Albspirit

Media/News/Publishing

Aktivistja afgane ëndërron të kthehet në shtëpi

Ghazaal Habibyar, një nga shtetaset afgane të strehuara në vendin tonë me bashkëshortin dhe tre fëmijët e saj pasi u evakuuan nga Afganistani, në mjë intervistë për mediat e huaja ka thënë se nuk është e qetë, pasi shumë njerëz që ajo njeh janë ende në rrezik nga talebanët.

Zonja Habibyar, ka rrëfyer orët e përjetuara në aeroportin e Kabulit para se të nisej për në vendin tonë.

Familja e saj, përfshirë një vajzë 2-muajshe dhe aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut udhëtuan për 36 orë, ndërsa fillimisht u përpoqën të gjejnë një hyrje të sigurt në Aeroportin Hamid Karzai të Kabulit.

Pak para se të hipnin në aeroplan të enjten, ajo rrëfen se dëgjuan “aq shumë zhurmë në ajër” sa u tha se fluturimi mund të anulohej. Pas 40 minutash, ata u imbarkuan në bordin e avionit, i cili u ngrit në fluturim në një mënyrë të frikshme vertikale për t’iu shmangur të shtënave.

“Ka raste në jetë kur ndihesh fajtor që je gjallë. Këta mund të jemi ne, patjetër”, tha ajo për The Associated Press të Dielën. “Ata njerëz që kanë humbur jetën, kanë familje, janë shumë të rinj”, vijoi ajo.

Një aktiviste në Fondacionin për Shoqërinë e Hapur, zonja Habibyar nuk mundi të mbaronte shkollën në vend kur ishte e re, duke pasur frikë nga qëndrimi i talebanëve ndaj grave dhe arsimit, kështu që ajo u diplomua në Australi. Përkundër mundësive jashtë vendit, ajo u kthye në Kabul në vitin 2006. Që atëherë ajo ka punuar në shumë pozicione publike, duke përfshirë edhe zëvendësministren e minierave dhe benzinës, duke u përpjekur për të bërë një ndryshim, ndoshta të vogël, për vendin e saj. “Bëra çfarëdo që munda për ta bërë Afganistanin një vend më të mirë”, thotë ajo.

Ajo thotë se Afganistani ndryshoi për mirë në dy dekadat e fundit, duke deklaruar se”nuk është Afganistani i vitit 1996.”  Por në provincat e qeverisura nga talebanët, “shkollat ​​e vajzave u mbyllën dhe gratë nuk lejoheshin të punonin ”.

Më tej, ajo mbajti një qëndrim kritik për mënyrën se si SHBA dhe NATO u larguan nga vendi.

“Kjo katastrofë njerëzore që po ndodh tani, mund të ishte parandaluar. I gjithë ky proces evakuimi mund të ishte menaxhuar shumë më mirë, “tha ajo.

Zonja Habibyar nuk është e sigurt për atë që e pret në të ardhmen e saj të afërt, duke thënë se “do të na duhet shumë kohë që të shërohemi psikologjikisht, mendërisht, emocionalisht nga gjithçka që kemi kaluar”. Asaj i mungon kryeqyteti afgan, Kabul. “Frutat që shikoja në anë të rrugës kur kaloja për të shkuar në zyrë dhe tingujt e zogjve në mëngjes”.

Sikurse u kthye pas studimeve në vendin e saj, të rikthehet ne Afganistan një ditë, mbetet ëndrra e saj më e madhe. Zonja Habibyar rrëfeu se kur avioni u ngrit në fluturim djali i saj Hamza, 6 vjeç, ishte duke qarë dhe nuk donte të largohej.

“Unë i thashë se do të më bësh një premtim: të studiosh, të jesh dikush dhe të kthehesh”, thotë ajo./Opinion.al

Please follow and like us: