Albspirit

Media/News/Publishing

Alesia Balliu: Reforma në Drejtësi dhe SPAK

Intervistë me avokaten Alesia Balliu, studiuese në fushën e së drejtës

Alesia Balliu është një avokate e re, ndërsa Drejtësia për të nuk përkufizohet vetëm në terma të ngushtë profesionalë. Ajo beson se njohja e thelluar e fushës është sa detyrim profesional, aq edhe angazhim qytetar. Me këtë vizion, Balliu përcjell me vëmendje zhvillimet në fushën e së Drejtës, duke u fokusuar në kornizën rregulluese ligjore të institucioneve të Drejtësisë.

Znj.Balliu, ju jeni shprehur publikisht në mbështetje të Reformës në Drejtësi, në pozitat e avokates dhe të studiueses së kësaj fushe. Sipas jush, pse SPAK dhe jo Prokuroria?

Po, jam shprehur disa herë në mbështetje të kësaj Reforme për disa arsye, që kam privilegjin t’i ndaj sot me lexuesit tuaj të nderuar duke nisur me pyetjen – pse SPAK? Në vlerësimin tim, ka ardhur koha ta shohim të vërtetën tonë në sy, si shoqëri dhe shtet.  As më herët, por as në 30 vitet e fundit, ne nuk kemi vuajtur mungesën nominale të institucioneve apo rregullimin ligjor të tyre. Kushtetuta, ligjet, aktet nënligjore kanë përkufizuar në letër mënyrën se si duhet të funksionojë drejtësia në Shqipëri. Por, nuk ka mjaftuar; ne kemi vuajtur mungesën reale të shtetit ligjor në nivel jo konceptual, porse të funksionalitetit. Sipas ligjit dhe brenda tagreve të institucioneve ligjzbatuese, nuk duhet të kishte ”të paprekshëm”. Prokuroria  aty ka qenë gjithmonë, vetëm se e kushtëzuar nga vullneti politik për të vepruar, falë hapësirave evazive në ligj. Tanimë, nuk besoj se ka mbetur diksush që të besojë se politika dhe pushteti kanë vullnet për të ”pastruar” veten. Prandaj SPAK; sepse SPAK është, së pari,  fryt i një vullneti të artikuluar qartazi e tashmë pa kthim – politikanët dhe vendimmarrësit institucionalë shqiptarë nuk mund të kthejnë mbrapsht konsensusin e dakordësuar publikisht me ndërkombëtarët për të realizuar Reformën e shumëpritur në Drejtësi. Nga ana tjetër, ndërkombëtarët që monitorojnë këtë proces janë përfaqësues të shteteve dhe institucioneve demokratike, që e njohin demokracinë funksionale dhe mekanizmat e shtetit ligjor. Me fjalë të tjera, ata janë ”garancia” për mbarëvajtjen e kësaj reforme, si për ne që e aspirojmë, ashtu edhe përpara taksapaguesve të tyre, që po e financojnë. SPAK përfaqëson të gjithë këtë vullnet dhe know-how.

Çfarë garancie dhe mbështetje ligjore ka SPAK?

Ajo që tashmë ka hyrë në fjalorin tonë si SPAK është Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; nuk është një komision hetimor, siç jemi mësuar të ngrihen e bien me dhjetëra nga parlamenti; nuk është një mekanizëm ad hoc, sa për të kaluar një ngërç të momentit. SPAK  është Prokurori e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe Njësi e Pavarur Hetimore, ndryshe quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo strukturë ndjek dhe heton vetëm çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, po flasim për organe kushtetuese (sipas pikës 4, të nenit 148, të Kushtetutës), me një objekt të qartë pune, të përcaktuar kthjelltazi me ligj dhe të ngritur sipas përvojës më të mirë ndërkombëtare. Ne si shoqëri nuk kemi pasur fatin të besojmë tek drejtësia, ndaj edhe nominacionet apo përkufizimet ligjore i kemi parë gjithmonë si një segment i mjedisit tonë përgjithësisht të korruptuar, si retorikë, premtim elektoral apo për konsum publik. Kjo Reformë ka strukturuar një sistem funksional, legjitim, të rregulluar specifikisht me ligj (Ligj nr. 95/2016 ”Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”); jo vetem për objektin e punës dhe tagret që ka në raport edhe me institucionet e tjera, por edhe në mënyrën e ngritjes, funksionimit të brendshëm dhe kontrollit mbi përfaqësuesit e saj, duke përfshirë këtu veç prokurorëve e gjyqtarëve, edhe stafin administrativ. Pjesë e mekanizmit është edhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përgjegjëse për gjykimin e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe akuzave penale kundër një numër zyrtarësh të lartë, të përcaktuara edhe këto me ligj. Ligji rregullon përcaktimin e kushteve dhe procedurën për emërimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme; përcaktimin e kompetencave lëndore parësore dhe të tjera të gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme; përcaktimin e kushteve dhe kriteret shtesë që duhet të përmbushin shtetasit për t’u emëruar, transferuar apo për t’u ngritur në detyrë si gjyqtarë ose punonjës pranë këtyre gjykatave, prokurorë dhe punonjës pranë Prokurorisë së Posaçme, si dhe për t’u punësuar pranë Njësisë së Pavarur Hetimore; organizimin dhe funksionimin e procesit të kontrollit të figurës, vëzhgimit të të dhënave financiare dhe vëzhgimit të telekomunikacioneve të tyre; përcaktimin e marrëdhënieve të Prokurorisë së Posaçme me institucione të tjera shtetërore, subjekte të tjera publike apo private, si dhe me publikun. Pra, kemi një sistem të strukturuar qartazi dhe të rregulluar specifikisht me ligj. Kjo ndodh për herë të parë në Shqipëri. 

Cilat çështje ligjore janë specifike për SPAK?

Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatave të Posaçme për veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal, me interes të lartë publik, sidomos: korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike (Neni 244 dhe 244/a për korrupsionin aktiv të nëpunësve të huaj publikë); Neni 245 Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë; Neni 257 Përfitimi i paligjshëm i interesave; Neni 258 Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike; Neni 259 Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Neni 319 Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë SPAK ka legjitimim ligjor dhe objekt të punës së saj hetimin mbi akuzat penale kundër figurave si: Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë te Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendës ministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj; si edhe akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës. Brenda këtij rregullimi ligjor dhe specifikimi të kompetencave lëndore, e jo vetëm, të këtyre institucioneve të reja të Drejtësisë, ne kemi hapësirë të besojmë e të presim që, tanimë, edhe në SHqipëri të kapërcejmë kohën e pandëshkueshmërisë së figurave me imunitet politik, duke sendërtuar një marrëdhënie të drejtë dhe pa ekuivoke të qytetarit me ligjin, me shembuj ndëshkimi të njerëzve me pushtet.

A është SPAK në funksion të plotë tashmë? Apo ka akoma mangësi ligjore e monetare për funksionimin e tij?

Ne po flasim për një proces kompleks, i cili vjen pas një kalvari të gjatë përpjekjesh për të ndërtuar shtet ligjor funksional dhe drejtësi të pavarur në Shqipëri. Duhet thënë se deri në këtë çast, janë kaluar pengesa të panumërta: reforma e cila nisi me vetingun, ndryshoi mëse 25 ligje, 15 nga të cilët u amenduan 3-4 herë brenda 2-3 vitesh, nga i njëjti parlament. Përgjatë viteve 2018 – 2020, vendi ishte pa Gjykatë të Lartë dhe pa Gjykatë Kushtetuese; Në gjykatat e tjera dhe prokurori listat e pritjes numërojnë gati 100 mijë çështje. Të gjitha institucionet e reja të sistemit gjyqësor u krijuan ose u zgjodhën jashtë afateve kushtetuese, ligjore. Vendi pati një Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm mes 2017 – 2019, ndërkohë vetë SPAK u krijua pa numrin e parashikuar të prokurorëve. Vetingu filloi me një vit vonesë, ndërsa largimi i mëse gjysmës së prokurorëve dhe gjyqtarëve zbrazi ndjeshëm shumë nivele në sistemin e drejtësisë. Brenda kësaj kornize është naive të mendosh se nuk ka mangësi. Patjetër që ka zhvillime në proces drejt funksionimit organik të plotë, të natyrshëm dhe sistemik në të gjitha hallkat e veta. Por, ajo që pohoj me bindje është se institucionet e reja të dala nga Reforma në Drejtësi duhen mbështëtetur si në terma financiarë, ashtu edhe në mendësi. Duhet të kuptojmë se vendosja e një standardi të ri në sistemin e Drejtësië ka nevojë për kohë, investim, monitorim dhe  besim.

A besoni se SPAK do t’i përmbushë pritshmëritë për të dënuar “të paprekshmit” e politikës dhe krimit?

Për gjithë sa parashtrova më sipër, po, besoj se SPAK është shansi ynë si shoqëri për të dëshmuar pjekuri, vullnet  dhe aftësi për të ndërtuar një shtet ligjor funksional dhe një shoqëri që ndan të njëjtat vlera me vendet euro – atlantike, ku duam aq shumë të integrohemi. Reforma në Drejtësi është një domosdoshmëri që ka nevojë për mbështetjen dhe kontributin e të gjithëve ne, së pari në ndryshimin e mendësisë me të cilën e perceptojmë dhe e presim vendosjen e Drejtësisë. Instalimi i kulturës së barazisë së gjithkujt përpara ligjit është një hap historik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt një të ardhmjeje më të mirë, të sigurtë e të qëndrueshme. Ky është misioni i SPAK dhe i krejt reformës – të bindë se Drejtësia mund të funksionojë, se askush nuk ka imunitet përpara ligjit, se çdokush ndëshkohet nëse shkel ligjin; të ushqejë besim tek qytetari shqiptar dhe tek partnerët tanë se ne dimë të ndërtojmë institucione dhe shtet funksional demokratik. Besoj se e meritojmë një vend të drejtë e dinjitoz, me një Drejtësi që funksionon me profesionalizëm dhe integritet./mapo.al

Please follow and like us: