Albspirit

Media/News/Publishing

Alesia Balliu: REFORMA NË DREJTËSI MERITON MBËSHTETJE PA KUSHTE

91% e shqiptarëve janë shprehur[1] se e mbështesin nevojën për drejtësi dhe për veprime të ashpra kundër korrupsionit. Por, publiku i gjerë ka me Reformën në Drejtësi atë marrëdhënie që ka me politikën: është e mirë ajo që punon për mua!

Kjo ka lehtësuar pengimin e reformës nga ata që nuk e duan. Dhe njëherësh e ka bërë procesin më vulnerabël.

Në 5 vjetorin e fillimit të Reformës në Drejtësi, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadori europian Luigi Soreca – i kërkuan sistemit gjyqësor më shumë qëndrueshmëri, pavarësi dhe integritet. Edhe vetë përkrahësit e pavarur shqiptarë të kësaj reforme, deri më sot, i kanë gjetur rezultatet e saj të vonuara dhe të pjesshme.

Kjo nuk duhet të dekurajojë askënd, ashtu si mendësia sunduese e publikut nuk surprizon dot askënd. Përtej retorikës, grupet e interesit në Shqipëri nuk kanë qenë gati të humbasin favoret që prodhojnë lidhjet e tyre, me të cilat drejtësia është kontrolluar si çdo sektor tjetër.

Duhet thënë se, në rrafsh historik publiku shqiptar ka me Drejtësinë një marrëdhënie përgjithësisht imagjinare. Periudha e Mbretërisë (1928 – 1939) ishte krejt e pamjaftueshme për të krijuar një mentalitet juridik institucional, në një popullatë kryesisht rurale. Sundimi komunist lulëzoi falë dhunimit ideologjik dhe të njëanshëm të të drejtave të individit nga shteti. 30 vitet e riorganizimit politik pas rënies së komunizmit ndryshuan sistemin, por jo shkallën e korrupsionit të tij. Ky korrupsion, më herët, ishte kryesisht ideologjik; në këto 30 vite, ai u bë ekonomik.

Drejtësia nuk ishte as delja e zezë dhe as faqja e bardhë e sistemit të ri. Por ajo mbeti premisa e mohuar e shanseve për fillimin e një ndryshimi real, të ngritur mbi shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit. Për këtë arsye, Reforma në Drejtësi ishte e domosdoshme; ajo u frymëzua, u mbështet dhe u vu në zbatim falë vullnetit ndërkombëtar – shumë më tepër sesa prej vullnetit të palëve në vend.

Suksesi i saj është në fakt sukses i bashkësisë së komunitetit euro-atlantik në Shqipëri. Ndoshta për këtë shkak, të gjitha institucionet e ngritura nga Reforma në Drejtësi në vitin 2016, janë tashmë plotësisht funksionale. 

Duhet thënë se deri në këtë çast, janë kaluar pengesa të panumërta: reforma e cila nisi me vetingun, ndryshoi mëse 25 ligje, 15 nga të cilët u amenduan 3-4 herë brenda 2-3 vitesh, nga i njëjti parlament. Për t’i hequr reformës mbështetjen publike, përgjatë viteve 2018 – 2020 shqiptarët e lanë vendin pa Gjykatë të Lartë dhe pa Gjykatë Kushtetuese; mëse 30.000 shtetas u braktisën në vetëgjyqësi. Në gjykatat e tjera dhe prokurori listat e pritjes numërojnë gati 100 mijë çështje.

Të gjitha institucionet e reja të sistemit gjyqësor u krijuan ose u zgjodhën jashtë afateve kushtetuese, ligjore. Vendi pati një Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm mes 2017 – 2019, ndërkohë vetë SPAK u krijua pa numrin e parashikuar të prokurorëve. Vetingu filloi me një vit vonesë, ndërsa largimi i mëse gjysmës së prokurorëve dhe gjyqtarëve zbrazi ndjeshëm shumë nivele në sistemin e drejtësisë.

Gjithsesi, ajo që është arritur deri tani është, më së paku, historike. Ajo që po shënohet është vendimtare. Dhe ajo që pritet është përcaktuese për fatin e mëtejshëm të demokracisë shqiptare.

Reforma në Drejtësi meriton një mendësi të ndershme nga çdo shqiptar dhe, sigurisht, nga çdo nivel përfaqësues e vendimmarrës. Reforma në Drejtësi nënkupton për Shqipërinë provën e vërtetë të cilësive tona të reja shtetformuese, mbi baza institucionale dhe mbi parime juridike të shëndosha.

Reforma në Drejtësi provon nëse ne do të arrijmë t֝ë gjenerojmë atë virtyt kolektiv që na bashkon me familjen e popujve europianë, që mbështet progresin tonë drejt integrimesh social-ekonomike, apo do të mbesim një ishull i izoluar me demokraci hibride, një shembull ekzotik i korrupsionit të gjithanshëm, një shprehje e mënyrës si nuk duhet të jetë një vend.

Reforma në Drejtësi meriton mbështetje pa kushte!

 

[1] Sondazh i Institutit për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (2021).

Please follow and like us: