Albspirit

Media/News/Publishing

Borrell: Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse do të normalizojë marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhë, ndër të tjera, edhe çështjen e përfaqësimit ligjor të Kosovës në nisma të ndryshme rajonale. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Parlamentit Evropian, Borrell shp[rehu nevojën e një marrëveshje gjithpërfshirëse. “Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve është baza më e mirë për tejkalimin e çështjes së përfaqësimit ligjor të Kosovës”, tha Borrell. Ai konfirmoi se autoritetet e Kosovës janë të interesuara që Kosova të mos përfaqësohet më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në forume rajonale. “BE-ja është e gatshme ta trajtojë këtë çështje, përfshirë edhe përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke pasur parasysh se organizatat si CEFTA [Marrëveshja Tregtare e Evropës Qendrore] kanë strukturat, procedurat dhe organet e tyre vendimmarrëse, të cilat gjithashtu përfshijnë edhe palët e tjera”, tha Borrell. Ai kujtoi se pas marrëveshjes së arritur në vitin 2012 në dialogun Kosovë-Serbi, “Kosova merr pjesë dhe flet vetë në forumet rajonale”, me kusht që tek emri i saj të vendosë një fusnotë. Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Një takim i ri midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është paralajmëruar për në shtator.

 

Please follow and like us: