Albspirit

Media/News/Publishing

Nderet presidenciale/Dekorata “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, nga Pawell te Anastas Janullatos

Fatos Tarifa

Gjatë vizitës së tij historike në Tiranë, më 2 maj 2003, Sekretari amerikan Shtetit, Colin Powell nënshkroi dy dokumente shumë të rëndësishme, siç janë Marrëveshja dypalëshe për Paragrafin 98 të Statutit të Romës dhe Karta e Adriatikut.

Përveçse me kryeministrin e asaj kohe Fatos Nano dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta, Sekretari Powell u prit edhe nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu. Në përfundim të takimit mes Presidentit Moisiu dhe Sekretarit të Shtetit, me propozimin e bërë nga kryeministri Nano, kreu i Shtetit i akordoi mysafirit të nderuar nga Uashingtoni dekoratën e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Motivacioni për dhënien e asaj dekorate ishte kuptimplotë dhe unë e riprodhoj këtu të plotë:

“Për vizionin e tij të veçantë, lidershipin dhe rolin e tij të çmuar në mbështetje të demokracive të reja, që ndajnë vlera të njëjta me Shtetet e Bashkuara dhe për vlerësimin e tij të veçantë për rëndësinë e Shqipërisë dhe Europës Juglindore në lidhje me stabilitetin rajonal dhe një Europë në paqe; për angazhimin e tij personal për zgjerimin e NATO-s, duke përfshirë dhe partnerët fqinjë të Adriatikut, si dhe për inkurajimin dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike; për vëmendjen e tij personale dhe mbështetjen entuziaste ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u bërë një shoqëri e vërtetë demokratike dhe për konsolidimin e marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara; për mbrojtjen e vendosur në përmbushjen e vizionit të Presidentit Bush për një Europë të bashkuar, të lirë e të begatë, si dhe për vlerësimin prej tij të kontributit të dhënë nga Shqipëria në krijimin e këtij realiteti dhe për njohjen e kontributit të tij të pakrahasueshëm si një lider botëror dhe një luftëtar i paqes”.

E konsiderova me vend ta riprodhoj të plotë këtë motivacion për të venë në dukje se sa joserioz ka qenë ndonjë prej krerëve të shtetit shqiptar, i cili, të njëjtën dekorate të lartë shtetërore ua kanë dhënë një numri të madh njerëzish me kontribute dhe merita minimale, ose të dyshimta, madje edhe pa asnjë kontribut sado të vogël në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë dhe për progresin e saj.

Emrat e shumë prej këtyre individëve janë krejt të panjohur për publikun e gjerë shqiptar, madje edhe për publikun më të informuar.

Të njëjtën dekoratë të lartë shtetërore “Gjergj Kastriot Skënderbeu, të cilën Presidenti Moisiu, për meritat e përmendura më sipër dhe të njohura botërisht, ia akordoi Sekretarit të Shtetit Colin Powell në vitin 2003, Presidenti Bujar Nishani ia dha, në vitin 2014, zëvendësndihmësit të Sekretarit të Shtetit në atë kohë, Jonathan Moore. Përveçse një absurd logjik, dhënia e një dekorate të tillë një diplomati të rangut të z. Moore ishte edhe pa vend edhe nga ana diplomatike. Në hierarkinë e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, një zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit është dhjetëra shkallë poshtë Sekretarit të Shtetit.

Për ata lexues që mund të mos e dinë, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ndihmohet në punën e tij nga 2 zëvendëssekretarë (Deputy Secretary of State), nga 6 nënsekretarë (Under Secretary of State), nga 24 ndihmës-sekretarë (Assistant Secretary of State) dhe 21 zyrtarë të tjerë në poste drejtues që kanë të njëjtin rang si ndihmësekretarët e shtetit. Këta 45 ndihmësekretarë dhe drejtues të të njëjtit rang ndihmohen në punën e tyre nga disa dhjetëra zëvendësndihmëssekretarë (Deputy Assistant Secretary of State).

Megjithë respektin që kam për të personalisht, Jonathan Moore ishte një ndër këta dhjetëra zëvendës të atyre dhjetëra ndihmësve të Sekretarit të Shtetit dhe nuk do të duhej të merrte nga një president i Republikës së Shqipërisë të njëjtën dekoratë të lartë shtetërore, me të cilën Presidenti Alfred Moisiu kishte nderuar disa vite më parë Sekretarin e Shtetit Colin Powell, njërin prej gjeneralëve dhe diplomatëve më të shquar amerikanë në pesëdhjetë vitet e fundit.

Të njëjtën dekoratë të lartë shtetërore të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani ua dha, po atë vit, më 2014, lordit Michael Bates (në atë kohë nënsekretar shteti) dhe lordit Alan Watson (një konsulent për çështje të komunikimit), çuditërisht me të njëjtin motivacion për të dy: “Për kontributin e veçantë e të çmuar në forcimin e miqësisë midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe në promovimin e çështjes dhe vlerave shqiptare”! A ka dëgjuar ndonjëri prej jush, lexues të nderuar, për kontributet e këtyre individëve “në promovimin e çështjes dhe vlerave shqiptare”?!

Në vitin 2008, dekorata “Gjergj Kastriot Skënderbeu” iu dha një konti francez autodidakt, Jean d’Ogny, për profilin e të cilit në Internet nuk gjen asnjë informacion. Presidenti Nishani ia dha këtë dekoratë të lartë edhe një politikani kristian-demokrat gjerman, si Rufold Decker, i cili nuk ishte më shumë sesa një anëtar i asamblesë së landit Baden-Württemberg; një ministri izraelit të Shëndetësisë, si Yuli Edelstein; ministrit të jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe Abdullah bin Zayed Al Nahyan, eurodeputetes gjermane Doris Pack, marrëdhëniet e së cilës me Shqipërinë si një rapporteur për vendin tonë në Parlamentin Europian kanë qenë shumë kundërthënëse.

Krahasojini figurën publike dhe meritat e këtyre individëve në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë me ato të Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara Colin Powell dhe do të kuptoni parodinë që është luajtur nga Presidenti Nishani me dekoratën e lartë të Republikës sonë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Por, Nishani ia dha këtë dekoratë të lartë edhe një farë Anthony Bailey, një konsulent irlandez për marrëdhëniet me publikun, të cilit disa shtete ia kanë revokuar medaljet që i kanë dhëna dhe për të cilin, çdo informacion në faqen zyrtare të presidencës është fshirë. E njëjta dekoratë i është dhënë edhe një diplomati të rëndomtë italian, si Guiseppe Balboni Acqua, për të cilin në faqen zyrtare të presidencës nuk gjendet asnjë informacion.

Absurdi dhe parodia e luajtur me këtë dekoratë të lartë shtetërore të Republikës së Shqipërisë duken edhe më qartë kur mëson se ajo u është dhënë edhe individëve të tillë, si Azem Hajdari, Abaz Kupi (pas vdekjes), Sabri Hamiti, Ahmet Krasniqi, madje edhe Anastas Janullatosit.
Janullatosit, një greku (të cilin një president tjetër, Ilir Meta, e bëri shqiptar), por që prej 30 vitesh ka uzurpuar drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Mendoni për një çast: kjo dekoratë e lartë e shtetit shqiptar nuk i është dhënë (pas vdekjes) Fan Nolit, shqiptarit të madh që e themeloi këtë kishë dhe që është autori i njërës prej veprave më të rëndësishme mbi historinë e Skënderbeut, heroit tone kombëtar, emrin e të cilit mban dekorata në fjalë.

Ashtu si shumë dekorata dhe urdhëra nderi që janë dhënë deri më sot, veçanërisht nga presidentët Bujar Nishani dhe Ilir Meta, edhe dekorata e lartë shtetërore “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në shumë raste është dhënë për motive dhe interesa personale, që nuk kanë aspak lidhje me vlerën e vërtetë të kontributeve për Shqipërinë dhe shqiptarët të individëve që e kanë marrë atë.
Interesant më është dukur edhe fakti që, këtë dekoratë të lartë, të cilën, me propozim të Fatos Nanos, Presidenti Moisiu ia akordoi Sekretarit të Shtetit Colin Powell, në vonë Alfred Moisiu ia dha edhe vetë Fatos Nanos.

Në fund të fundit, pse jo, kur atë dekoratë ua kishin dhënë shumë njerëzve, të cilët pjesa më e madhe e qytetarëve të këtij vendi nuk i kanë njohur ndonjëherë dhe që realisht s’kanë bërë asgjë për Shqipërinë./gazeta dita

Please follow and like us: