Iran: Masakra e 1988-ës, thirrje për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së autorëve
Në një konferencë online të zhvilluar të premten më 27 gusht nga rreth 2000 pika anembanë botës, Maraym Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, i bëri thirrje Komisioneres së Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit të të Drejtave të Njeriut që të themelojnë një mision ndërkombëtar të gjetjes së fakteve për të hetuar masakrën e 1988-ës në Iran.
Gjatë muajve të mëparshëm, Raportuesi Special i OKB-së mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran, Amnesty International, dhe mbi 150 mbrojtës të spikatur të të drejtave njerëzore kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur të OKB-së mbi këtë ngjarje.
Maryam Rajavi i bëri thirrje gjithashtu SHBA dhe Europës që ta njohin masakrën e 1988-ës në Iran si gjenocid dhe krim kundër njerëzimit, dhe i nxiti ato të mos e mirëpresin Ebrahim Raisi-n (presidentin aktual të Iranit) në vendet e tyre, por ta ndjekin penalisht dhe t’i kërkojnë llogari atij.
Ebrahim Raisi ka qenë anëtar i “komisionit të vdekjes” në Teheran, komision i cili ka dhënë urdhër për ekzekutimin e mijëra të burgosurve në 1988-ën.
Në verën e 1988-ës, Ruhollah Khomeini, udhëheqësi i atëhershëm i regjimit iranian nxori një fetva (urdhëresë fetare) për ekzekutimin e të gjithë anëtarëve të burgosur të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), të cilët vazhdonin t’i qëndronin besnikë kauzës së tyre. Si pasojë u ekzekutuan rreth 30,000 të burgosur politikë.
“Për ne, lëvizja Thirrje-për-Drejtësi është sinonim me këmbënguljen, qëndrueshmërinë, dhe rezistencën për ta përmbysur këtë regjim dhe për të themeluar lirinë me gjithë forcën tonë. Për këtë arsye, regjimi përpiqet ta mohojë masakrën, ta minimizojë numrin e viktimave, dhe t’ua fshijë identitetet, sepse kështu i shërben interesave të veta dhe ndihmon ruajtjen e pushtetit të vet,” tha Rajavi.
Mes folësve në këtë event ishin një numër personalitetesh europiane, duke përfshirë dy ish-ministra të jashtëm të Italisë, Franco Frattini dhe Gullio Terzi, si dhe Guy Verhofstadt, ish-kryeministër i Belgjikës. Në këtë event folën edhe ish-ministri i jashtëm kanadez John Baird, dhe Geoffrey Robertson, Gjykatës Apeli në Gjykatën Speciale të OKB për Krime Lufte në Sierra Leone.
“Veprimet e qeverisë së re të Iranit janë në përputhje me historinë e regjimit. Ministri i ri i jashtëm ka shërbyer edhe në qeveri të mëparshme. Nuk ka asnjë ndryshim midis konservatorëve dhe reformistëve. Është i njëjti regjim. Kjo konfirmohet nga afërsia e ministrit të jashtëm me komandantin e Forcave Quds. Ai madje ka konfirmuar se do ta vazhdojë rrugën e Qassem Soleimani-t,” tha Z. Frattini.
Ndërkohë, ish-kryeministri belg Guy Verhofstadt tha me keqardhje se “Masakra e 1988-ës, e planifikuar dhe e ekzekutuar me rigorozitet e me një shënjestër të qartë në mendje, kualifikohet si gjenocid. Ajo nuk është hetuar kurrë zyrtarisht nga OKB dhe autorët e krimeve nuk janë hedhur në gjyq. Ata vazhdojnë të gëzojnë pandëshkueshmëri. Sot, regjimi drejtohet nga vrasësit e asaj kohe.”
“Sot, Irani sundohet nga një vrasës. Parlamenti iranian mund ta ketë pranuar atë, por ne nuk do ta pranojmë. Gratë iraniane nuk do ta pranojnë. Gratë janë një element themelor i shoqërisë. Nëse i mbyllim sytë, edhe ne do të jemi përgjegjës,” pohoi Dominique Attias, Presidente e Federatës Europiane të Avokatëve.
Geoffrey Robertson, President i parë i Gjykatës Speciale të OKB për Sierra Leone, foli hapur lidhur me përgjegjësinë për masakrën e 1988-ës: “Nuk ka dyshim që ka arsye të forta për të ndjekur penalisht Ebrahim Raisi-n dhe individë të tjerë. Është kryer një krim që kërkon përgjegjësi ndërkombëtare. Duhet bërë diçka lidhur me këtë, ashtu siç është bërë kundër autorëve të masakrës së Srebrenicës.”
Edhe Theo Van Boven, ish-drejtor i Divizionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Raportues Special i OKB mbi Torturën, bëri thirrje për një hetim të pavarur nga Kombet e Bashkuara mbi masakrën e 1988-ës dhe përgjegjësinë e Raisi-t.
Zëra politikë u ngritën gjithashtu kundër mosveprimit nga ana e BE-së për sa i përket situatës së rëndë të të drejtave njerëzore në Iran.
“Pavarësisht gjithë thirrjeve për një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi masakrën e 1988-ës, Bashkimi Europian i ka shpërfillur këto thirrje, nuk ka reaguar, dhe nuk ka qenë i përgatitur për të shprehur një reagim. Dua t’i bëj thirrje BE-së që ta sanksionojë regjimin për krime kundër njerëzimit. Mendoj se Lituania mund të marrë drejtimin mes shteteve të BE-së,” tha Audronius Ažubalis, ish-ministër i jashtëm i Lituanisë dhe anëtar i Parlamentit Lituanez.
U transmetuan gjithashtu një numër video-mesazhesh nga njerëz brenda Iranit të cilët bëjnë thirrje për veprim ndërkombëtar lidhur me masakrën e 1988-ës, si shenjë solidariteti edhe nga brenda Iranit.
Në konferencë morën pjesë edhe rreth 1,000 ish të burgosur politikë, disa prej të cilëve janë të mbijetuar të masakrës së 1988-ës. Ata dhanë dëshmi tronditëse të përjetimeve të tyre brenda burgjeve të mullahëve.