Albspirit

Media/News/Publishing

Standardi i dorëheqjeve pa u betuar në Kuvend

Pesë dorëheqje ende pa u betuar si deputetë janë një rast i pashembullt, edhe për standardet e parlamentarizmit shqiptar në këto tre dekada. Nga Tom Doshi në fillim, e deri tek rasti më i freskët i Lefter Kokës refuzimi për të hyrë në Parlament ka arsye të ndryshme, por me emëruesin e përbashkët se të gjitha dorëheqjet ishin “vullnet të lirë”.

Me vullnet të lirë u dorëhoq edhe Gramoz Ruçi, duke cituar se e kishte përmbyllur misionin e tij politik, pas tre dekadash si pjesë e socialistëve, pjesën më të madhe të të cilave si numri dy i kësaj partie.

Me vullnet të lirë u largua Mark Marku, i vetmi nga Partia Demokratike deri më tani. Por, në këtë rast, vullneti i lirë i tij u kushtëzua nga përplasjet e brendshme brenda partisë dhe kundërshtitë që ai kishte me lidershipin e Lulzim Bashës.

Po me vullnet të lirë u dorëhoq edhe Najada Çomo. Dorëheqja e saj është edhe më “misteriozja” sepse deri më tani nuk është cituar nga vetë ajo, por nga goja e Kryeministrit Edi Rama. Rama citoi si arsye situatën në përkeqësim të pandemisë dhe zgjedhjen e Çomos për të kontribuar në profesionin si mjeke dhe drejtuese e Spitalit Infektiv.

Lefter Koka gjithashtu përmend vullnetin e lirë në postimin e gjatë të dorëheqjes. Megjithatë, pesë dorëheqje pa e marrë mandatin, në rastin më të mirë tregojnë se imazhi i klasës politike shqiptare ka rënë përfund dhe karriera në të nuk është më aq joshëse sa ka qenë. Në rastin më të keq, është se në një pjesë të këtyre dorëheqjeve në të vërtetë pas qëndrojnë arsye të tjera.

Njëra prej këtyre arsyeve mund të lidhet me Rrugën e Elbasanit. Në fillim të muajit gusht, Ambasadorja Yuri Kim vuri në pikëpyetje vulosjen e rezultatit të KQZ-së, që përcaktoi 140 emrat e parlamentit të ri. Ajo i kërkoi Ramës e Bashës që “të bëjnë kujdes”.

“Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”, shkruante Yuri Kim.

Mesazhi u interpretua si i koduar më shumë për Lulzim Bashën dhe përplasjen që po vlonte për rastin e Sali Berishës, ku Yuri Kim e kërkoi haptazi përjashtimin e tij, të shpallur non grata nga SHBA. Por, pse duhej përmendur Edi Rama nëse mesazhi ishte për Berishën? Ndoshta Ambasada e SHBA di më shumë.

Gjithsesi, arsyet e thëna e të pathëna nga pesë të dorëhequrit e deritanishëm nuk mund të jenë më të forta se ato të Sali Berishës. Në moshën 78-vjeçare, ish-President dhe ish-Kryeministër për dy mandate, Berisha e ka mbyllur misionin e tij politik dhe kokëfortësia për të mos lënë mandatin e marrë më 25 prill është vetëm një kapitull i sforcuar në këtë mision, që historia do ta gjykojë.

As Gramoz Ruçi, as Lefter Koka nuk janë as më të vjetër dhe as kanë pasur karrierën e Berishës. Por, ambiciet e tyre politike u ndërprenë beftas, pavarësisht se në dallim nga Berisha nuk janë shpallur, të paktën publikisht, “non grata” nga SHBA. Emri i tyre nuk është shqiptuar nga Ambasadorja Yuri Kim, i Berishës po, madje duke ftuar PD-në që të mos hajë më bar.

Po, Tom Doshi në këtë listë është i shpallur “non grata”, por karriera e tij politike asnjëherë nuk e ka katapultuar në pozicione nga ku të ndikonte vendimet e drejtësisë, siç DASH akuzon Berishën në vendimin e shpalljes i padëshirueshëm. Ashtu si Berisha, as Tom Doshin s’e detyronte vendimi i SHBA për të mos e marrë mandatin. Ai zgjodhi të mos e marrë, Berisha jo.

Parlamenti i ri mblidhet më 10 shtator. Deri atëherë janë përpara edhe disa ditë që mund të rezervojnë surpriza në këtë drejtim, ku i dihet. Se çfarë surprizash askush nuk është në gjendje që t’i parashikojë, ndërsa pesë dorëheqjet e deritanishme lënë pas një dilemë të madhe nga vota e 25 prillit; a deformohet vullneti i qytetarëve që votuan për ta, apo sistemi zgjedhor ishte i deformuar në momentin që qytetarët votuan?

Një përgjigje të prerë nuk mund të ketë. Gjykata Kushtetuese rrëzoi herësin me të cilin u ndanë mandatet për zgjedhjet e 25 prillit, por vendimit të saj ajo nuk i jep efekt prapaveprues. Kjo interpretohet në dy mënyra; nëse do të nisemi nga formula e herësit, atëherë me këto dorëheqje, vullneti i të paktën 50 mijë qytetarëve shqiptarë që votuan në zgjedhjet e 25 prillit u deformua. Interpretimi i dytë, që shkon edhe më përshtat vendimit të Gjykatës Kushtetuese është se sistemi ishte i deformuar, ende pa votuar qytetarët.

Kjo e dyta na nxjerr te kërkesa e Lulzim Bashës për ndryshime të thella kushtetuese, por që t’i realizojë, kreut të PD-së i nevojitet me domosdo Edi Rama./shqip

Please follow and like us: