Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: 10 VJET PA ADRIATIK KALLULLIN!

“Ti mbille pemën e jetës, njeri,
ke kohë të zbresësh drejt honit të zi…”
(Nga një poezi e A. Kallullit).
Kur, befas ndërron jetë një njeri kushdo, ia “fshijmë” që te gjitha kusuret që ka patur, veset e mbrapësitë, zullumet e mëkatet që ka bërë i ndjeri dhe themi mbi grumbullin e dheut, se “iku një njeri i mire”, duke ia rrafshuar kështu tërë te “këqiat” që ka patur në rrugëtimin e gjatë te jetës. Po, për Adriatik Kallullin, ndërron puna dhe themi që iku një njeri qe s’duhej të ikte; se humbëm nje shkencëtar të fjalës, hulumtues të zellshëm të veprës letrare; se nuk do ta kemi më pedagogun e gjuhës, të gazetarisë, të artit e të letërsisë shqipe; se nuk do ta dëgjojmë më oratorin e mirëfilltë e kritikun e mprehtë dhe se, do ta ndjejmë përherë boshllëkun shpirtëror që krijon një shok e mik i vërtetë. As në tryezë, për të pirë një gotë raki, nuk do ta kemi më Adriatikun. Do na mungojë ky njeri i mirë, nga më të rrallët që kemi patur!
Njeriu i thatë nga trupi e pjellor nga truri, me emrin e çuditshëm Adriatik, të detit që kemi pranë vetes, që gjysmën e jetës se tij e shkoi thuajse me një sy në ballë,- ishte bashkëfshatari im nga Komuna e Lukovës (Sarandë), Qytetar Nderi i saj, i cili kishte nisur të lind vërtetë mbi Detin Adriatik (gjatë udhëtimit të prindërve për në Itali), ulërimat e para do t’i kishte në Bari; ndërsa hapat e fëmijërisë do t’i hidhte rrëzë Lavanit, një mali karshi Detit Jon, në fshatin më të vogël të Republikës, në Sasaj, që përjetë ishte e mbeti si një lagje e fshatit tim, Piqeras, me te cilin shkonim mirë e bukur, edhe pse me dasi fetare (dje e sot), po përherë me miqësira e krushqira, si të ishim një fshat i vetëm. Dhe të një moshe! Miqësia ime me të do t’i përkiste moshës së lodrave të përbashkëta të fëmijërisë, po edhe një rasti fatlum: që të dy do t’i përkushtoheshim një fushe të braktisur e jo pak “te rrezikëshme”: kritikës letrare e artistike, e cila kërkohej aq shumë e anatemohej jo pak herë. Ishim edhe ne nga fshati i guximtarit e trimit Vasil Laçi që pati kurajën kokëkrisëse të qëllonte me revolver Perandorin e Italisë dhe do të krenoheshim me të gjithë jetën. Dhe, do të na zinte pleqëria me këtë “zanat te vështirë” që s’e do hiç njeri, të papërfillur nga lartë e nga poshtë, zanat qe nuk paguhet asnjëhere e përsëri kërkohet me ngulm e me “zë të lartë”! Po, në një kohë që unë (i marri!), do të krreja edhe “shpatën nga mylli”, për të bërë një kritikë të rreptë, Adriatik Kallulli do të rrëfehej më i mençur, me një ekuilibër më të qetë dhe nuk do ta pësonte si unë nga politikanët, inatçinjtë e cmirëzinjtë e asajë kohe të zymtë që përjetuam, duke na përplasur nëpër internime e burgje të tmerrshme! Gjithsesi, ishim të çartur që te dy… Dhe të ndershëm… E, 32 vjet pas ndëshkimit tim, kur ai do të shpallej “Qytetar Nderi” dhe sapo kishte botuar librin me kritika, studime e ese, “Pema e Jetës”, do të më shkruante këtë autograf: “Miho i shtrënjt! Le të shpresojmë që të jetojmë edhe ca vite të ndershme! Adriatiku. Lukovë 2. 03. 2008”.
Mirëpo, ky bashkëfshatari im, dinte ta krijonte personalitetin e vet në letrat shqipe me një analizë llogjike të thelluar, të gjerë e të mirëfilltë. Pas një peripecie jo të vogël në bangat e Universitetit, ai do të shquhej mbi të tjerët e do ta “ kapërcente edhe veten”, duke u bërë kritiku më në zë i letërsisë shqiptare, si edhe pedagogu erudit i gjuhësisë, letërsisë e i arteve te bukura.“Mendjendrituri Adriatik Kallulli”, -sikundër do ta quante atë prof, dr. Jup Kastrati, ishte i pajisur nga natyra me “aftësinë e njeriut që ka si dhunti të vetën të paimitueshme forcën e shprehjes, ekspresivitetin, leksikun adekuat e të larmishëm, formën tërheqëse, të bukur, elegante, stilin energjik konician, por me brendi të shëndoshë, me pëmbajtje plot brumë, me llogjikë të mprehtë, me inteligjencë jashtëzakonisht të rrallë…”. Pra, kishim të bënim me një personalitet, me një shkencëtar të dijes, që punonte me ngulm e “hante vetveten” për të tjerët, i heshtur e pa zhurmë, i thjeshtë gjer në varfëri e pa kurrfare reklamimi të vetvetes, që nuk pati kurrë as ndihmë e as përkrahje. Adri qe një “ martir i letërsise, i artit e i shkencës” që meriton një monument,-të paktën-, edhe për diçka që mund të mos jetë vënë re nga shumë njerëz: lexonte e shkruante mijëra faqe me një sy (!) e po rrezikonte edhe syrin tjetër, gjer në “tretje te qiririt”, pa i thënë askujt “Jo”! Dhe duhej të ikte pikërisht një njeri e dijetar i tillë, i vecantë, i papërfillur siç duhej, por që ishte e mbeti i jashtëzakonshëm!
Duke jetuar të dy epokat: të djeshmen e të sotmen, ai diti të mbijetojë (me mundime e sakrifica të mëdha, gati mbinjerëzore), pa u shtirur aspak, me mprehtësin e një intelektuali fort të ndershëm e fisnik, që e kërkonte të vërtetën si Diogjeni me fanar, ditën, me “qiri në dorë”, për të davaritur, -sic shkruante vet: “terrin e ditë-natës sonë kaq të gjatë”! Adriatiku e ndjente rrethin shtrëngues të socrealizmit e atrofizimin që i sillnin kritikës letrare, për t’u bërë komformiste, sipas kallëpeve partiake, -heraherës edhe i ishte përgjegjur, (ndonëse duke “rrëshqitur” e duke u vërtitur rreth analizave të njohura të së shkuarës, siç qe Naimi, Çajupi, De Rada, Mjeda e Migjeni, apo të atyre qe kishin më tepër vlerë në të djeshmen, sic qe Kadareja, Agolli, Arapi, Xoxa, Petro Marko e të tjerë). Vetë Adriatiku, në refleksionet e veta, shkruan se, në atë kohë: “vetëm sa jemi rrekur të bënim kritikë letrare. Nuk e di në do të ishim moralisht më të larë po të heshtnim”! Mandej,- vazhdon ai: “ruli shtypës shumtonësh i burokracisë së egër dhe tepër diabolike, sheshoi dhe rrafshoi edhe prirjet artistike, edhe prirjet kritike”! Dhe përfundon, duke pohuar me ndershmëri se “na duhej të gjallonim si krimbi nën gur”! Në këtë mënyrë, duke mos u hequr si puritanë, Adriatik Kalluli, për atë periudhë të tmerrshme kur gjalloi konformizmi, skematizmi, uniformiteti, ideologjizmi, glorifikimi, festokracia dhe standardi lodhës, hap pretencën ndaj vetvetes “për dogmat që kam shpërndarë në ndonjë botim timin dhe në kontekse artikujsh të tjerë”! Prof. Dr. Adriatik Kalluli bënë kështu “katharsin” e vetvetes dhe pranon me sinqeritet se “kritika jonë ndodhet në krizë, për aq kohë sa të ‘pastrohen’ kritikët”!
