Bedri Bloshmi: Takimi i fundit me Havzi Nelën
9 gusht 1988! Atë ditë në Degën e Punëve të Brendshme të Kukësit kishte shumë lëvizje. Binte në sy që hynin e dilnin shumë civilë, policë, oficerë, diçka ndryshe nga ditët e tjera. Ç’të ketë ndodhur vallë? Poshtë në qelitë e errta, në birucën 8, në cepin e saj një njeri i dënuar me varje rri shtrirë me kurriz nga dera, lidhur këmbë e duar me pranga, një copë litar bashkonte këmbë e duar mbrapa, me kokën ngjeshur në helmetë, mbërthyer në gushë me një rryp meshini. Këto pajisje ishin bërë enkas për njeriun që para se t’i merrnin jetën do vuante torturat 1-2 muaj. Kishte raste kur ato zgjasnin 6 muaj, 18 muaj deri në dy vjet, në pritje të ankthshme se kush do të vinte përpara, jeta apo vdekja. Ashtu shtrirë, i mbërthyer me litar e zinxhirë saqë trupi bëhej plagë, shpatullat, kofshët dërmoheshin nga qëndrimi në pozicion të lidhur. Flokët nga qëndrimi nën helmetë dhe nga djersa fillonin të binin. Të gjitha këto dhimbje në trupin e fatkeqit, megjithëse një grusht kocka që treten për çdo orë e çdo kohë mendon, ka shpresë dhe pret që të çlirohet një ditë nga prangat dhe zinxhirët.
Gushti me vapën përcëlluese ka djegur çdo gjë. Në pllajën e majës së Gjallicës duken fillimet e vjeshtës. Mbrëmja po afron, në biruca vazhdon orari i veprimeve, polici hap dyert me radhë duke thirrur: hajdeni të merrni ushqimin. Më në fund u hap edhe biruca e të dënuarit me vdekje. Zakonisht personave që dënohen me vdekje u fusin brenda nga një të dënuar tjetër që ta ndihmojë; kur mpihet nga njëri krah ta kthejnë në krahun tjetër, mbasi nuk durohen dhimbjet dhe mbase për ta ushqyer. (Këtë fakt unë e di nga koha kur u dënuan me vdekje me pushkatim poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Atë natë që i ekzekutuan kishin me vetë dy të dënuar të tjerë që u shërbenin. Të nesërmen i sollën në birucën time dhe ata ma treguan këtë fakt). I dënuari që i shërbente Havzi Nelës, mori tasin e tij e ia shtriu policit që t’i hidhte dhe më pas mori për vete. “Kujdestari” i thotë Havziut:
Një herë do të të jap ty me lugën pa bisht, një herë do e fus në gojën time.
Jo, jo, do ha më vonë, ia ktheu Havziu, ti ha për vehte.
I dënuari mbasi hëngri 2-3 lugë e largoi tasin duke vazhduar të shikonte të dënuarin me vdekje.
Të lutem, i drejtohet pas pak, sa të të njom buzët, gojën, mos e mbaj mendjen te dënimi se nuk u dihet punëve të Zotit. Nuk besoj se do të zbatohet vendimi i gjykatës.
Nuk e kam për atë, i përgjigjet Havziu. Mbasi u dha pretenca me varje në litar, gjyqtari më pyeti “ç’ke për të thënë, i pandehur”? Unë iu përgjigja “Të zbatohet sa më parë fjala e prokurorit.”
Kur dënohesh me vdekje të lidhin kështu si mua. Do presësh mbi 35 ditë dhe më shumë, edhe 2 muaj, edhe 6 muaj. Duke pritur lodhesh, të dhemb trupi, duart dhe shpatullat të enjten, fillon e mban erë koka e lëkura të bie copa-copa. Më duhet të pres të paktën 35 ditë në këtë gjendje se përfundimin e kam të qartë, e kam të sigurtë fundin.
Në birucë bënte shumë vapë. Herë pas here i fshija ballin me këmishën time, i jepja ujë shpesh se i thahej buza. E ktheja nga një krah në tjetrin, sa herë që më thoshte. Herë pas here në sportelin e birucës shfaqej turiri i policit. Havziu filloi të më tregojë për vendimin e internimit, me sa mbaj mend Arrën quhej, ishte shumë keq, as kushtet e burgut nuk i kishin siguruar. Vetëm gjithmonë, në një kthinë më keq se kasollja e qenit të romanit “Të mjerët” e Viktor Hygoit. E pyeta se ç’është ky personazh i Hygoit. Havziu vuri buzën në gaz dhe nisi të më tregonte. Në këtë kohë kërciti dera e hekurt që të sillte në biruca zhurmë këmbësh dhe biseda të mbytura. U dëgjua edhe zhurma e përplasjes së sporteleve deri në birucën ku ishin një i dënuar me vdekje në litar dhe unë që isha dënuar me 6 muaj për një ofendim.
U hap dera e biruca u bë më e errët. Brenda u futën brenda dy policë. Mbas tyre hynë 4 civilë, në korridor qëndronte në këmbë Kryetari i Degës me civilë dhe policë të tjerë. Kuptohej nga lëvizja e këmbëve se korridori ishte plot. Unë shtanga, më hipën disa të dridhura, u mbështeta në cepin tjetër të birucës me vështrimin mbi Havziun, i cili e priti vendimin qetë-qetë, me një pamje që kuptohej lehtë guximi dhe krenaria e atij burri; në buzët e tij dukej një buzëqeshje e lehtë.
Ia zgjidhën litarin që bashkonte duart e këmbët, e ngritën në këmbë, i kaluan një litar në prangat e duarve, ndërsa cepin tjetër e mbante një nga civilët. I lidhën me zinxhir këmbët, por Havziu as që e prishi terezinë fare, kokën e mbante lart. Te dera u ndal për një moment, u kthye nga unë me qëndrim burrëror. Mik, më tha, ma bëj hallall, të lutem, për shërbimin, edhe një herë të lutem.
Unë ngriva, lotët filluan të më rridhnin në faqe, ndërsa në korridor dëgjohej tingëllima e zinxhirëve të këmbëve të Havziut që largohej. Më në fund porta u mbyll.
Në birucë ra qetësi varri, unë i ulur në mesin e qelisë, me shikimin e mbërthyer mbi tasin e supës të Havziut. Silueta e tij ishte aty në cep. Ashtu duke u dridhur, pa gjumë në sy, i tronditur kuptova se dita kishte zbardhur. Kërciti dera dhe brofa në këmbë menjëherë. Polici hungëriti “merri plaçkat dhe shporru jashtë. Merr edhe tasin!!!” Tasi me supë është i Havziut, nuk e kam harruar unë. Do ha më vonë më tha. E morën mbrëmë dhe akoma s’ka ardhur! Dola jashtë, ecja kuturu e në çdo hap që hidhja më dilte biruca përpara. Veshët më zhurmonin me fjalët “Ma bëj hallall, Të jam borxhli, Të lutëm ma bëj hallall”. Diku aty afër dëgjoheshin zëra njerëzish si asnjëherë tjetër që kalonin të organizuar. Bëra mbas tyre tek sheshi ku ishin grumbulluar shumë veta e nuk po kuptoja asgjë. U afrova më shumë për të parë se përse ishin mbledhur. E kuptova që nuk ishte festë. Njerëzit me kokë ulur thithnin cigare duke lëshuar shtëllunga tymi dhe përshpërisnin me vete.
U afrova dhe çfarë të shihja?! Një trekëmbësh përpara gjithë atij populli kishte lartësinë e duhur për ta parë. Pashë dhe njoha mikun tim të qelisë me litar në qafë, duart të lëshuara, këmbët vetëm me çorape, ndërsa në fytyrë i ndriste nuri; buzët me një farë buzëqeshje…Dukej si i gjallë. Njerëzia filluan të shpërndaheshin, ika dhe unë. Ishte ora 10 e mëngjesit, data 10 gusht, viti 1988. Një fllad i lehtë përkundte trupin e varur me litar në qafë. U largova dhe herë pas here hidhja shikimin nga mbrapa. Aty rrinte Ish i dënuari me varje…
Dosja 13532/1 dhe 13532/A të cilave iu referuan
Më datë 14/6/1988 fillon gjyqi i Havzi Nelës.
Prokuror: Nikollaq Helmi
Gjyqtar: Agim Hoxha
Probleme oganizative të gjykimit. Çështja do të gjykohet në sallën e gjykatës pasi nuk ka interes të bëhet para popullit në Topojan. Për ti shërbyer më mirë interesit të partisë duhet të jepet dënimi me vdekje e varje ku mund të ekspozohet i dënuari.
Treshja e Kolegjit të Gjykatës së Lartë
Fehmi Abdiu
Fatmira Laskaj
Lili Robo
Firmëtarët e litarit
Ramiz Alia
Kristaq Rama
Rita Marko
Xhaferr Spahiu
Emine Guri
Sihat Tozaj
Eleni Selenica
Faik Çinaj
Lumturi Rexha
Petrit Gaçe
Rahman Hanku
Simon Ballabani
Sotir Koçollari
Stefan Qirjako
Terezina Marubi