Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: VETMIA SI VETËSI E NJERIUT

Sipas Librit të Gjenezës, për shkak të mëkatit fillestar, njeriu është i dënuar të jetojë i vetësuar me vetminë, sepse hyjnia e ka braktisur atë. Ishte faji i Evës, e cila pavarësisht urdhrit të hyjnisë, në Kopshtin e Edenit shijoi frytin e pemës së dijes. Adami si budalla që ishte, u solidarizua me Evën, edhe ai e hëngri pemën. Në Librin e Gjenezës, kjo njihet si “rënia e madhe”, si humbja e pafajësisë njerëzore. Këtu fillojnë të këqijat e njerëzimit, të tilla si vetmia dhe vuajtjet. Vdekja dhe vrasja filluan gjithashtu, kur Kaini, djali i Adamit dhe Evës, vrau Abelin, vëllaun e vogël.
Vetmia, vuajtja, vdekja, lufta, incesti, dashuria, vrasja, tradhtia, shëmtia, imoraliteti, janë fenomene të përshkruara në njërën prej perlave të krijuara nga mendja njerëzore. Në veprën “100 vjet vetmi “, shkrimtari kolumbian Márquez i bën homazh vetmisë, herë me mjete realiste e herë me mjete magjike.
Filozofë dhe romancierë të tjerë bëjnë të njëjtën gjë. E përshkruajnë njeriun si një qenie e vetësuar me vetminë. Thonë se “njeriu është i braktisur, sepse nuk gjen asnjë prehje jashtë vetës së tij”.
Të braktisur, të vetmuar janë edhe personazhet e Márquez, si Ursuala, Patriarku José Arcadio Buendía, apo Kolonel Aureliano Buendía, të 6 brezat e familjes Buendia, edhe pse figura të rëndësishme në mjedisin ku ata jetojnë.
Është i përsosur përshkrimi i Marquez për vetminë e kolonelit Aureliano Buendía, një udhëheqës ushtarak me përmasa mitike, por i burgosur në vetminë e tij:
“…edhe në pushtetin tij të jashtëzakonshëm koloneli ndihej i vetmuar; ndjenjë që e bënte të humbas busullën e jetës. Mërzitej shumë edhe kur i thonin ‘të duam kolonel’ edhe kur e brohorisnin, ngase e dinte se e gënjenin, e bënin të njëjtën me armiqtë e tij…Ndjehej i shpërqendruar, i paorganizuar dhe më i vetmuar se kurrë. Ishte i bindur se oficerët e tij gënjenin. Ishte lodhur nga pasiguria, nga rrethi vicioz i asaj lufte të përjetshme që e gjente gjithmonë në të njëjtin vend, por gjithnjë më i vjetër, më i lodhur dhe në pozicionin e mosdijes…
Gjithmonë ishte dikush…që kishte nevojë për para, dikush që donte të ikte nga lufta sepse e kishte djalin me kollë…ose dikush që nuk mund ta duronte shijen e mutit të luftës…
…urrente kur oficerët e tij i thonin: Kolonel, çdo gjë është në rregull… e dinte se e gënjenin…
I vetëm, i braktisur nga parandjenjat e tij, duke ikur nga të ftohtit që do ta shoqëronte deri në vdekje, ai kërkoi një strehë të fundit në fshatin e tij, në Macondo, në ngrohtësinë e kujtimeve të vjetra…”.
Libri “100 vjet vetmi” na jep dije, na mbush me emocione të thella për përrallën tonë si njerëz, përrallë që është në zhvillim, përrallë ku tmerret bashkëjetojnë me mrekullitë, ku as absurditetet dhe as mëkatet nuk provokojnë hapjen e syve, ashtu si ndodhi me Adamin dhe Evën.
Ashtu sic hyjnia e paralajmëroj Adamin dhe Even, edhe Marquez na jep një paralajmërim në rreshtat e fundit të romanit, që mund të këtë rëndësi për ne të gjallët e shekullit 21: “… racat e dënuara me njëqind vjet vetmi nuk kanë një mundësi të dytë në tokë”.
Please follow and like us: