sharif, Shindand, Kandahar dhe në Kabul. Gjithashtu, përveç amerikanëve mjete ajrore ka dhuruar edhe India, konkretisht disa helikopterë sulmi MI-35, MI-24 dhe MI-17 dhe disa helikopterë transporti M-8 ruse të vjetra, të cilat mirëmbaheshin nga kontraktorët amerikanë.
Një rrezik i madh për të ardhmen janë edhe qindra mjete të artilerisë së rëndë 122 mm dhe 152 mm, armët moderne kundërajrore dhe kundërtanke, keqpërdorimi i të cilave krijon komplikacione dhe përbën rreziqe e kërcënime për të ardhmen e perëndimit, të vendeve të Azisë juglindore dhe sigurinë globale.
Kompletimi i Talebanëve me dhjetra mijëra armë këmbësorie moderne ku përfshihen pistoletat Beretta 92 FS, Glock Mod-17 dhe Mod-19, automatikët amerikanë M-4, M-16, mitralozët M-60, M-248, M-50 Brownning, armët moderne sniper, etj mjetet e zbulimit, vëzhgimit, mjetet dhe pajisjet moderne të ndërlidhjes, etj kanë rritur tek mase kapacitetet ushtarake të Talebanëve afganë.
Në shtesë të këtyre kapaciteteve mund të përmendim si rrezik eminent edhe programet moderne, programet stërvitore, kurrikulat e programeve të Akademive Ushtarake, Forcave Tokësore, Ajrore, Shkollës së Forcave Speciale dhe Komando në Wardak, etj të cilat prej vitesh kanë qënë nën drejtimin e ushtrisë Amerikane dhe të NATO-s. Një pjesë e madhe e këtyre Akademive dhe njësive speciale janë stërvitur dhe pajisur me CAVEAT-tet e NATO-s dhe SOP-të e forcave speciale të aleancës, një pjesë e mirë e të cilave do të merren studiohen dhe përdoren kundër forcave tona në konfliktet e ardhshme nga ushtria e Iranit, Kinës, Rusia dhe Pakistani.
Një shqetësim i madh për perëndimin është edhe investimi afatgjatë për krijimin, stërvitjen, mbështetjen dhe aktivizimin e celulave, organizatave, grupeve dhe njësive të inteligjencës afgane, të cilat prej kohësh veprojnë në zonat dhe organizatat e interesit (të cilat nuk mund t’i përmend). Duhet theksuar se në këtë drejtim, një dëm i madh për sigurinë operacionale është marrja nën kontrollin nga Talebanët dhe agjentët e ISI-it të Pakistanit i rrjeteve, qëndrave, organizatave, bazave sekrete, rrjeteve të inteligjencës dhe bashkëpunëtorëve të tyre, operatorëve, teknikës dhe pajisjeve të Drejtorisë së Sigurimit Kombëtar (NDS), të ngritura me shumë vështirësi dhe të mbështetura nga SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe India.
Kjo drejtori, një pjesë e të cilës është zhvendosur në Luginën e Panjshir-it për organizimin e rezistencës, ka qënë një nga agjensitë më të financuara, mbështetura dhe të suksesshme në luftën kundër terrorizmit, në konfliktin kundër Talebanëve dhe grupeve terroriste me të cilat ata bashkëpunojnë. Ata kanë qënë në pararojë për të denoncuar dhe provuar me fakte dhe prova për përfshirjen dhe mbështetjen e fuqishme që shërbimi sekret pakistanez ISI ka dhënë për Talebanët afganë që në krijimin e tyre në vitin 1991-1992 dhe deri në përfundimin me sukses të ofensivës kundër Kabulit.
Marrja nën kontroll e informacioneve të tilla, kapja, arrestimi, marrja në pyetje me të gjitha llojet e formave i agjentëve dhe bashkëpunëtorëve të Drejtorisë së Sigurimit Kombëtar Afgan (NDS), do të sigurojë për elementët kundërshtarë dhe shërbimet inteligjente jo partnere me SHBA-ve dhe NATO-n informacione të cilat do ta dëmtojë ndjeshëm në të ardhmen veprimtarinë e tyre dhe aksesin e informacioneve në kohën e duhur për agjensitë e inteliugjencës së perëndimit. Në të njëjtën kohë, do të rrezikojë edhe jetën dhe sigurinë operacionale të agjentëve në terren ose të rrjeteve dhe grupeve informative që veprojnë në zonat e tyre të interest.
Interes të madh në këtë drejtim kanë padyshim shërbimet kineze të inteligjencës civile dhe ushtarake, Irani konkretisht forcat speciale al-Quds, agjentët e MOIS-it, agjentët e GRU-së e të FSB-së dhe padyshim agjentët e ISI-it pakistanez. Prandaj në gjykimim tim, është shumë e domosdoshme që vëmendja e agjensive amerikane dhe partnere të inteligjencës duhet të përqëndrohet pa humbur asnjë minutë në mbështetjen e rezistencës afgane në Luginën e Panjshir-it, me të gjithë format (haptazi ose fshehtazi) me qëllim që në bashkëpunim me rrjetet e tyre të jenë në kontakt me çdo zhvillim, të shmangim të papriturat si në rastin e rënies së Kabulit për 3-6 muaj (që në fakt ra për katër ditë), pasi kanë përgjegjësi për informimin e saktë dhe në kohë të lidershipit më të lartë politik dhe ushtarak të SHBA-ve dhe vendeve partnere.
Meqënëse bashkë me Talebanët afganë në përbërje të tyre pjesë e ofensivës ishin edhe mijëra xhihadistë, terroristë dhe militantë të grupeve terroriste/xhihadiste si: LeT, LeJ, LeI, LeO, JEM, AQA, AQP, HQN, TTP, IMU, ETIM, ISIS Khorasan, etj kjo nënkupton se shumë shpejt territori i Afganistanit do të rikthehet në atë që gjatë viteve 1996-2001 njihej si “Universiteti i Terrorizmit Ndërkombëtar” për shkak të kampeve të shumta terroriste të stërvitjes në këtë vend (për të cilat do të flas me detaje në shkrime të tjera).
Si përfundim, fitorja gjatë ofensivës së Operacionit “Anakonda” të Talebanëve afganë dhe përshëndetja që asaj i kanë bërë edhe “partnerë” seriozë të SHBA-së në luftën kundër terrorizmit si psh kryeministri i Pakistanit Imrad Khan i cili theksoi se: “Talebanët më në fund këputën zinxhirët e skllavërisë”, së bashku me disa drejtues të tjerë të grupeve terroriste si emiri i TTP-së Nur Valih Mehsud nga provinca e Pakistanit Khyber Pakhtunkwa (KP) se: “Fitorja e Talebanëve afganë është fitore e Islamit kundër SHBA-ve”, etj janë tepër shqetësuese, të cilat paralajmërojnë rreziqet dhe kërcënime të cilat i analizuam më sipër në lidhje me vendet e Azisë juglindore dhe jo vetëm.
Shënim: Ky shkrim është krejtësisht ekskluzivitet i autorit D.D*.
Dritan Demiraj, Ph.D. Ish ministër i brendshëm dhe autor i librave: “Al-Qaeda Tri Dekada Terror” (2020), “10 Komandat Strategjike të Al-Qaedës në Botë”, “Al-Qaeda në Afganistan-Pakistan” (2021), “Forcat Speciale dhe Lufta Asimetrike” (2021), “Afganistani-Një Paqe e Vështirë” (2014), “Ngritja dhe Rënia e Shtetit Islamik” (2017), “Nëpër Labirintet e Shtetit Islamik” (2015), “Al-Qaeda në Siri” (2019), “Al-Qaeda në Irak” (2019).