Me Çlirimin e kombit nga trysnia e ngurimit të shpirtrave njerëzor, edhe Adriatik Kallulli pësoi një rilindje vetiake të re, shtrirje të gjerë në “vathën” e trashëgimnisë letrare. Fillimisht me analizat që i bën Fishtës, si nje shkrimtar e personalitet i dimensioneve homerike, po edhe me këndveshtrimin novator ndajë Nolit, Poradecit, Kutelit, Konicës e Petro Markos, duke i perifrazuar tërë këta si një “enciklopedi lëvizëse njerëzore që ende ka mbetur e panjohur”! E gjithe kjo tablo, sipas tij, “midis vdekjes dhe pavdekësisë”! Ai u dha tërësisht, vitet e fundit, pas studimit të Migjenit e të Petro Markos, që të dy bashkëvuejtës e bashkëkohës, që morën pavdekësinë me vdekjen e tyre. Adri kapërceu Adriatikun e vajti gjer në Senatoriumin e Barit për të kërkuar kartelën mjekësore të Migjenit, të këtij poeti të veçantë, të “gatuar me shpirt të flaktë” që u shua dhimbshëm në terrin e kohës së vet. Dhe krenohej që e gjeti atë, duke hyrë kështu në shpirin e poetit të kërcënuar nga vdekja. Si për Migjenin, ashtu edhe për Petro Markon, Adriatiku do të thotë fjalën e vet, se ata “i ngriti populli pa dekrete, duke i quajtur “të vdekur te mëdhenjë”!
Dhjetë vjetët e fundit, kritiku i shquar i letërsisë, iu përkushtua edhe arteve figurative e sidomos artit skenik, dramaturgjisë dhe teatrit. Si gjithmonë, edhe këtu, ai shtronte me forcë problemin e gjetjes dhe të pasqyrimit të vlerës së vërtetë të njeriut. Adri ynë e kërkonte të vërtetën e artit midis zbërthimit psikologjik të personazhit, në rrjedhën e natyrshme të veprimeve, të monologjeve të brëndëshme dhe të imazheve që përcillen tek publiku, pa anashkaluar atë lidhje të domosdoshme të heronjëve me konfliktet e kolizionet e mëdha të kohës. Ai pranonte gjithashtu novatirizmin e Teatrit Alternativ, si edhe gjetjet e ndryshme regjisoriale nëpër shfaqie e Festivale Teatrore, ku e thërrisnin si ekspert, me nje respekt të veçant për gjykimet e sakta dhe prirjet estetike. Kemi qenë së bashku të tre kritikët (Adriatiku, Josif Papagjoni dhe unë, -çuditërisht të së njëjtës zonë bregdetare), në dhjetra Festivale Teatrore të zhvilluara në Tiranë, Korçë, Vlorë, Prishtinë, Pejë, Gjilan, Suharekë e në Dibër të Madhe dhe Kallullin ta kishte ënda ta dëgjoje për njohuritë e thella që zotronte, për humorin spontan, po edhe për elokuencën e oratorinë. Duke folur edhe nëpër auditore e salla të mëdha teatrosh, ai e rrëmbente dëgjuesin, duke u bërë kështu “Zot i gjëndjes”. Qëlloi bafas që, në Festivalin Teatror të Suharakës u prish programacioni rrjedhës, nga mosardhja e një trupe e publiku priste në sallë, gati i papërmbajtur. Po perdja nuk duhej mbyllur. Atëhere vendosi të dalë para perdes Adriatiku dhe, me oratorinë e tij e mbajti publikun në sallë të emocionuar, shumë më teper se sa spektakli i rradhës, gjersa mbërriti trupa tjetër teatrore!
Pasionant si gjithmonë,-përherë i kulturuar, i sjellur si një xhentelmen i vërtetë, si edhe i lumturuar nga leximet e shumta të personaliteteve të mëdhenjë botëror, që nga antikiteti grek e gjer te kollosët e letërsisë e të filozofisë bashkëkohore (shumë prej të cilëve i kishte fiksuar në trurin e tij “elektronik” dhe i citonte me besnikëri) ,me një obligim vetiak të pakrahasueshëm dhe, akoma, me një jetë plotë sakrifica mbi kurriz, përmes fukarallëkut që s’i hiqej kurrë,-Adriatik Kalluli ishte i skandalizuar nga diferenca e tmerrshme midis nevojës së madhe për një kritikë të kualifikuar dhe indiferencës se pushtetarëve… “Artistët shqiptarë, thoshte ai, sot janë ndër më të varfërit e botës… janë fukarenjtë e fukarenjëve”! Në një kohë që kritikët numërohen me gisht dhe s’ka asnjë shkollë për përgatitjen e tyre, edhe ata pak që kanë mbetur (në moshën më kritike), nuk kanë asnjë përkujdesje nga shteti e nga vetë institucioni teatror dhe bile as që paguhen për kontributin e madh që japin. Paradoksi shtyhet me tej akoma, kur media e shkruar e ajo vizive, pasi mbushin me ta faqe e orë të tëra, i percjellin me një buzëqeshje të shpifur! As që mund te flitet, -vinte ne dukje Adriatiku, në një nga intrvistat e tij të fundit, që te arihen mandeje standardet europiane në fushën e kritikës, duke i shpurë ata nëpër shfaqie e festivale europiane e botërore, si edhe në simpoziume shkencore të kritikës”. Një herë mori pjesë Adriatik Kallulli në Simpoziumin Ndërkombëtar që u zhvillua në Salcburg të Austrisë në vitin 1993, ku shkëlqeu me oratorin e tij në gjuhën angleze dhe, një vit më vonë u shpall nga Instituti Amerikan i Biografive si “Njeriu i Vitit 1994”!
Dy ishin pasionet e tij: studentët (tek të cilët shihte vazhdimin pasurues të jetës kombëtare shqiptare) dhe loja e madhërishme e shahut. Të dya e tërhiqnin po njësoj, si në një magji të perjetshme. Në auditor ishte absolut, i gjithpushtetshëm dhe shpesh “humbiste” në arsyetime llogjike e pasionante që s’kishin mbarim; ndërsa në tryezën e shahut e zinte masnata (aqsa unë e Josifi mezi e ngrinim për të fjetur!), duke patur si partner studiuesin e dramaturgjisë e të teatit nga Kosova, Prof. Dr. Vaid Islamin, mikun tonë të mrekullueshm…
Dhe pengu i tij ishte vetëm një: nuk u bë kurr pronar, sido që thuhej se “do të bëheshin të gjithë shqiptarët pronarë”! Donte, i ziu Adriatik, të privatizonte banesën në Tiranë dhe, për 20 vjet me rradhë u torturua nëpër avokatë e gjyqtarë të paskrupullt e nuk arriti ta privatizojë të vetmen banesë që kishte, gjersa dha shpirt! Nga ana tjetër, i plasi buza që të fitonte nje copë truall e shtëpi (që të rehatohej në pleqërinë e tij) në vëndlindje, po përsëri nuk arriti dot (sepse, ligji i çuditshëm 7501, i cili i përjashtonte “të larguarit” nga toka e prindërve (!), si të ishin “të dënuar me vdekje”, që mos të kthehen kurrë në vatanin e tyre, gjallë a vdekur! Peng ky, që e bënte të fliste me vete… Po, të më falni, kishte edhe një peng tjetër miku im i shkëlqyer: s’kishte asnjë grosh në xhep, as për të pirë një kafe a nje gotë raki me shokë e miq. Se dihet, kritika në Shqipëri nuk paguhet dhe kritikët s’i do hiç njeri… Vec kur vdesin, ka mundësi që të kujtohen dhe të nderohen me ndonjë tufë me lule a dekorate “pos mortum”! A ndonjë rrugë te marrë emrrin e tij. Ndofta, edhe të këtë diku, në ndonjë lulishte, bustin prej bronxi! Eh… Në dy vjetët e fundit të jetës, Kryeministri i vendit, befas u kujtua dhe i lidhi të ndjerit një pension të vecantë dhe ai, i miri Adriatik, “e mbylli gojën” përgjithmonë… Se heshtja është e njëllojtë me varrin!
(Botuar në librin “ADRIATIIK KALLLULLI”,- me kujtime të miqëve të tij, nën kujdesin e bashkëshortes, së bijës dhe të birit. Viti 2012)
* * *
Si sot, me 28 gusht Ai do të festonte DITËLINDJEN!Pa i vajtur ndërmënd se, në afërsi të këtij përvjetori, dhjetë vite më pas, në moshën 73 vjeçare,-do të përcillej për në BOTËN TJETËR! I paharruar do të mbetesh, miku ynë i dashur e i pazëvëndësueshëm!
Athinë, më 28 të gushtit 2021.
Please follow and like us: