Albspirit

Media/News/Publishing

Adem Nimani: Beogradi krimet i fsheh edhe nga vetja

Ku dhe kush i vrau e i zhduku civilët gjatë luftës në Kosovë? Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi e dinë këtë. E dinë mirë shërbimet zyrtare serbe që i transportuan kufomat e të masakruarve në vendet paraprakisht të përzgjedhura, për të fshehur krimet e kryera në Kosovë.

Regjimi në Beograd e di mirë çdo lokacion se ku janë varrosur apo zhdukur viktimat shqiptare. Nëse Vuçiqi e di mirë se krimin ndaj të rinjve serbë në lokalin “Panda” të Pejës e bëri shërbimi sekret serb, ku janë ata që e urdhëruan këtë krim. Dihen ata, por regjimi i Beogradit frikësohet; e di mirë se ato viktima do ta ndjekin edhe në gjumë.

Sa herë shënohet përvjetori i sulmeve ajrore të NATO-s mbi atë pjesën e mbetur të ish-Jugosllavisë që mbante emrin Republika Federative e Jugosllavisë (e përbërë nga Serbia e Mali i Zi), shumica e njerëzve në Serbi akoma nuk e ka të qartë se pse u bombardua vendi i tyre, shkruan historiani serb Damjan Pavlica. Në fjalorin e Serbisë ende dominon shprehja: “Agresioni i NATO-s”. Kjo po bëhet pjesë e mitologjisë serbe sipas të cilës ndaj serbëve përherë është kryer padrejtësia.

Pavlica shton se NATO kishte arsye të fortë për intervenim ushtarak në Serbi. Sepse, në Kosovë ndodhte ajo që ishte provuar në Bosnje. Ai shton se duke i vlerësuar raportimet e shumta e të pavarura, si dhe vlerësimet e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte, Ushtria, Policia dhe formacionet paramilitare serbe kanë garantuar dhe djegur vendbanimet shqiptare duke vrarë dhe dëbuar në mënyrë sistematike popullatën civile shqiptare.

Masakra serbe në fshatin Abri e Epërme më 26 shtator 1998, ishte në fokus të të gjitha mediave ndërkombëtare perëndimore. Por, Sllobodan Millosheviqi vazhdoi me politikën e krimit. Në fillim të vitit 1999, qindra fshatra shqiptare u shkatërruan. Përbrenda Kosovës u zhvendosen mbi 200 mijë civilë shqiptarë; 70 mijë kishin dalë në vendet fqinje e mbi 100 mijë kishin ikur në Perëndim. Kur njësitet speciale të policisë serbe e kryen masakrën në Reçak, u bë e qartë se bashkësia ndërkombëtare nuk do ta tolerojë më Millosheviqin.

Mirëpo, pas fillimit të bombardimeve më 24 mars 1999, në vend që të ndalonte krimet, ai i intensifikoi ato në Kosovë. Shumë shërbime shtetërore serbe morën pjesë në spastrimin etnik të Kosovës. Kamionët e Ushtrisë jugosllave dhe trenat e hekurudhave të Serbisë u shfrytëzuan për deportimin e popullatës drejt Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë. Shërbimet komunale të Serbisë u angazhuan për transportimin në Serbi të kufomave të shqiptarëve të vrarë nëpër rrugë e nëpër shtëpi. Bota shpejt i kuptoi përmasat e spastrimit me “Operacionin Patkoi”. Ishte e qartë se Millosheviqi kishte për qëllim zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Kosovë.

Vetëm tri javë pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja, Komisariati i Lartë për Refugjatë i OKB-së regjistroi gjysmë milionë shqiptarë të larguar nga Kosova. Deri në përfundim të bombardimeve, forcat serbe dëbuan 862 mijë e 979 shqiptarë (qindra mijëra të tjerë ishin të zhvendosur përbrenda territorit të Kosovës). Pushtetarët serbë qytetarëve të ndjekur ua konfiskonin dokumentet personale dhe çdo dëshmi tjetër, duke ua zhdukur kështu gjurmët e identitetit.

Gjatë këtyre operacioneve, për më pak se tre muaj u vranë 10 mijë shqiptarë. Me mijëra shtëpi u rrënuan nga artileria serbe, nga buldozerët apo nga zjarri e shpërthimet me eksploziv. Pavlica thotë se serbët në Serbi shtireshin sikur nuk dinë asgjë nga këto. Gjatë gjithë asaj kohe, televizioni shtetëror serb RTS, transmetonte urat që shkatërronte NATO.

Ndërkaq, shfaqeshin edhe serbët në strehimore, disa tek po luftonin kundër aviacionit të NATO-s – superfuqisë botërore. Pas kapitullimit të Millosheviqit dhe tërheqjes së Ushtrisë e Policisë serbe nga Kosova, RTS-i e vërshoi auditorin me pamje të kolonave të refugjatëve serbë dhe të disa kishave të djegura serbe. Prej atëherë, në çdo përvjetor të të ashtuquajturit “agresion i NATO-s”, regjimi i Beogradit përkujton veç viktimat serbe, refugjatët serbë, mbetjet e uraniumit të varfëruar dhe kinse jolegjitimitetin e bombardimeve.

Askush nga zyrtarët nuk përmend as edhe me një fjalë shkaqet e vërteta të intervenimit e as krimet monstruoze që i kreu Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Do të kisha dëshirë që në rastin e ndonjë përvjetori të ardhshëm të ‘agresionit të NATO-s’, dikush nga zyrtarët e Republikës së Serbisë të thotë qartë se si paratë e taksapaguesve serbë u përdorën për shfarosjen dhe deportimin e organizuar të shqiptarëve”, thotë Pavlica.

Please follow and like us: