Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: DASHURIA U PËRKET HUMBËSVE TË MËDHENJ

 

Dashuria u përket humbësve të mëdhenj,

atyre që digjen nga zjarri, plagët e gjakta.

Plagosur, brengosur éndrrash në eter,

lodhjesh të parrokshme, ëndjeve të pakta.

 

Ata digjen si eshkë në vështrimin e ngrohtë,

durojnë të padurueshmen, rrufe dhe terr.

Përvëlohen si rrëkeja e barit mbi tokë,

dashuria humbësve të mëdhenj u përket.

 

U përket atyre që përralla mëkojnê e thërrasin

t’i rrëfejnë si fëmijët në habi e lojë të patakt.

Flakës së pendimeve dhe shtjellës të fatit,

besimit të verbër si oksigjenit në gjak.

 

Dashuria u përket humbësve të mëdhenj,

hapave që bredhin udhëkryqeve nëpër shi.

Të pagjumëve në pranga, vuajtje – ferr,

atyre që heshtjen e çmojnë gjer në pafajësi.

 

Dashuria s’mund të jetë kurrsesi fitimtare,

dëshirë e plotësuar, bekuar prej zotit.

Ajo u përket humbësve, vetmitarëve,

ashtu si e vërteta i përket Laokontit.

Please follow and like us: