Albspirit

Media/News/Publishing

Josep Borrell: Afganistani ishte thirrje për zgjim, Evropa duhet nxituar

Marrja e Afganistanit nga talibanët, është, së pari dhe mbi të gjitha, një tragjedi për afganët. Vëmendja botërore është me të drejtë e përqendruar në tentativën për të ndihmuar ata që përpiqen dëshpërimisht të largohen nga vendi dhe brengosen për ata që kanë mbetur, veçanërisht gratë dhe vajzat.

Por kjo gjithashtu është një goditje për Perëndimin. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin të bashkuara si asnjëherë më parë në Afganistan: Ishte hera e parë që Neni 5 i NATO-s, që detyronte të gjithë anëtarët që ta mbronin njëri-tjetri. Dhe për shumë vjet, evropianët siguruan një angazhim të fortë ushtarak dhe një program të rëndësishëm të ndihmës ekonomike, që në total arrin vlerën prej 17.2 miliardë euro, apo 20.3 miliardë dollarë.

Por në fund, koha dhe natyra e tërheqjes u vendosën në Uashington. Ne evropianët, e gjetëm veten – jo vetëm për evakuimet nga Aeroporti i Kabulit, por po ashtu edhe më gjerë – të varur nga vendimet amerikane.

Kjo duhet të shërbejë si një thirrje për zgjim për secilin që kujdeset për aleancën Atlantike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kuptohet që nuk duan që gjithçka të bëjnë vet. Për t’u bërë një aleat më i aftë, Evropa duhet të investojë më tepër në kapacitetet e saja të sigurisë dhe të zhvillojë aftësinë për të menduar dhe vepruar në terma strategjik. Ngjarjet në Afganistan  kanë qenë tronditëse. Por që ato neve duhet të na çojnë në thellim të aleancës dhe jo ndarje të saj me Amerikën. Dhe për të forcuar bashkëpunimin, Evropa duhet zgjuar.

Për ta bërë këtë, neve së pari na duhet të ndajmë një ndjesi të përbashkët të kërcënimeve me të cilat përballemi dhe mënyrën më të mirë për t’i adresuar ato – një kulturë të përbashkët strategjike. Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian është duke punuar në Qarkoren Strategjike Evropiane, një dokument që do të përcaktojë me saktësi ambiciet tona për sigurinë dhe mbrojtjen për pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshme.

Vendet anëtare janë plotësisht të përfshira në këtë ushtrim. Disa, për shembull, kanë sugjeruar krijimin e një “force hyrëse fillestare” prej rreth pesë mijë trupave, e cila mund të ndërmarrë veprime të shpejta dhe të fuqishme. Ndihma për të siguruar një aeroport në rrethana sfiduese, si rasti i Kabulit, mund të jetë një lloj operacioni që ne synojmë në të ardhmen. Duke përqafuar frymën dhe potencialet e bashkëpunimit ne shpresojmë që dokumenti – të lëshohet nga pranvera e vitit 2022 – e të shërbejë si një udhëzues për të ardhmen tonë kolektive.

E ardhmja është e paqartë, plot kërcënime në fusha të ndryshme, përfshirë hapësirën kibernetike, detare dhe hapësirën e jashtme. Prandaj është thelbësore që evropianët, qoftë në NATO, në Kombet e Bashkuara apo Bashkim Evropian, të punojnë së bashku më tepër në mbrojtje. Krahas rritjes së kapaciteteve kryesore ushtarake – transportit ujor dhe të karburantit, komandë dhe kontroll, zbulim strategjik dhe asete të bazuara hapësinore – neve na duhen forca që janë më të afta, më të dislokueshme dhe më ndërvepruese. Përpjekjet për të arritur tek kjo, në formë të disa nismave, tashmë janë në zhvillim e sipër.

Por që ne duhet shkuar edhe më tej e edhe më shpejt. Fondi Evropian i Mbrojtjes, i krijuar për të rritur kapacitetet mbrojtëse të bllokut, do të pranojë afër tetë miliardë euro, apo 9.4 miliardë dollarë, përgjatë gjashtë vjetëve në vijim. Kjo duhet përdorur për mbështetje të konsiderueshme të hulumtimeve dhe zhvillimin e teknologjive mbrojtëse të cilat janë të nevojshme.

Një BE më tepër autonome dhe e aftë ushtarakisht do të jetë në gjendje më të mirë për të adresuar sfidat që do të vijnë në fqinjësi me të dhe përtej. Gjithashtu, jam i bindur, se do të ishte një ndihmë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në interes të aleancës Atlantike. Pas së gjithave, çdo partneritet ka nevojë për aleatë të aftë dhe besim politik.

S’ka detyrë më urgjente. Rikthimi i talibanëve në pushtet sjell me vete rrezikun e sulmeve të reja terroriste, rritje të trafikut të drogës dhe një sasi të madhe të migrimit të parregullt. Ne duhet të jemi të vendosur në përballjen me këto kërcënime, sikurse edhe të kemi përgjigje për ndryshimet e tablos rajonale. Kina, Rusia dhe Irani do të kenë ndikim më të madh në rajon, derisa Pakistani, India, Turqia dhe monarkitë e Gjirit do të ripozicionohen që të gjitha. Ne nuk mund t’i lejojmë ata të jenë bashkëbiseduesit e vetëm me Afganistanin pas tërheqjes së Perëndimit. Evropa, bashkë me SHBA-në, duhet t’i riformulojë angazhimet e veta.

Jo më së paku edhe vetë talibanët. Pas dështimit për të parandaluar kapjen e vendit nga ana e tyre, ne tani duhet të përballemi me ta, duke peshuar kujdesshëm opsionet tona dhe duke punuar për qasje të koordinuar ndërkombëtare. Kjo duhet të jetë subjekt, natyrisht, i kushteve të qarta për sjelljen e tyre, në veçanti respektimin e të drejtave të njeriut.

Më tepër se kaq, ne duhet të vazhdojmë me mbështetjen e popullit afgan, në veçanti pakicat dhe gratë e vajzat. Si përfundim, Komisioni Evropian tashmë ka vendosur të katërfishojë ndihmën humanitare këtë vit në 200 milionë euro, apo 236 milionë dollarë, derisa ka pezulluar zhvillimin e ndihmave. Dhe megjithëse do të jetë një sfidë, ne do të duhet të gjejmë një rrugë për të pranuar dhe dërguar ndihma humanitare – dhe kalim të sigurt për ata që ndihen të kërcënuar.

Zhvillimet në Afganistan nuk janë ftesë për tërheqje nga sfidat e mëtejme ndërkombëtare. Në të kundërtën, ato duhet inkurajuar Evropën që të thellojë aleancat dhe të forcojë angazhimin – dhe aftësinë – për të mbrojtur interesat e saj.

Disa ngjarje katalizojnë historinë: Debalki në Afganistan është nga ta. Ne evropianët mund të nxjerrim mësim prej tij.

Josep Borrel është Përfaqësues i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian.

Tekst i New York Times, i përkthyer nga Klankosova.tv.

Please follow and like us: