Albspirit

Media/News/Publishing

Këshilli Kombëtar i PD-së miraton drejtuesit e Komisioneve

Këshilli i ri Kombëtar të hënën pasdite miratoi unanimisht nënkryetarët dhe sekretarët e PD-së për 4 vitet e ardhshme.

Në 4 vitet e ardhshme nuk do të kemi më 2 nënkryetarë të PD-së, por numri i tyre është shtuar edhe me dy të tjerë, duke shkuar në 4. Por kryedemokrati Basha ka vendosur që të largojë të dy ish-nënkryetarët, Edmond Spahon dhe Edi Palokën, dhe t’i zëvendësojë  ata me 2 gra dhe dy burra. Kështu, nënkryetarët e 4 viteve të ardhshëm do të jenë: Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku dhe Grida Duma.

Secili prej nënkryetarëve do të ketë drejtime të ndryshme, me të cilat do të merren gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Bie në sy Alfred Rushaj, i cili do të jetë edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së në këto 4 vite të këtij mandati. Rushaj u rikthye me funksione në selinë blu vitet e fundit duke u emëruar nga Basha si Anëtar i Bordit Financiar në mënyrë që të bëhej edhe pjesë e kryesisë.

Enkelejd Alibeaj është një tjetër nënkryetar i Partisë Demokratike. Ai do të jetë gjithashtu edhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ndonëse Rushaj ka qenë prezent më shumë vitet e fundit në PD, Alibeaj është një nga figurat politike të PD-së që ka pasur angazhim të vazhdueshëm.

Ndërkohë, në selinë blu është shtuar edhe numri i sekretariateve, nga 4 në 11 të tilla. Kështu, Ervin Minarolli, i cili deri tani ka mbajtur sekretarinë e burimeve njerëzore, tani më do të  marrë sekretarinë e organizimit, post i cili mbahej nga Sahit Dollapi që u largua pas zgjedhjeve.

Ndërkohë, sekretar i burimeve njerëzore është bërë Arta Sakja. Një vëmendje të veçantë Basha duket se do t’i japë organizimit dixhital. Kreu i PD-së i ka besuar anëtarit  të Kryesisë, Endri Hasa, sekretarinë e organizimit dixhital. Po ashtu, Basha  duket se do të jetë në të njëjtin hap me Komisionin  Qendror të Zgjedhjeve, që është zotuar që në zgjedhjet e ardhshme të mundësojë votimin e emigrantëve. E për të pasur marrëdhënie më të forta me diasporën, Basha i ka besuar Belind  Këlliçit sekretarinë për marrëdhëniet me Diasporën.

Deputetët janë ndarë në 8 komisione ku drejtimi nga ana e PD i është besuar:

Komisioni për Integrimin Europian: Jorida Tabaku
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Agron Gjekmarkaj
Komisioni për Punën, Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë: Albana Vokshi
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut: Oerd Bylykbashi
Komisioni për Ekonominë dhe Financat: Sorina Koti
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin: Helidon Bushati
Komisioni për Sigurinë Kombëtare: Flamur Noka
Komisioni për Politikën e Jashtme: Tomorr Alizoti

Please follow and like us: